​PDK e konsideron me një mori shkeljesh Marrëveshjen ndërkombëtare për arsim

Kosova

​PDK e konsideron me një mori shkeljesh Marrëveshjen ndërkombëtare për arsim

Më: 6 dhjetor 2021 Në ora: 13:22
Kuvendi i Kosovës

Ani pse në radhën e parë të votimit nuk ka marrë vota të mjaftueshme Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet MASHTI-t dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim për zbatimin e Projektit “Hulumtimi dhe shkencat e aplikuara në arsimin e lartë + (HERAS+), në votimin e dytë, me 81 vota e njëjta ka kaluar.

Përkundër që e votuan këtë projektligj, shefi i GP të PDK-së, Abelart Tahiri tha se për këtë pikë ka një mori shkeljesh pasi që veçse ka filluar miratimi i marrëveshjes pa u ratifikuar në Kuvend.

Tahiri: Ka një mori shkeljesh

“Konsideroj që në implementimin e kësaj marrëveshje duket se janë një mori shkeljesh dhe si GP i PDK për hir të korrektësisë dhe raporteve të mira që kemi me Qeverinë Austriake dhe mbështetjen e vazhdueshme që kemi pasur, ne do të bëjmë përjashtim dhe do ta votojmë këtë marrëveshje. Mirëpo, prej procedurave që nuk është respektuar në radhë të parë nuk është marrë pëlqim nga Ministria e Punëve të Jashtme, që është anashkaluar për një projekt të tillë e deri te fillimi i shpenzimit të mjeteve që nuk është dashur me ndodhur pa u ratifikuar në Kuvendin e Kosovës”, tha ai.

Për këtë sqarime ka dhënë ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila tha se deputeteve u ka dërguar njoftime te shefat e Grupeve Parlamentare lidhur me dyshimet për projektin në fjalë.

Sipas saj ky projekt është vazhdimësi e projekteve të Heras+. Ajo ka thënë se buxheti i këtij projekti është 2 milionë e 800 mijë euro.

Ajo tha se nuk ka pasur ndonjë shkelje.

Nagavci: Nuk ka pasur shkelje

“Projekti HERAS+ është vijimësi e projektit HERAS, i cili ka filluar të zbatohet vite më parë. Projekti aktual HERAS+ kap vlerën prej 2 milionë e 800 mijë euro, prej tyre 2.5 milionë janë donacion ose ndihmë nga partnerët tanë austriak, ndërsa janë vetëm 300 mijë euro nga Buxheti i Kosovës… Pavarësisht kësaj ne nuk konsiderojmë se ka pasur ndonjë shkelje pasi projekti ishte financuar me fondet e shtetit të Austrisë. Zbatimi i Heras+ ka filluar në qershor të vitit 2020 ende pa qenë ne në Qeveri, por ne e kemi shprehur përkushtimin që të vazhdojmë implementimin e këtij projekti duke parë se është i rëndësishëm për arsimin e lartë”, theksoi Nagavci.

Ndërsa, pa ndonjë debat Kuvendi i Kosovës, me 84 vota për, asnjë kundër, ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e amandamentimit të Marrëveshjes ndërkombëtare me Bankën Evropiane për Investime (BEI), për financimin e Projektit për rehabilitimin e linjës hekurudhore 10. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat