Dështon rigjykimi në rastin “Medicus” - Bota Sot
Dështon rigjykimi në rastin “Medicus”

Kosova

Dështon rigjykimi në rastin “Medicus”

Më: 20 janar 2020 Në ora: 15:16
Pamje nga gjykimi

Ka dështuar të mbahet seanca e rigjykimit ndaj urologut Lufti Dervishi dhe djalit të tij, Arban Dervishi, të cilët po akuzohen se në bashkëkryerje kishin kryer veprat penale krim i organizuar dhe trafikim me qenie njerëzore.

Këto vepra penale, sipas prokurorisë, ishin kryer në klinikën “Medicus”, në të cilën pretendohet se ishte kryer transplantimi i veshkave, ndërsa pronar i së cilës kishte qenë Lutfi Dervishi.

Në këtë rast, i akuzuar ka qenë edhe Sokol Hajdini, por Apeli e kishte refuzuar akuzën ndaj tij, për shkak të  parashkrimit absolut të veprës penale.

Pas kthimit të rastit në rigjykim vetëm për të akuzuarin Lutfi Dervishi, procedura penale është bashkuar edhe me atë të djalit të tij, Arban Dervishi, i cili në gjykimin e mëparshëm ishte veçuar procedura ndaj tij, për shkak se ndodhej në arrati.

Shkak i shtyrjes së kësaj seance ka qenë se i akuzuari Arban Dervishi, nuk kishte caktuar mbrojtës edhe pse për veprat penale për të cilat akuzohet mbrojtja ishte e obligueshme.

“Nuk kam caktuar mbrojtës, fillimisht e kam pasur një avokat por të njëjtit ia kam revokuar autorizimin dhe ka mbetur që të caktojë një avokat tjetër, por kërkoi nga gjykata që për shkak të gjendjes jo të mirë ekonomike, ngase nuk jam i punësuar të më caktojë një avokat sipas detyrës zyrtare”, ka qenë kërkesa e të akuzuarit Arban Dervishi, drejtuar trupit gjykues.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Nushe Kuka-Mekaj, duke iu referuar cilësimit juridik të veprave penale, në seancën e së hënës ka thënë se ka gjetur se të akuzuarit ngarkohen për veprën penale të krimit të organizuar, në drejtim të veprës penale të trafikimit me qenie njerëzore të kryer në bashkëkryerje, ashtu që ka kërkuar nga prokurori special Agron Bajrami, nëse kishin të bëjnë me veprën penale krim të organizuar apo me bashkëkryerje, ngase sipas gjykatëses Kuka-Mekaj, këto përjashtojnë njëra tjetrën.

Gjithashtu, ajo kërkoi që PSRK të përcaktojë se si duhet të procedohet me dëshmitarët e mbrojtur, në mënyrë që gjykata të fillojë bashkëpunimin juridik ndërkombëtar prej zyrës së EULEX-it, që të mund t’i dëgjojë këta dëshmitarë përmes video-linkut.

Por, sipas saj, këta dëshmitarë duhet të ndahen, pasi aktakuza në këtë rast po zhvillohet vetëm për shtatë transplantime.

Seancat e radhës pritet të mbahen më 2 dhe 3 mars 2020, në ora 09:30.

Gjykata Themelore në Prishtinë, në maj të vitit 2018, Lutfi Dervishin e kishte shpallur fajtor për veprat penale, krim i organizuar dhe trafikim me qenie njerëzore dhe të njëjtin e kishte dënuar me shtatë vjet e gjashtë muaj burgim, si dhe 8.000 euro gjobë.

Kurse, anesteziologun Sokol Hajdini e kishte dënuar me një vit burgim për veprën penale “lëndim i rëndë trupor”.

Mjekut Dërvishi, i ishte ndaluar edhe ushtrimi i profesionit të urologut prej dy vjetësh nga koha kur dënimi me burg është kryer, kurse në dënimin e shqiptuar, do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, nga 4 nëntori 2008 deri me 3 dhjetor 2008, si dhe 10 janar 2017 deri në ditën kur ky aktgjykim bëhet i formës së prerë.

Mirëpo, kundër këtij aktgjykimi, kishte ushtruar ankesë në Apel ish-mbrojtësi i të akuzuarit Dervishi, avokati Valon Hasani.

Sipas kësaj ankese, gjykata e shkallës së parë kishte zbatuar gabimisht të drejtën materiale kur nuk kishte arritur të bëj dallimin mes ushtrimit të veprimtarisë mjekësore pa licencë dhe trafikimit të njerëzve.

Siç thuhet në ankesë, transplantimi i veshkave, kur bëhet pa licencë paraqet ushtrim të pandërgjegjshëm të veprimtarisë mjekësore, për çka edhe akuzohej edhe Dervishi, mirëpo, për këtë vepër penale, siç thuhet në ankesë, ka arritur parashkrimi.

Tutje, sipas avokatit Hasani, shkalla e parë ka gabuar kur e ka shpallur fajtor urologun Dervishi, pasi sipas tij, as në dispozitiv e as në arsyetim të aktgjykimit të saj, nuk është vërtetuar gjendja faktike ku i akuzuari Dervishi qoftë vet apo në bashkëkryerje të ketë mashtruar dikën ose keqpërdorur gjendjen e ndjeshme të pacienteve.

Sa i përket krimit të organizuar, për çka Dervishi ishte shpallur fajtor nga shkalla e parë, sipas avokatit Hasani, një gjë nuk mund të qëndrojë pasi që, për të ekzistuar një vepër e tillë duhet të ekzistojë marrëveshje mes të paktën tre personave, e jo të qëndroj si vepër e tillë vetëm me një person.

“Sa i përket pagesave për klinikën, faturat gjoja të lëshuara nga “Medicusi” janë të falsifikuara. Këto dëftesa nuk janë të vulosura me vulën e “Medicusit”. Pranuesit kanë pas motiv t’i falsifikojnë këto pagesa në mënyrë që të marrin parat nga kompanitë e sigurimeve”, thuhet tutje në ankesën e avokatit Hasani.

Një shkelje tjetër në këtë rast, sipas ankesës së avokatit Hasani, është bërë edhe me rastin e vazhdimit të hetimeve nga ana e prokurorisë, ku hetimet fillimisht kishin përfunduar më 12 maj 2009, ndërsa vazhdimi i tyre ishte bërë me 10 ditë vonese, për çka edhe gjykata në atë kohë kishte refuzuar një vazhdim të tillë me arsyetimin se prokuroria kishte lëshuar afatin.

Por, siç thuhet në ankesë, vazhdimi i hetimeve ishte lejuar pastaj nga një panel prej tre gjykatësve tjerë dhe duke u bazuar në të gjitha këto, mbrojtja e të akuzuarit Dervishi, kishte konsideruar se i njëjti nuk kishte pas gjykim të drejtë.

Më 6 nëntor 2018, ishte mbajtur seanca në Gjykatën e Apelit në të cilën ishin shqyrtuar ankesat e mbrojtjes.

“Standardi që EULEX-i apo trupi gjykues me përbërje me shumicë të Eulexit, ka përdorur për vërtetimin e gjendjes faktike konsiston në dyshimin e arsyeshëm se të akuzuarit, pra përtej dyshimit të arsyeshëm është provuar fajësia për transplantet. Një standard të tillë, Kodi nuk e lejon dhe ky nuk është gabim teknik apo gjuhësor por është ekzaktësisht i shprehur në aktgjykim që e kemi në dy gjuhë”, kishte thënë mbrojtësi i tanishëm i të akuzuarit Lutfi Dervishi, avokati Besnik Berisha.

Faktin se shkalla e parë, Lutfi Dervishin në njërën anë e kishte përshkruar si një anëtar të grupit kriminal kurse në anën tjetër, për të njëjtin thotë, se vet ka rekrutuar shtatë persona dhurues, pastaj ka bërë reklamimin në internet, ka kontaktuar me pacientët, i ka strehuar ata, i ka bartur nga aeroporti, e të tjera, sipas avokatit Berisha, është një gjë kontradiktore.

“Pra në qoftë se ky dispozitiv flet se gjithçka e paska kryer zotëri Dervishi, atëherë kush është krimi i organizuar, kush është grupi i strukturuar, kush janë rolet e ndara, kush është misioni i atij grupi?”, kishte thënë avokati Berisha.

Shkelje tjetër, që sipas Berishës ka bërë shkalla e parë, është edhe fakti se disa dëshmitarë nga Ë1 deri në P1, nuk janë ftuar të dëshmojnë, por dëshmitë e tyre janë lexuar dhe atë, me arsyetimin se misioni i Eulexit përfundon shpejt.

Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit tjetër në këtë rast, Sokol Hajdinit, avokati Ramë Gashi, tha se në bazë të aktgjykimit, periudha kohore për të cilën akuzohet i mbrojturi i tij, përfshinë kohën nga 1 maji 2008 deri më 31 tetor 2008, e që nga ajo kohë deri më sot, avokati Gashi tha se ka arritur afati i parashkrimit absolut i veprës penale.

Në anën tjetër, Prokuroria e Apelit përmes një parashtrese dërguar gjykatës së shkallës së dytë, i ka propozuar kësaj të fundit që të refuzon ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve.

Kështu, Gjykata e Apelit me 6 nëntor 2018, e kishte anuluar aktgjykimin për të akuzuarin Lutfi Dervishi, duke e kthyer lëndën në rigjykim, ndërsa për të akuzuarin Sokol Hajdini e ka refuzuar akuzën për shkak të  parashkrimit absolut të veprës penale.

Sipas Apelit, aktgjykimi i shkallës së parë ishte përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se dispozitivi i aktgjykimit nuk ishte i qartë dhe nuk përshkruan veprimet inkriminuese konkrete të të akuzuarit Dervishi në raport me provat e administruara dhe të cilat është mundësuar ti arsyetojë gjykata e shkallës së parë.

Në këtë aktvendim thuhet se nuk është përcaktuar as shuma e dobisë pasurore të përfituar në mënyrë të kundërligjshme nga grupi i organizuar apo pjesa e dobisë pasurore e të akuzuarit Lutfi Dervishi dhe se në raport me dëshmitarët e mbrojtur nuk përmendët emri e as veprimet e të akuzuarit Dervishi.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 15 tetor 2010 kishte ngritur aktakuzë kundër urologut Lutfi Dervishi, djalit të tij Arban Dervishi, mjekëve Driton Jilta dhe Sokol Hajdini, si dhe ish-sekretarit permanent të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Rrecaj. Pas 5 ditësh, më 20 tetor, ishte ngritur aktakuzë edhe kundër mjekëve Islam Bytyqi dhe Sulejman Dulla. Që të dyja këto ishin bashkuar në një aktakuzë të vetme më 29 nëntor 2010, dhe janë konfirmuar me 27 prill 2011.

Pas 106 seancave gjyqësore të mbajtura, Gjykata Themelore në Prishtinë më 29 prill 2013 kishte shpallur verdiktin final për këtë rast. Sipas atij aktgjykimi, Lutfi Dervishi ishte dënuar me 8 vjet burg e 10 mijë euro për veprat penale të “trafikimit me njerëz në bashkë-kryerje” dhe “krimit të organizuar”, ndërkaq ishin refuzuar akuzat për “ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore”, “lëndim të rëndë trupor”, “mashtrim” dhe “falsifikim të dokumenteve”. Të njëjtit i  ishte shqiptuar edhe dënimi plotësues i ndalimit nga ushtrimi i profesionit të urologut në kohëzgjatje prej dy vitesh. Për të njëjtat vepra penale ishte dënuar edhe djali i tij Arban Dervishi, me 7 vjet e 3 muaj burg dhe me 2.500 euro gjobë. Ndërkaq i njëjti ishte liruar nga akuzat për “lëndim të rëndë trupor”, kurse akuzat për “mashtrim” dhe “falsifikim të dokumenteve” u refuzuan.

Me atë aktgjykim, Sokol Hajdini ishte liruar nga akuza për “krim të organizuar”, por ishte dënuar për veprën penale “lëndim i rëndë trupor” me 3 vjet burg. Ndaj të njëjtit, ishte shqiptuar edhe dënimi plotësues i ndalimit të ushtrimit të profesionit të anesteziologut në kohëzgjatje prej 1 viti. Kurse, akuzat për “trafikim me njerëz” dhe “ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore”, ishin refuzuar.

Anesteziologët Islam Bytyqi dhe Sulejman Dulla ishin shpallur fajtorë për veprën penale “lëndim i rëndë trupor” dhe ishin dënuar me burgim me kusht për një vit, ndërkaq ndaj tyre ishte refuzuar akuza për “ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore”.

Në fund, ish-sekretari permanent në Ministrinë e Shëndetësisë, Ilir Rrecaj ishte shpall i pafajshëm për “shpërdorim të pozitës zyrtare apo autorizimeve”, përderisa akuza për “falsifikim të dokumenteve zyrtare” ishte refuzuar. Ndërkaq, Driton Jilta i pati shpëtuar dënimit, pasi veprat për të cilat ai akuzohej “ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë njerëzore” dhe “shpërdorim i pozitës zyrtare apo autorizimeve” ishte vjetërsuar.

Tutje, me 25 nëntor 2013, Gjykata Themelore kishte urdhëruar mbylljen dhe konfiskimin e Klinikës “Medicus”.

Ndaj këtyre dy vendimeve, mbrojtësit e pesë të dënuarve dhe prokurori kishin paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit. Kjo e fundit, më 6 nëntor 2015 kishte shpallur aktgjykim, sipas të cilit vërtetohen dënimet e të pandehurve dhe lirohet objekti i klinikës “Medicus” me arsyetimin se nuk ka bazë për konfiskim.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, përveç që dërgohen në burg tre të akuzuarit kryesor të këtij rasti, për dy prej tyre kishte rritur dënimet deri në dy vjet.

Arban Dervishi nga 7 vjet sa ishte dënuar nga shkalla e parë, dënohet me 8 vjet burgim, si dhe Sokol Hajdini nga 3 vjet sa ishte dënuar nga shkalla e parë vetëm për “lëndim të lehtë trupor”, dënohet me 5 vjet burgim, duke u shpallur fajtor edhe për “krim të organizuar”.

Ndërkaq, dy të dënuarit me kusht nga shkalla e parë, Islam Bytyqi dhe Sulejman Dulla, ishin shpallur të pafajshëm nga shkalla e dytë.

Më 5 prill 2016, mbrojtësi i Lutfi Dervishit, avokati Linn Slattengren kishte kërkuar nga Gjykata Supreme  që të pezullojë zbatimin e aktgjykimeve të kundërshtuara, e cila kërkesë ishte refuzuar më 16 prill të po atij viti.

Njëkohësisht me kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë, Sokol Hajdini dhe Lutfi Dervishi kishin parashtruar ankesa kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit. Me një vendim të marrë më 26 maj 2016, Gjykata Supreme kishte hedhur ankesën e Lutfi Dervishit si të palejuar.

Më 20 shtator 2016, Gjykata Supreme, duke vendosur sipas kërkesave të mbrojtësve të akuzuarve, e kishe kthyer në rigjykim rastin ndaj Lutfi Dervishit dhe Sokol Hajdinit, kurse ndaj të akuzuarve të tjerë ishin vërtetuar aktgjykimet.

Ndryshe, emri i kësaj klinike kishte zënë hapësirë të madhe edhe në raportin e senatorit zviceran, Dick Marty.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat