Gjilani me 71 raste aktive me koronavirus, Haziri apelon qytetarët për kujdes maksimal - Bota Sot
Gjilani me 71 raste aktive me koronavirus, Haziri apelon qytetarët për kujdes maksimal

Kosova

Gjilani me 71 raste aktive me koronavirus, Haziri apelon qytetarët për kujdes maksimal

Më: 30 qershor 2020 Në ora: 15:18
Lutfi Haziri

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka bërë të ditur se edhe 71 raste pozitive me koronavirus vazhdojnë të jenë aktive në vendin të cilin e drejton.

I pari i Gjilanit në takimin e mbajtur sot me Komitetin e emergjencave, ka apeluar në vazhdimësi për kujdes maksimal të qytetarëve ndaj sëmundjes Covid-19.

“Komiteti i emergjencave për menaxhimin e pandemisë, në takimin e rregullt ka bërë vlerësimin e gjendjes në 24 orët e fundit dhe konfirmohet se gjendja është nën kontroll. Deri më tani Gjilani ka 169 persona që testi i tyre ka rezultuar pozitiv nga 1449 teste që janë bërë. Prej këtyre të dhënave zyrtare, kemi fatkeqësisht 3 të vdekur, 95 të shëruar dhe 71 raste aktive”, ka thënë kryetari Haziri.

Ai tutje ka shtuar se institucionet shëndetësore janë në kujdestari 24 orë-she për menaxhimin më të mirë të mundshëm të shëndetit publik dhe përballjen me pandeminë, për çka ka thënë se duhet ngritur edhe më tej vendosmëria qytetare për përdorim të masave mbrojtëse.

“Institucionet shëndetësore dhe emergjencat civile, po punojnë vazhdimisht në parandalimin e përhapjes së sëmundjes COVID-19 dhe kërkojmë që qytetarët të shtojnë kujdesin dhe të gjithë ata që kanë simptoma të lehta apo që dyshojnë në infektim me sëmundjen COVID-19, duhet të lajmërohen në institucionet shëndetësore për të hyrë në proces të testimit dhe diagnostifikimit si masë”, ka thënë ai. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat