Vetëvendosje: Reduktimet e rrymës në Drenas, pasojë e politikave privatizuese të PDK-së

Kosova

Vetëvendosje: Reduktimet e rrymës në Drenas, pasojë e politikave privatizuese të PDK-së

Më: 2 nëntor 2016 Në ora: 17:18
ilustrim

Situata e krijuar energjetike në Komunën e Drenasit nuk është fatkeqësi natyrore, por produkt i politikave të mbrapshta privatizuse të PDK-së. Qeverisja e Drenasit, e cila së fundi po ankohet për reduktimet e shumta të energjisë elektrike në komunën tonë, para se të lutetet tek KEDS-i, duhet të shqyrtojë dhe ndëshkojë vendimet e zyrtarëve të PDK-së për privatizimin e KEK-ut dhe të kërkojë llogari nga ata. Është për keqardhje kur sot Komuna e Drenasit, si njëra ndër komunat më të varfëra dhe me të pazhvilluara në vend, është e detyruar t’i paguajë dëmet që ia ka shkaktuar PDK-ja Kosovës, përmes procesit kriminal të privatizimit të KEK-ut në vitin 2012. Proces ky, të cilin Lëvizja VETËVENDOSJE! e kishte kundërshtuar fuqishëm, e për çfarë arrestoheshin deputetët e qindra aktivistë.

Në kohën kur Lëvizja VETËVENDOSJE! kundërshtonte privatizimin e KEK-ut, ishin pikërisht zyrtarët e PDK-së nga niveli lokal e qendror që e mbeshtesinin pa rezervë këtë privatizim, duke mashtruar qytetarët me premtime se nëse KEK-u privatizohet, atëherë qytetarëve të Kosovës do t’iu ofrohet energji më cilësore dhe pa ndërprerje. Njëkohësisht, me kontratën që e kishin  nënshkruar, premtohej se të punësuarit do t’i kenë të garantuara vendet e punës. E sot, katër vite pas, as nuk ka rrymë më cilësore e as nuk ka furnizim të rregullt, madje në disa zona situata është edhe më e rëndë. Ndërsa, puntorët po largohen nga puna duke humbur vendet e punës, e rrejedhimisht edhe mirqenien për vete dhe familjet e tyre.

Lëvizja VETEVENDOSJE! është shumë e shqetësuar me situatën e rëndë energjetike që po ballafaqohet Komuna e Drenasit, dhe e gjithë Kosova. Ne me kohë kemi paralajmruar se privatizimi i KEK-ut është humbje për Kosovën  dhe se privatizimi është proces me shumë dyshime, dhe se nuk do ta ndihmojë Kosoven. Me kohë ishte paralajmruar se ky investitor është privat dhe mund të veprojë sit ë dojë, se do të ketë ngritje të çmimeve të energjisë, dhe askush nuk mund të ndërhyjë, pasi që ky investitor mund t’i përdorë avantazhet që ka dhe mund të bëjë çfarëdo që të dojë me energjinë, duke pasur monopol në shpërndarje të energjisë në vend.

Si Qendër e Lëvizjes VETEVENDOSJE! në Drenas, kërkojmë përgjegjsi nga ata që gënjyen qytetarët për energjinë, dhe natyrisht hetim mbi situatën e krijuar artificialisht, që përmes reduktimeve të krijohen favore për KEDS-in dhe politikat e tij për përfitime sa më të mëdha në kurriz të qytetarëve të Drenasit dhe Kosovës. Ndërsa, nënkryetarit të  Komunës së Drenasit –Arsim Haxhiu, drejtorit të Urbanizmit – Betim Berisha dhe drejtoreshës së Shërbimeve Publike – Hyrije Xhemajlajt-Thaçit, iu rikujtojmë se këtë situatë e kanë dhuratë nga partia e tyre dhe nga heshtja e tyre përballë procesit të privatizimit të KEK-ut.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat