Komuna e Istogut favorizon disa biznese, nuk u merr para për shfrytëzimin e pronës komunale

Kosova

Komuna e Istogut favorizon disa biznese, nuk u merr para për shfrytëzimin e pronës komunale

Më: 22 gusht 2020 Në ora: 23:02
Komuna e Istogut

Toka komunale rëndom jepet në shfrytëzim të subjekteve të ndryshme me pagesë nëpërmjet një ankandi publik dhe pastaj me votim që ndodhë në Asambletë komunale. Por, disa nga Komunat e Kosovës me vite të tëra po i lejojnë disa subjekte që të shfrytëzojnë pronën komunale pa asnjë kompensim. Kësisoj komunat po humbin mijëra euro.

Që disa vite pronat komunale në Istog po përdoren pa kontratë nga disa biznese.

Rregullorja për përcaktimin e procedurave të dhënies në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme, obligon komunën që dhënien në shfrytëzim afatshkurtër të pronës së paluajtshme ta bëjë përmes procedurës së ankandit publik. Po ashtu, Ligji për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme komunale 06/L-092”, neni 23 pika 1 cek: ”Pas përfundimit të afatit të përcaktuar në kontratën për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të komunës, prona i kthehet komunës”.

Zyra kombëtare e Auditorit në raportin e publikuar për pasqyrat financiare të vitit 2019 për Komunën e Istogut ka konkloduar se, në vitin e kaluar menaxhimi i pronave të komunës të dhëna në shfrytëzim me karakter të përkohshëm mbetet sfide për Komunën nga fakti se 41 qiramarrës kishin borxhe të pashlyera.

Sipas ZKA-së, vlera e borxhit të pa mbledhur prej 13,930 euro, daton nga viti 2008 deri në fund të vitit 2019.

ZKA, ka theksuar se në vitin 2012, komuna përmes ankadit publik kishte dhënë në shfrytëzim tokën në Zonën industrialë Sinaj Istog, për të cilën deri më tani nuk ka arritur të mbledhë borxhet.

“Katër kompani të cilat operojnë në këtë zonë nuk i kishin përmbushur obligimet tyre në vlerë totale prej 14,180 euro, ky borxh është evidentuar nga komuna deri në vitin 2016. Ndërsa zyrtaret komunal nuk kanë informata se këto parcela vazhdojnë të shfrytëzohen nga qiramarrësit dhe nuk posedojnë të dhëna tjera për borxhin nga viti 2016-2019. Komuna nuk ofron dëshmi për aktivitetet e ndërmarra për mbledhjen e borxhit, pas vitit 2016”, thuhet në raportin e ZKA për komunën e Istogut e cila drejtohet nga kryetari Haki Rugova.

Po sipas ZKA, për kundër faktit se ka borxhe të pashlyera të njëjtit (qiramarrësit) vazhdojnë të shfrytëzojnë pronat e komunës.

“Kjo situatë vjen si pasoj e neglizhencës nga zyrtaret e drejtorive përkatëse për aplikimin e masave (për shkëputjen e kontratave apo dërgimit në përmbarim), të parapara me dispozita ligjore dhe me kontrata në rastet kur tatimpaguesit nuk i përfillin rregullat të cilat kanë përcaktuar të drejtat, obligimet dhe përgjegjësitë e dy palëve”, thuhet tutje në raport.

Por, ky favorizim nuk ndodhë me të gjitha bizneset, pasi shumica nga to paguajnë qira për pronën e shfrytëzuar komunale.

Mungesa e kontrollit efikas në menaxhimin e të hyrave nga pronat komunale të dhëna në shfrytëzim do të ndikoj në një shkallë të ulët të arkëtimit dhe akumulimi i vazhdueshëm i tyre si llogari të arketueshme rrit rrezikun e vjetërsimit të kërkesave. Gjithashtu, edhe operimi me kontrata të skaduar privon komunën nga e drejta për arkëtimin e të hyrave dhe ndjekjen e procedurave gjyqësore në raste të mos inkasimit të kërkesave me kohë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat