Kurti: Fajin Serbia, përgjegjësinë Qeveria e Kosovës - Bota Sot
Kurti: Fajin Serbia, përgjegjësinë Qeveria e Kosovës

Kosova

Kurti: Fajin Serbia, përgjegjësinë Qeveria e Kosovës

Më: 20 janar 2013 Në ora: 13:48

Fajin për heqjen në mënyrë të dhunshme të lapidarit të UCPMB-së nga oborri i Kuvendit Komunal të Preshevës nga xhandarmëria e Serbisë e mban Serbia, ndërsa përgjegjësinë për heqjen e këtij lapidari e mban Qeveria e Kosovës.

Kështu pohoi lideri i Lëvizjes Vetëvendose, Albin Kurti në mbledhjen e shtatë të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, ku dhe paraqiti alternativen qeverisëse të kësaj lëvizjeje.

Fjalimi i Albin Kurtit në Mbledhjen e shtatë të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Të dashur aktivistë,

Të nderuar delegatë të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!,

Mirë se e gjejmë njëri tjetrin në këtë mbledhje të shtatë dhe shumë të rëndësishme,

Sot në mëngjes e mora lajmin se Lapidari i Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit, në oborrin e Kuvendit Komunal të Preshevës, është hequr dhunshëm, në orët e hershme të mëngjesit, nga xhandarmëria e Serbisë. Shumë masakra dhe krime mizore që i ka bërë Serbia në shekullin e kaluar, janë kryer pikërisht në ditët e fundjavës.Kështu ndodhi edhe tash, sepse regjimi atje është i njëjtë dhe qëllimi e qëndrimi i atij regjimi është po ashtu i njëjtë.Jo vetëm kundër pavarësisë, por edhe antishqiptar.Përderisa fajin për heqjen e këtij lapidari, që shënon edhe kryengritjen edhe kujtesën tonë e mban Serbia, përgjegjësinë për heqjen këtij lapidari e mban Qeveria e Kosovës. Çështja e Kosovës Lindore u kufizua në komunën e Preshevës, për t’u kufizuar në Lapidarin e UÇPMB-së dhe më tutje për t’u kufizuar në mbrojtjen e këtij lapidari vetëm me datën 17 janar, kur u bë një mobilizim me entuziazëm gjithëshqiptar.

Duke dialoguar pa kushte me Serbinë, kryeministri i Kosovës ka ngjallur iluzione se Serbia do të ndryshojë përmes këtij dialogu. Ndërkaq, duke dialoguar për çështje të brendshme të Kosovës, Qeveria e Kosovës e ka inkurajuar dhe e ka trimëruar Serbinë e Daçiqit.

Lëvizja VETËVENDOSJE! e thekson edhe njëherë, se ky dialog pa kushte për Serbinë e për çështje të brendshme të Kosovës, do ta rrezikojë dhe do ta dëmtojë Kosovën dhe popullin shqiptar. Prandaj, ne edhe njëherë themi që sot, kur shënohet një vjetori i rezolutës së shëmtuar të PDK-së kundër reciprocitetit me Serbinë, duhet që të gjithë të dalim e të mendojmë se rruga e negociatave dhe e pazareve me Serbinë, është rrugë e Serbisë. Dhe kjo rrugë e Serbisë rezultoi edhe me fondin zhvillimor për veriun e Kosovës, ku të ardhurat që mblidhen në kufi do t’i dedikohen veriut të Kosovës, ndërkohë që dihet se sipas një organizate gjermane, në një studim të bërë para disa viteve, të ardhurat mesatare mujore për kokë banori në veri të Mitrovicës janë 93 euro, ndërkaq në jug të Mitrovicës janë 37 euro. Pra, serbët në veri të Mitrovicës jetojnë dy herë e gjysmë më mirë, se sa shqiptarët në jug të Mitrovicës. Me këto politika të kësaj qeverie, këta thua se po dëshirojnë që veriun e Mitrovicës ta bëjnë Hong Kong, e shqiptarët në jug të Mitrovicës t’i lënë si palestinezë.

Edhe njëherë ju bëjmë thirrje qytetarëve të Kosovës, që ta kuptojnë se kjo qeveri nuk ju shërben interesave të përgjithshme, dhe ashtu sii ka braktisur shqiptarët në Mitrovicë, i ka braktisur edhe shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanovc.

Me Lëvizjen VETËVENDOSJE! shteti i Kosovës nis me idenë e republikës. Ne e shohim shtetin si Republikë dhe ne e duam shtetin si republikë. Republika na mundëson që të jemi qytetarë me të drejta, punëtorë me mirëqenie, njerëz të arsimuar dhe banorë të shëndetshëm.

Sot do ta miratojmë Alternativën Qeverisëse të Lëvizjes VETËVENDOSJE!është Alternativa e Lëvizjes sepse VETËVENDOSJE! është alternativa. Kjo Alternativë është për popullin e Republikës së Kosovës dhe kundër kaosit strategjik që mbretëron në Kosovë.Kemi kaos sepse kemi këtë qeveri që sundon. Dhe, ky kaos është strategjik sepse kemi neoliberalizmin që dominon.

Alternativa Qeverisëse është një përpjekje serioze për ta bërë politikën tonëpërgjegjëse ndaj qytetarit dhe për ta përkufizuar atë në mënyrë të arsyeshme.Është hera e parë që një forcë politike prodhon një dokument të tillë, si për nga serioziteti, ashtu edhe për nga thellësia dhe qëllimi.

Ky programi yni ka tre shtylla, Shtetin e së Drejtës, Zhvillimin e Qëndrueshëm Ekonomik, dhe Mbrojtjen Sociale. Këto tre shtylla shprehen në 20 kapitujt e programit tonë, të cilat janë shkruar prej ekspertëve dhe njerëzve të përfshirë në sektorët e ndryshëm të shoqërisë.

Shteti i së Drejtës, në konceptimin tonë, fillon prej aktualizimit të vetëvendosjes, prej kushtetimit modern e të shtetit tonë, ku Sovran duhet të jetë populli, si në gjithë shtetet demokratike.Shteti i së drejtës duhet të jetë republikan, dhe Republika duhet të jetë vlera më e lartë politike.Ajo simbolizon të përbashkëtën, terrenin e vetëm ku garantohet edhe liria e përgjegjësia e individuales.

Ky shtet i shumicës është i vetmi që mund të garantojë të drejtat e pakicave në kuptimin modern evropian të fjalës. Çdo shtet i pakicës, qofshin ata politikanëshqiptarëqë u bënë multimilionerë, qofshin ata burokratë ndërkombëtarë me fuqi ekzekutive e imunitet prej ligjit, qofshin ato përfaqësues tëpakicave kombëtare me të drejtë vetoje bllokuese, pra çdo shtet i pakicës sikurseky që kemi sot, është pengesë për demokracinë dhe funksionimin si në drejtësi, po ashtu edhe në ekonomi e shoqëri.

Vetëm përmes sendërtimit të plotë të shtetit të së drejtës në Kosovë, vetëm përmes kushtetimit të plotë të sovranitetit të popullit do të mund të realizohen synimet tona të mëdha, si ato për zhvillim të gjithmbarshëm gjithashtu edhe ai për bashkim kombëtar. Bashkimi kombëtar nuk do të thotë heqje dorë nga shteti i Kosovës por do të thotë funksionalizim e realizim i tij, e më pas edhe tejkalim progresiv i tij.

Ndërtimi e funksionimi i plotë i shtetit të Kosovës kalon përmes ndërtimit të ushtrisë dhe policisë së Kosovës, që do të jenë në gjendje të kontrollojnë territorin dhe të garantojnë sigurinë e shtetit dhe të qytetarëve. Përmes bashkimit me Shqipërinë, do të synohet edhe integrimi në NATO.

Në Kosovë, barrën e shtetit e mbajnë të varfërit dhe klasa e mesme. Qoftë kjo përmes TVSh-së së sheshtë, me crast cereku i secilës kafshatë shkon në buxhetin që qeveriset prej politikanëve multimilionerë, ose përmes tatimit në të ardhura qëështë 0, 4, 8 e 10 përqind që i godet më së shumti shumicën e cila merr paga mesatare apo aty rreth saj.Të varfërit dhe klasa e mesme financojnë pjesën më të madhe të buxhetit por nuk e përfitojnë pjesën më të madhe në këtë sistem ku paga ka kosto të ultë dhe nuk ka sigurime shëndetësore e të tjera. Me tatime në të ardhura personale dhe aso të korporatave që përbëjnë vetëm 10% të të hyrave në buxhet ne nuk do të arrijmë të kemi ekonomi në funksion të shoqërisë.

Shtresa e varfër dhe shtresa e mesme paguajnë shumicën e buxhetit por përfitojnë pakicën e buxhetit. Prandaj, Alternativa jonë thotë: TVSh zero për bukën, vajin, miellin, kripën, qumështin, sheqerin, librat. Ndërsa për produktet që konsiderohen si më luksoze dhe më të panevojshme TVSh do të rriten deri në shkallë prej 20 për qind, në nivel me shumë shtete të Bashkimit Evropian. Progresioni i tatimeve do të jetë nga 0% për paga minimale, në 5% deri në trefishin e pagës minimale, 10% deri për pesëfishin e pagës minimale, 20% deri për dhjetëfishin, dhe 30% për mbi njëzetfishtin e pagës minimale. Pra, për pagat 0-170 Euro, tatimi në të ardhura duhet të jetë 0%; Për pagat 170-500 Euro, tatimi në të ardhura duhet të jetë 5%; Për pagat 500-850 Euro, tatimi në të ardhura duhet të jetë 10%; Për pagat 850-1700 Euro, tatimi në të ardhura duhet të jetë 20%; kurse, për pagat mbi 1700 Euro, tatimi në të ardhura duhet të jetë 30%.

Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik në programin tonë nuk është një dogmë.Ne nuk e kemi kufizuar mendimin tonë praktik në ideologji të mbyllura, apo në teori laboratoresh. Përmes studimit të shembujve të suksesshëm dhe të teorive që vijnë prej shkollave të ndryshme ne kemi ndërtuar një alternativë qeverisëse të bazuar mbi këto besime:

1. Ekonomia e një shoqërie dhe njëkombi, që të zhvillohet, ka nevojë për publiken dhe për privaten. Në Kosovë gjer më sot ka patur privatizim të egër dhe shkatërrim të publikes.Ky raport duhet të ndërrojë, që publikja e privatja të jenë të balancuara.

2. Një ekonomi pa prodhim, është një ekonomi e varur dhe e shfrytëzuar. Nuk ka zhvillim të qëndrueshëm pa prodhim.Sektorët e tjerë të ekonomisë, tregtia, financat e shërbimet, duhet të jenë sektorë mbështetës, komplementarë ndaj sektorit prodhues qëështë bartës i zhvillimit.

3. Sektorë strategjikë si energjia, pasuritë e nëntokës, etj. duhet të mbeten në pjesë dominuese të kontrolluara nga shteti. Po ashtu, në rastin e monopoleve natyrore, këto është më mirë të jenë publike sesa private.

4. Ekonomia duhet të ketë si synim jo vetëm rritjen në volum, por edhe zhvillimin e shoqërisë, mirëqenien e përgjithshme dhe individuale, dhe shpërndarjen sa më të drejtë, në aspektin gjeografik, shtresor etj.

5. Zhvillimi ekonomik nuk mund të realizohet vetëm përmes politikave qeveritare. Kjo alternativë kërkon angazhim qytetar, dhe optimizëm.

6. Integrimi ekonomik nuk duhet të jetë synim në vetvete, por mjet për zhvillimin ekonomik dhe rritjen e mirëqenies. Secili hap i integrimit ekonomik duhet të jetë i matur, për të mbrojtur interesat e ekonomisë vendore.

7. Integrimi ekonomik nuk mund të ndodhë me sukses pa u kryer integrimi i plotë ekonomik mes shqiptarëve.

Shtylla e tretë e Alternativës Qeverisëse nuk është më pak e rëndësishme se dy të parat. Zhvillimi dhe drejtësia nuk mund të realizohen plotësisht nëse nuk rezultojnë në një shtet që përkujdeset për secilin banor.

Arsimi publik duhet të jetë falas, cilësor, dhe i mbërritshëm nga cilido qytetar.Arsimi privat duhet t’i nënshtrohet të njëjtave standarde cilësore. Nuk do të jepen më diploma të pamerituara, dhe shkollat do të shërohen nga partizimi i stafit, që e ka ulur cilësinë e arsimit. Për shkollat fillore do të synojmë përgatitjen e një stafi cilësor, ndërsa do të tërheqim dhe studentët e magjstraturave dhe doktoraturave, që për një kohë të caktuar të japin mësim në shkollat e mesme të Kosovës. Nxënësit e ciklit të ulët të fillores do të kenë një shujtë falas, pasi askush nuk mund të mësojë me sukses nëse është i uritur. I takon sistemit arsimor që të edukojë fëmijtë nëpërmjet kultivimit të solidaritetit dhe jo vetëm konkurrencës.

Shëndetësia publike ka nevojë urgjente për ndërhyrje strukturale.Së pari, do të funksionalizojmë skemën e sigurimeve shëndetësore.Së dyti, do të përmirësojmë cilësinë e shërbimit, përmes ndërtimit të databazës së përgjithshme dhe sistemit informativ shëndetësor. Po ashtu do të ndërtohet një sistem i raportimit, që të shmangen abuzimet. Sigurimet shëndetësore do të bëjnë të mundur që brenda pak viteve shëndetësia publike të jetë e fortë, dhe të mos ketë nevojë për shpenzime enorme nga buxheti i shtetit.

Në politikën tonë sociale, i kushtohet një rëndësi shumë e madhe moshës së tretë. Përmes transformimit të politikave pensionale, ne synojmë që pensionin minimal brenda katër viteve ta pesëfishojmë.Po kështu, alternativa jonë sociale parashikon ngritjen e një sistemi të qendrave sociale dhe mensave publike, ku garantohet përkujdesja për jetimët, për të moshuarit që s’kanë përkujdesje, për të rinjtë që kanë probleme me ligjin, për të varfërit e të pastrehët.

Ne i kemi përfshirë tri aspektet e rëndësishme të shtetit: atë të drejtësisë, zhvillimor dhe social. Alternativa Qeverisëse është për demokratizim të ekonomisë dhe për sovranitet ekonomik.Demokratizim, pra, edhe i ekonomisë.Sovranitet, pra, edhe ekonomik.

Përgjithësisht, po i lexove programet e partive në Kosovë, nëse arrin t’i gjesh, e kupton se ato, në të vërtetë, janë programe të fraksioneve të së njëjtës parti. Kjo është një arsye më shumë që programi qeverisës i Lëvizjes VETËVENDOSJE! të quhet Alternativë Qeverisëse. Partitë tjera kanë fraksione sepse vetë janë fraksione dhe duan monopol.Në LVV nuk ka e s’do të ketë as fraksione e as monopol.Partitë tjera nuk janë as parti. Ndërsa VETËVENDOSJE! është më shumë se parti, është Lëvizje.Partitë e ndajnë materien në pjesë.Lëvizja e shndërron materien në energji.

Ndryshimet nuk i bëjnë njerëzit që duan të kenë të ardhme më të mirë.E dini se cfarë bëjnë njerëzit që duan të kenë të ardhme më të mirë? Ata presin. Ndryshimet i bëjnë njerëzit që e duan të tashmen më të mirë.E tashmja më e mirë bëhet me lëvizjen që ndodh tash.Kjo lëvizje edhe ka edhe është vetë alternativë.

Ju faleminderit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...