Sondazh nga Pyper: Pjesëmarrësit të shqetësuar rreth problemeve ekonomike nga COVID-19

Kosova

Sondazh nga Pyper: Pjesëmarrësit të shqetësuar rreth problemeve ekonomike nga COVID-19

Më: 19 mars 2020 Në ora: 11:44
Foto ilustrim

Shqetësimi rreth coronavirusit po është prezent në Kosovë e kjo më së miri është parë edhe nga rezultatet e një sondazhi të mbajtur së fundmi.

Sondazhi i realizuar nga Pyper përmes një mostre jo të rastësishme me rreth 1500 persona anembanë Kosovës ka treguar se në një shkallë 1-10, shqetësimi i pjesëmarrësve lidhur me situatën e krijuar nga coronavirusi arrin shkallën prej 6.2.

Ky shqetësim është vërejtur qartë edhe nga fakti se një numër i lartë i pjesëmarrësve informoheshin nga mediat disa herë në ditë rreth gjendjes aktuale nga coronavirusi (87.07%). Veç kësaj pak më shumë se ¾ e pjesëmarrësve në sondazh ishin të shqetësuar më tej se zhvillimet e coronavirusit do të kenë ndikim negativ në ekonominë e vendit e ky shqetësim rezulton të jetë mjaft i lartë.

Mirëpo, sa i përket vendimeve të marra nga qeveria si rezultat i coronavirusit, 90.80% e pjesëmarrësve e konsiderojnë të arsyetueshme vendimin e qeverisë për t’i vendosur në karantinë komunat në të cilat është lajmëruar se ka persona të diagnostifikuar me COVID-19.

Mirëpo përveç këtyre komunave, në karantinë po konsiderohet edhe e tërë Kosova e rreth kohëzgjatjes së kësaj ka pasur mendime të ndryshme në sondazh. Disa mendojnë se periudha e karantinës do të zgjas së paku 1 javë (8.71%), së paku 2 javë (28.08%), së paku 3 javë (19.57%), së paku 1 muaj (21.37%) dhe më shumë se 1 muaj (22.27%).

Gjithashtu, në bazë të përgjigjeve të marra, pjesëmarrësit janë deklaruar se ata janë më të kujdesshëm sa i përket daljeve në qytet. Pjesa më e madhe (69.99%) janë shprehur se dalin në qytet vetëm kur është e nevojshme për dallim prej atyre që shprehin se nuk dalin asnjëherë (18.53%) dhe prej atyre që janë shprehur se dalin sa herë që dëshirojnë (11.48%).

Prej atyre që kanë pohuar që dalin në qytet, 45.93% janë shprehur se gjithmonë e mbajnë distancën prej 1 metër ndaj të tjerëve për tu mbrojtur nga coronavirusi.Po ashtu, sa i përket vizitave, pjesëmarrësit kanë raportuar se janë mbrojtur nga coronavirusi duke i ndaluar vizitat te të tjerët, më saktësisht 53.04% nuk e kanë vizituar askënd.

Në po të njëjtën mënyrë as nuk janë vizituar nga askush (47.03). Për dallim prej këtij grupi të personave, tek pjesëmarrësit e tjerë është vërejtur se numri i vizitave mes familjarëve është më i pranishëm sesa mes shoqërisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat