Sindikalistët e Trepçës ankohen për kushte të vështira, shpresojnë në investime - Bota Sot
Sindikalistët e Trepçës ankohen për kushte të vështira, shpresojnë në investime

Kosova

Sindikalistët e Trepçës ankohen për kushte të vështira, shpresojnë në investime

Më: 21 shkurt 2020 Në ora: 00:17
Trepçë

Kreu i Sindikatës së Minatorëve të Trepçës, Gani Osmani, është ankuar për kushtet e punës, por edhe për rreziqet tjera për shëndetin e punëtorëve që sjellin metalet e ndryshme, përkatësisht djegia e tyre.

“Vetëm në muajin dhjetor 2019, kanë ndodhur 40 lëndime, një prej tyre shumë i rëndë. Sigurimin e kemi katastrofë, është sigurim i dobët, është sikur privat që e paguan ndërmarrja”, ka thënë ai në një bisedë për Interaktiv. “Kemi pasur raste kur ka pasur thyerje të gjymtyrëve dhe punëtori ka marrë një shumë simbolike. Pak paguhet sigurimi, e pak marrin edhe punëtorët”.

Një prej pak të mirave që kanë ndodhur së fundi në Trepçë, është përmirësimi i cilësisë së ushqimit. Ai tregon së më herët ishte shumë i dobët.

“Cilësia e ushqimit ka qenë shumë e dobët, tash është përmirësuar. Si Sindikatë kemi kërkuar që punëtorët që bëjnë punë të vështira, të kenë edhe ushqim të mirë. Përpara kemi pasur ushqim të thatë, ushqimi jokualitet, tash kemi gjellë, ushqime nga skara. Ushqimi nuk është i dobët, por kushtet janë të këqija. Rol luan edhe mosha e punëtorëve. Ka pak punëtorë e shumë sipërfaqe”, ka thënë ai.

Osmani ka folur edhe për konkursin e shumëpërfolur, për çka edhe ka pasur protesta të atyre që kanë konkurruar.

“Konkursi është shpallur në tetor të vitit të kaluar. Duhej të pranoheshin 130 për minierë dhe diku 80 për sipërfaqe, këtu në Kishnicë. Tash i kanë pranuar këta 130 për minierë, por është shfaqur pakënaqësi. Njerëzit që kanë konkurruar, shumica janë bijtë të minatorëve edhe tash me protesta nuk e kanë pranuar këtë fakt. Njëfarë mënyrë u është bërë e padrejtë. Protestuesit besoj janë marrë vesh me kryeministrin Albin Kurti, janë bërë diku 200 kërkesa, por kjo punë nuk kryhet shpejtë. Ata e kanë bërë një Këshill Organizativ. Kryeministri diçka iu ka premtuar. Dikë edhe e ka ftuar për takim, siç mora vesh”, ka thënë Osmani.

E për të ngjallur këtë gjigant, ai ka thënë se i domosdoshëm është investimi në të.

“Trepça njihet si miniera më e njohur në Evropë. Ne vet nuk ia dimë vlerën. Nëse nuk ka zhvillim ekonomik, investime në Trepçë, nuk do të ketë zhvillim as në Kosovë. Trepça e zhvillon Kosovë. Shpresoj se do të ketë investime, kam shpresa”, shtoi ai.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat