Vitin e ardhshëm hapet Spitali i Përgjithshëm në Podujevë

Kosova

Vitin e ardhshëm hapet Spitali i Përgjithshëm në Podujevë

Më: 2 nëntor 2016 Në ora: 15:11
Spitali i Përgjithshëm në Podujevë

Në takimin e sotëm të kryetarit të Komunës së Podujevës, Agim Veliu, me ministrin e Shëndetësisë, Imet Rrahmani dhe zëvendësministrin Izet Sadiku, është biseduar për hapat që do të ndërmerren për funksionalizimin e Spitalit të Përgjithshëm në Podujevë, pas vendimit për themelimin e tij.

Me këtë rast ministri Rrahmani në mënyrë simbolike i ka dorëzuar vendimin për themelimin e Spitalit të Përgjithshëm në Podujevë.

Kryetari Veliu tha se në bazë të vendimit të Kuvendit Komunal të Podujevës, ministri i Shëndetësisë, duke përfillur edhe procedurat ligjore, javën që shkoi ka marrë vendim për themelimin e Spitalit të Përgjithshëm në Podujevë.

“Falënderoj ministrin Rrahmani, i cili me prezencën e  tij sot, ka dashur që edhe në mënyrë simbolike të ma dorëzoj vendimin për themelimin e Spitalit. Pa dyshim se themelimi i Spitalit të Përgjithshëm në Podujevë do të krijojë lehtësira për qytetarët tanë, të cilët për t’i marrë shërbimet e ndryshme mjekësore, deri më tani i janë drejtuar Qendrës Klinike Universitare të Kosovës”, tha kryetari Veliu.

Kryetari Veliu tha se bashkë me ministrin Rrahmani diskutuan për modalitetet dhe hapat që do të ndërmerren në funksionalizimin e Spitalit të Qytetit në Podujevë.

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, tha se vendimi për themelimin e Spitalit të Përgjithshëm në Podujevë është marrë duke iu përgjigjur vendimit të Kuvendit Komunal të Podujevës për themelimin e këtij institucioni, që do të ofrojë shërbime sekondare shëndetësore.

“Themelimi i këtij spitali do të thotë shumë për ngritjen e kapaciteteve shëndetësore dhe që ato të jenë sa më afër qytetarëve të rajonit të Llapit”, tha ministri Rrahmani.

Rrahmani tha se në këtë spital qytetarët do të mund të marrin shërbime pediatrike, internistike, gjinekologjike, kirurgjike dhe emergjenca.

Kryetari Veliu dhe ministri Rrahmani thanë se shërbimet e para në Spitalin e Përgjithshëm në Podujevë, qytetarët do të mund t’i marrin gjatë vitit 2017.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat