Drejtori i Neurokirurgjisë dërgohet në Komision Disiplinor

Kosova

Drejtori i Neurokirurgjisë dërgohet në Komision Disiplinor

Më: 24 qershor 2021 Në ora: 06:07
Foto ilustrim

Drejtori i Klinikës së Neurokirurgjisë në QKUK, Arsim Morina, është dërguar në Komision Disiplinor nga kreu i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi.

Deri te kjo erdhi për shkak të vendimit të Inspektoratit Shëndetësor që javë më parë ka konstatuar se Morina ka bërë shkelje në rastin referues për trajtim jashtë vendit me arsyetimin që nuk ka neuro-anesteziolog.

I pari i SHSKUK-së bëri me dije se komisioni do të veprojë konform të gjeturave, teksa vetë neurokirurgu Morina ka treguar për Klan Kosovën se nuk është në dijeni për këtë veprim ngase është në pushim vjetor.

Mirëpo, i njëjti e ka kundërshtuar vendimin e inspektoratit për gjobën prej dy mijë eurosh, për të cilën ka adresuar edhe një ankesë tek Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia dhe tek Inspektorati Shëndetësor.

Në ankesë thuhet se vendimi është tendencioz, ku Morina kërkon shfuqizimin e këtij vendimi dhe kompensimin e dëmit moral dhe monetar.

Kujtojmë që gjatë hulumtimit, Morina i kishte paralajmëruar drejtorin Valbon Krasniqi dhe ish-ministrin Armend Zemaj që ta rikthejë në punë pas pensionimit neuro-anesteziologen Qamile Morina e cila është edhe bashkëshortja e tij, ose të gjitha rastet me patologji të rënda do t’i referojë jashtë vendit me arsyetim që është e vetmja anesteziologe e profilizuar për të tilla raste.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat