Me rastin e shënimit të 21-vjetorit, Ditës së Çlirimit të Komunës së Drenasit, është mbajtur seanca solemne e Kuvendit të Komunës dhe janë bërë homazhe në të gjitha varrezat e dëshmorëve.
Nënkryetari i Komunës, Nazmi Hasi, tha se 14 Qershori është një datë historike, e cila na kujton shpresën për jetë e liri të kërkuar me shekuj.
“Sot kujtojmë heroizmin e familjes Jashari, luftën e shenjt çlirimtare të komandantit legjendar Adem Jashari e bashkëluftëtarëve të tij, kujtojmë masakrat mbi civilët në Qirez e Likoshan, Abri, Izbicë, Rezallë, Reçak, Studime, Dubravë, Krushë e Madhe, Has e masakra të tjera mbi popullin e pafajshëm e liridashës shqiptar,” ka thënë nënkryetari Hasi.
Pas përfundimit të seancës solemne, nënkryetari Hasi, kryesuesi i Kuvendit, Labinot Halilaj, anëtar të Kuvendit dhe drejtorë të drejtorive komunale, kanë bërë homazhe në sheshin “Fehmi Lladrovci” pranë shtatoreve të heronjve, Fehmi e Xhevë Lladrovci, Shaban, Hamëz e Adem Jashari, Rasim Kiqina, Bedri Shala, Ilaz Kodra.
Homazhe janë bërë edhe në Kompleksin Memorial ‘Adem Jashari’ në Prekaz, Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Marinë dhe varrezat e dëshmorëve në Gllanasellë, Likoshan, Çikatovë e Vjetër, Baicë, Abri, Tërdec, Gllobar, Tërstenik, Vërboc, Shtuticë, Negroc, Krajkovë, Damanek, Shtrubullovë, Poklek i Vjetër dhe Nekoc.