Kosovë, për herë të parë shteti tregon forcën e tij ushtarake - Bota Sot
Kosovë, për herë të parë shteti tregon forcën e tij ushtarake

Kosova

Kosovë, për herë të parë shteti tregon forcën e tij ushtarake

Më: 17 shkurt 2013 Në ora: 08:49

(I plotësuar) Në sheshin qendror të Prishtinës u zhvillua Parada e Pavarësisë, ku parakaluan trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Policia e Kosovës dhe Agjencia e Emergjencës. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm edhe liderë nga vendet e rajonit, nga Shqipëria, Maqedonia dhe Lugina e Preshevës. Në ceremoni mori pjesë edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, kreu i PS-së Edi Rama i shoqëruar nga Blendi Klosi dhe kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako.

Gjithashtu për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë dhe festimet në çdo përvjetor, nuk është vënë re asnjë flamur kuq e zi në zbukurimet në sheshin ku u zhvillua parada.

Gjatë fjalës së saj në ceremoni Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga tha se sot është dita për të kujtuar të gjithë ata që luftuan dhe punuan për krijimin e shtetit të Kosovës

“Të gjithë këtyre njerëzve që luftuan për një shtet të lirë dhe një shtet të barabartë dhe në shërbim të qytetarit. Republika e Kosovës është një kontribuuese e madhe për stabilitetin në rajon me synimin për anëtarësim në mekanizma euro-atlantik. Ne po ndërtojmë një vizion të ri për vendin tonë, një vizion për të ardhmen euroatlantike. Ne po punojmë që Kosova të bëhet vend anëtar i Bashkimit Europian në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Jahjaga.


Presidentja theksoi se Republika e Kosovës i ka të gjitha kapacitet që të jetë një vend i hapur për anëtarësim në NATO, ndërsa ka lavdëruar FSK-në duke e cilësuar atë si njërin prej forcave më kyçe në sigurinë e Kosovës.
Ndërkohë, zëvendës/ambasadorja e Shteteve të Amerikës në Kosovë, Kelly Degnan tha se Kosova ka bërë përparime të mëdha në fushën e sigurisë duke vlerësuar përparimin e FSK-së. Ajo po ashtu ka përcjellë edhe urimet e presidentit të SHBA-ve, Barack Obama për pavarësinë e Kosovës.
“ShBA është krenare që ka ndihmuar FSK-në sidomos gjenerali i Ioëa-s të cilat janë trajnuar së bashku. SHBA dhe Kosova kanë shumë projekte së bashku dhe një prej këtyre shembujve është ky bashkëpunim dhe trajnimit të nënoficerëve të Kosovës dhe ne do të vazhdojmë që kemi një bashkëpunim të këtillë”,- ka thënë zëvendës/ambasadorja.


Ajo po ashtu ka vlerësuar Policinë e Kosovës të cilët kanë instaluar një polici shumë etnike dhe të reagimit të shpejtë dhe njëjtë ka bërë edhe Forcat e Sigurisë së Kosovës përderisa ka shtuar se SHBA do të vazhdojë që ta ndihmojë këto forcat të reja përderisa inkurajon që të kenë edhe pjesëtarë të komuniteteve të tjera në to.
Ndërkaq kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi tha se liria e popullit të Kosovës ishte ëndërr e shumë kosovarëve për vite të tëra, e cila u bë realitet përmes sakrificave të mëdha.
“Liria e Kosovës ishte një ëndërr e shumë paraardhëseve tonë. Sot fëmijët e tonë jetojnë të lirë. Andaj falënderimi i madh shkon tek qytetarët e Kosovës të cilët kanë bërë që ne te jemi sot këtu. Shprehim respektin për ish – Ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sot Kosova ka përparuar në shumicën e sferave, të ligjit, ekonomik por edhe në sfera të saj”, tha kryeministri Thaçi.
“Ne ende duhet ta zhvillojmë Kosovës që ajo të ecë dhe të bëhet një shtet bashkëkohorë të integruar në procese euroatlantike dhe qytetarët tonë e meritojnë këtë. Ne do ta bëjmë kë këtë, tha kryeministri Hashim Thaçi.





Kosova feston sot 5-vjetorin e Pavarësisë

Kosova sot është në festë. Kryeqyteti është dekoruar me flamurin e shtetit të Kosovës, me flamuj kombëtar, si dhe të vendeve që e kanë njohur Kosovën. Shumë qytetarë tashmë kanë nisur të festojnë 5-vjetorin e shtetit të Kosovës. Ndërsa në orën 12:00, do të fillojë parada e parakalimit të trupave të FSK-së dhe Policisë së Kosovës. Në orën 15:00, Kuvendi i Kosovës mbanë seancë solemne.

Në seancën solemne pritet të ketë mysafirë nga shtetet fqinje. Për t’i akomoduar sa më mirë ata, deputetët e Kuvendit të Kosovës ka gjasë që të mos i zënë ulëset e tyre, pasi të ftuar janë afro 140 mysafirë.

“Morëm vendim që për shkak se hapësira jonë është e kufizuar në sallën e deputetëve të lejohet mundësia që deputetët nga Shqipëria, Maqedonia dhe nga Mali i Zi të ulen në pjesën e sallës ku ulen deputetët. Pra të krijojmë hapësirë sa më shumë që të mundemi, sepse atë ditë do të kemi mysafirë”, ka thënë kryeparlamentari Krasniqi.

Gjithashtu në të gjitha komunat e Kosovës, janë organizuar manifestime të ndryshme kulturore për të festuar 5-vjetorin e Pavarësisë së vendit. Kurse në orën 20:00, do të jetë koncerti përmbyllës, në qendër të Prishtinës.

Kosova ka shpallur pavarësinë gati dhjetë vjet pas përfundimit të luftës me Serbinë. Në 2005 patën filluar negociatat në Vjenë mes Liderëve të Kosovës dhe atyre të Serbisë. Pas dy vitesh negociata, Prishtina dhe Beogradi nuk kanë arritur të merren vesh.

Ndërmjetësi i bisedimeve, Martti Ahtisaari, propozoi Pakon e tij, në bazë së së cilës Kosova më 17 Shkurt 2008 shpalli pavarësinë.

Dy vite më vonë më 22 Korrik, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konfirmoi përmes mendimit këshillëdhënës se pavarësia e Kosovës nuk ka shkelur asnjë nen të Ligjit Ndërkombëtar. Shtetin e Kosovës e kanë njohur, afër 100 shtete.

>> Nis festa e pavarësisë

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...