Një muaj paraburgim ndaj pronarit të kazinosë në Karaçevë

Kosova

Një muaj paraburgim ndaj pronarit të kazinosë në Karaçevë

Më: 28 shtator 2020 Në ora: 12:38
Foto ilustrim

Pronarit të kazinosë “Automate Club”, D.H që ndodhej në Karaçevë i është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Kështu bëhet e ditur në komunikatën e lëshuar nga Gjykata Themelore në Gjilan.

“Ekziston dyshimi i bazuar se prej muajit shtator 2019 e deri me datë 18 shtator 2020, në lokalin “Automate Club”, e cila ndodhej në zonën kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, përkatësisht në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës, i pandehuri, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror e në kundërshtim me Ligjin e lojërave të fatit 06/L-155, në mënyrë të kundërligjshme ka organizuar lojërat e fatit, ashtu që ekzistojnë rrethana të mjaftueshme për të treguar se nëse i pandehuri gjendet në liri, i njëjti do ta përsërisë veprën penale apo mund të kryejë ndonjë vepër tjetër penale”, thuhet në komunikatën për media.

Ndërkohë që thuhet se me këto veprime të pandehurit dyshohet të ketë kryer veprën penale “organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, ndërsa masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat