Ish-zyrtari policor thotë se nuk kishte bërë asnjë keqpërdorim në rastin e tenderit me rroba në Polici

Kosova

Ish-zyrtari policor thotë se nuk kishte bërë asnjë keqpërdorim në rastin e tenderit me rroba në Polici

Më: 23 janar 2024 Në ora: 18:52
Jeton Menxhiqi

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në seancën e rigjykimit të martën, ish-zyrtari policor Jeton Menxhiqi, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, gjatë dhënies së mbrojtjes, ka deklaruar se në rastin për të cilin akuzohet, nuk kishte bërë shkelje e as keqpërdorime.

Menxhiqi tha se gjatë punës së tij 15-vjeçare në Policinë e Kosovës nuk kishte pranuar asnjëherë vërejtje e asnjë kritikë lidhur me punën e tij.

“Për aq kohë sa kam punuar aty, nuk kam bërë as më të voglën shkelje apo keqpërdorim, i cili më vihet në barrë”, deklaroi i akuzuari.

I akuzuari Menxhiqi tha se lidhur me rastin që ai po akuzohet, kishte qenë punë dytësore e tij e jo primare, ku ishte caktuar si anëtar i Komisionit në Prokurim lidhur me atë tender. Ai tha se ata kishin proceduar ashtu siç i kishte udhëzuar zyrtarja e prokurimit, Sabide Beqiri.

Po ashtu, ai tha se për shkak se ishte koha e nxehtë dhe ishte stina e verës, kishin tërhequr mostrat nga zyra me kamera që mbaheshin dhe vlerësoheshin të gjitha mostrat për të gjithë tenderët, pasi që aty kishte edhe zyrtarë tjerë që bënin vlerësimin e mostrave të tenderëve tjerë.

Sipas të akuzuarit Menxhiqi, bartjen e paketave me mostrat për vlerësim nga zyra me kamera në zyrën ku i kishin shikuar dhe vlerësuar ato, e kishte bërë ai, duke shtuar se në këtë çështje ai ishte i dëmtuar.

Pas deklarimit të tij, i akuzuari Menxhiqi shfrytëzoi të drejtën të mbrojtjes në heshtje, duke mos u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Bekim Kodraliu e as në pyetjet e trupit gjykues.

Paraprakisht, në këtë seancë u dëgjua edhe dëshmitari Viktor Mehana, i cili tha se kompania në të cilën ai ishte pronar “Artius Group”, ishte kompani pasive, ndërsa tha se ai kishte aplikuar në tenderin për rroba elegante në Policinë e Kosovës në vitin 2016-2017.

Mehana tha se pasi që tenderi ishte i pasuksesshëm, zyra e prokurimit e kishte ftuar që t’i tërheq mostrat.

Sipas tij, mostrat që i kishte tërhequr ishin ato që ai i kishte dorëzuar gjatë aplikimit, duke shtuar se kishte pasur vetëm kontakte zyrtare me zyrtarët e zyrës së prokurimit në kuadër të PK-së.

Dëshmitari Mehana tha se kishte dhënë një deklaratë më herët në Prokurori, por që nuk ishte në dijeni në çfarë cilësie kishte qenë. Por, pas ballafaqimit nga prokurori Kodraliu me atë deklaratë, ai pohoi që ishte nënshkrimi i tij në të.

Më pas, prokurori me kërkesë të trupit gjykues, tha se dëshmitari Mehana kishte qenë nën hetime lidhur me këtë rast, por që më vonë në mungesë të provave kishin pushuar hetimet ndaj tij.

Ndër të tjera, dëshmitari Mehana tha se atë kohë nuk e kishte njohur të akuzuarin Menxhiqi.

Më pas, prokurori Kodraliu e dorëzoi fjalën përfundimtare me shkrim dhe gjatë elaborimit të saj, tha se gjatë administrimit të provave ishte vërtetuar që i akuzuari Menxhiqi kishte kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Prokurori kërkoi nga gjykata që të akuzuarin Menxhiqi ta shpall fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit, duke marrë parasysh rrethana lehtësuese dhe rënduese.

Edhe mbrojtësja e të akuzuarit Menxhiqi, avokatja Shpresa Hasaj- Hyseni fjalën e saj përfundimtare e dorëzoi me shkrim, ku ndër të tjera tha se në këtë shqyrtim ishte vërtetuar se i akuzuari Menxhiqi nuk kishte kryer veprën penale për të cilën akuzohet, duke kërkuar nga gjykata që ndaj tij të shpall aktgjykim lirues.

Pas kësaj, shqyrtimi gjyqësor u shpall i përfunduar dhe në seancën e radhës pritet të shpallet aktgjykimi.

Ndryshe, i akuzuari Menxhiqi më 21 qershor 2022, ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore e Prishtinës, e cila e kishte dënuar me një vit e gjashtë muaj burgim efektiv dhe me dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratën publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 2 viteve, pas mbajtjes së dënimit me burg.

Por, kundër këtij aktgjykimi ankesë kishte ushtruar në Apel, mbrojtja e të akuzuarit Menxhiqi, si dhe Prokuroria, dhe pas shqyrtimit të ankesave, më 12 dhjetor 2022, Apeli e ktheu çështjen në rigjykim.

Ndryshe, pas një muaji e gjysmë të transmetimit të emisionit “Betimi për Drejtësi” për korrupsionin në prokurimin e Policisë së Kosovës, ku ishte përfshirë zyrtari policor Jeton Menxhiqi, Prokuroria Themelore në Prishtinë, në prill të vitit 2019, kishte ngritur aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se më 8 gusht 2017, në ndërtesën e Policisë së Kosovës në Prishtinë, i pandehuri Jeton Menxhiqi, në cilësinë e personit zyrtar, si anëtar i komisionit në tenderin “Furnizim me rroba elegante”, në numër të prokurimit 214/17/048/111, i cili përfaqësonte Drejtorinë e Hetimeve Kundër Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka shfrytëzuar detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër.

Në aktakuzë thuhet se rasti ka ndodhur në atë mënyrë që në tenderin “Furnizim me rroba elegante”, i paraparë në vlerë prej 730 mijë euro, komisioni gjatë punës në përbërje nga i pandehuri Menxhiqi, Sabide Beqiri dhe Naim Lahu, pas kontrollit kishin konstatuar se asnjëri nga operatorët ekonomikë, nga tetë sa kishin konkurruar, nuk i kanë plotësuar kushtet e parapara në tender.

Gjithnjë sipas aktakuzës, atëherë i pandehuri me qëllim që t’i bëjë të mundur operatorit ekonomik “Artius Group SHPK”, që ta fitojë tenderin edhe pse nuk i kishte plotësuar kushtet, më 8 gusht 2017 derisa ishte duke qëndruar në një zyrë me çelësin mbi tavolinë dhe në mënyrë të kundërligjshme, pa prezencën e anëtarëve të tjerë të komisionit, e në kohë të pauzës shkon në Zyrën Prokurimit merr paketën e “Artius Group”, ndërron mostrat e rrobave elegante dhe i vendos mostrat e tjera, të cilat i kishte sjellë nga jashtë me një çantë krahu dhe pas pak e kthen paketën në Zyrën e Prokurimit.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri kishte vepruar në këtë mënyrë me qëllim që “Artius Group”, të fitonte tenderin në mënyrë të kundërligjshme në vlerë prej 506 mijë e 216 euro e 20 centë.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 i Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej 6 muaj deri në pesë vjet.

Ndryshe, i pandehuri Menxhiqi, në deklaratën e tij në Prokurori, e ka shfrytëzuar të drejtën e tij dhe është mbrojtur në heshtje. Ndërsa, sa i përket mbrojtjes së të pandehurit ku i njëjti ka dhënë deklaratë në Inspektoratin Policor të Kosovës, në aktakuzë thuhet se ka qenë kontradiktor me vetveten dhe me deklaratat e dhëna nga dëshmitarët e tjerë dhe nuk ka mundur të arsyetojë veprimet e tij, respektivisht kërkimi për qëndrim në zyre gjatë pauzës pa arsye, hyrja në zyrën e prokurimit i vetëm, marrja e mostrave të tenderit.

Ndërsa, prokuroria pretendon se ekziston dyshimi i bazuar mirë dhe posedon prova të pranueshme se vepra penale është kryer nga i pandehuri, i cili mban përgjegjësi sepse ka vepruar me dashje direkte, duke konsideruar se janë manifestuar elementet e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ndryshe, Jeton Menxhiqi njihet si polici, i cili së bashku me zyrtarin tjetër policor, Avni Namani, nën udhëheqjen e prokurorit Kujtim Munishi, kishin hetuar dosjen e manipuluar të provimit të jurisprudencës së ish-Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, rast ky që ishte mbyllur për 21 ditë të hetimit preliminar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat