Kryetari i Preshevës, Ragmi Mustafa ka thënë sonte se gjatë ditës është mbledhur grupi i unitetit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, ndërsa në mbrëmje kanë përfunduar takimet veç e veç me liderët e partive.
Ai ka thënë së në këto takime është arritur harmonizimi i qëndrimeve të të gjithë spektrit shqiptarë në Luginë.
Sipas tij, në protestën e nesërme do të bëhet të ditur të gjitha kërkesat që shqiptarët kanë për faktorin ndërkombëtar dhe atë mbarëshqiptar.
“Ne do të kërkojmë që statusi i shqiptarëve në Luginën e Preshevës të zgjidhjet një herë e përgjithmonë. Këtë do të kërkojmë nga faktori ndërkombëtar”, ka thënë Mustafa.
Sipas tij, shqiptarët atje janë në heshtje, sepse është dhunuar identiteti i tyre nga xhandarmeria serbe me vendimet e ministrisë së Drejtësisë së Serbisë.
“Shqiptarët në Luginën e Preshevës janë duke pritur se çfarë do të bëjnë ndërkombëtarët, Prishtina dhe Tirana zyrtare”, ka thënë tutje Mustafa.
Ai ka folur edhe për vendndodhjen e lapidarit, duke e quajtur kidnapim nga autoritetet e Beogradit.
“Komunikimi im me Beogradin gjatë gjithë kësaj kohe ka qenë i zbehtë, mirëpo sot përfundimisht është rrënuar dhe s’kam komunikim fare, ashtu si nuk ka asnjë nga udhëheqësit shqiptarë. Lapidari është dërguar në selinë e ministrisë së Drejtësisë në Beograd për procedura ligjore”, ka thënë Mustafa, duke shtuar se shqiptarët do të kërkojnë kthimin e tij në qendër të Preshevës.