​Kosova e Izraeli bisedojnë për rritjen e bashkëpunimin në shëndetësi

Kosova

​Kosova e Izraeli bisedojnë për rritjen e bashkëpunimin në shëndetësi

Më: 13 prill 2022 Në ora: 13:57
Foto nga vizita

Ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi së bashku me ministrin për Bashkëpunim Regjional nga Izraeli, Esawi Freji dhe ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal Elbert Krasniqi vizituan sot Shërbimin Spitalor të Kosovës, përkatësisht Klinikën e Pediatrisë.

Në këtë takim, ministri Latifi e informoi ministrin e Izraelit Freji, për sistemin shëndetësor të Kosovës, në theks të veçantë për shërbimet në Klinikën e Pediatrisë.

Latifi u shpreh i gatshëm për të bashkëpunuar me Qeverinë e Izraelit, pasi që të dy vendet kanë marrëdhënie të mira ndërshtetërore, ndërsa veçoi mbështetjen e Izraelit për shërimin e fëmijëve kosovarë.

Deri më tani, janë 6 fëmijë nga Kosova të cilët janë kuruar në Izrael, dhe për këtë ministri Latifi, u shpreh se është mirënjohës për një kontribut të tillë.

Njëherësh, ministri Latifi e falënderoi shtetin e Izraelit për kontributin e dhënë në përmirësimin e sistemit shëndetësor të Kosovës, duke thënë se pret që në të ardhmen ky bashkëpunim të intensifikohet në kuptim të shkëmbimit të përvojave të mjekëve dhe infermierëve dhe avancimit të shkathtësive të tyre klinike.

Ndërsa, ministri izraelit Esawi Freji tha se Qeveria e Izraelit, e ka në prioritet bashkëpunimin dhe mbështetjen e Kosovës, duke i vlerësuar si të rëndësishme raportet miqësore dhe bashkëpunimin korrekte në mes dy vendeve, sidomos për shërimin e fëmijëve nga sëmundje që nuk mund të trajtohen në Kosovë.

“Jemi të gatshëm si kurdo herë që të kontribuojmë në përmirësimin jo vetëm të infrastrukturës shëndetësore, por edhe më përgatitjen e kuadrove shëndetësore kosovare”, tha ministri Freji.

Pjesë e këtij delegacioni ishte edhe Simon Fisher, drejtor ekzekutiv i organizatës “Save the Child Hart”, i cili deklaroi se fëmijë të tjera nga Kosova do të shërohen në Izrael, për probleme të ndryshme shëndetësore.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal Elbert Krasniqi, falënderoi Qeverinë dhe shtetin e Izraelit për të gjithë mbështetjen dhe kontributin e dhënë për Kosovën. Ndërsa, drejtori i SHSKUK-së Valbon Krasniqi, shprehu konsideratën e tij për delegacionin nga Izraeli, duke shpresuar në bashkëpunim të vazhdueshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat