Rastet me koronavirus në Podujevë, të infektuar për Bajram dhe një erdhi nga Austria - Bota Sot
Rastet me koronavirus në Podujevë, të infektuar për Bajram dhe një erdhi nga Austria

Kosova

Rastet me koronavirus në Podujevë, të infektuar për Bajram dhe një erdhi nga Austria

Më: 2 qershor 2020 Në ora: 09:44
Foto ilustrim

Pas më shumë se një muaji, Podujevës i janë rikthyer rastet me koronavirus. Mbrëmë atje janë konfirmuar pesë raste të reja, katër prej të cilave janë infektuar shkaku i vizitave për Festën e Bajramit. Detaje rreth burimit të infeksionit dhe moshës së të infektuarve ka dhënë specialistja Bedrie Rama, e cila është pjesë e Shtabit Emergjent në këtë komunë.

Në një prononcim, Rama ka treguar se katër persona janë infektuar shkaku i një vizite që u ka bërë një familjar nga Prishtina, për Festën e Bajramit, derisa i infektuari i pestë ka ardhur para dy ditësh nga Austria.

“Në Podujevë nuk kemi pas raste të reja prej 20 prillit, deri mbrëmë kur u konfirmuan pesë raste. Katër rastet në Dobërdol janë infektuar nga një familjar i tyre që jeton në Prishtinë, i cili ka shkuar për vizitë për Festën e Bajramit. Rasti i pestë është një 82-vjeçar që ka ardh para dy ditësh përmes Merdares nga Austria”, ka thënë Rama.

Sipas Ramës, sot nuk do të ketë testime, meqenëse ende nuk e kanë përfunduar listën me personat që kanë pasur kontakt me të infektuarit. Ajo ka treguar edhe për moshën e të infektuarve.

“Aktualisht jemi duke i gjurmuar personat që kanë pasur kontakt me të infektuarit, edhe pse ata po thonë që për dy muaj kanë qenë të mbyllur dhe se nuk kanë pasur kontakte me njerëz. Sot nuk e besoj që do të ketë testime, por vetëm do të krijohet lista me personat që kanë pasur kontakt. Mosha më e re e të infektuarit është një 15-vjeçar, derisa më i vjetri një 82 vjeçar”, ka thënë Rama.

Ndryshe, mbrëmë në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 172 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, 27 prej të cilave kanë rezultuar positive.

Rastet pozitive janë raste kontakti nga Vushtrria, Podujeva, Fushë Kosova dhe Mitrovica.

Nga konfirmimi i rasteve të para më 13 mars e deri sot, janë konfirmuar 1 mijë e 110 raste me COVID-19, me gjithsej 30 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

“Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke i obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome”, thuhet në njoftimin e IKSHP’së.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat