QKMF-së në Podujevë i dhurohen pajisje mjekësore

Kosova

QKMF-së në Podujevë i dhurohen pajisje mjekësore

Më: 23 dhjetor 2016 Në ora: 15:10
Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu vlerësoi investimet e Ministrisë së Shëndetësisë

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Podujevë gjatë ditëve të fundit është ndihmuar me pajisje mjekësore nga Ministria e Shëndetësisë dhe Banka Botërore.

Sipas një njoftimi, në kuadër të mbështetjes së vazhdueshme për kujdesin parësor shëndetësor, Ministria e Shëndetësisë i ka dhuruar Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë një donacion prej 53 artikujsh të pajisjeve mjekësore, në vlerë prej mbi 100 mijë euro.

Në njoftim thuhet se me rastin e pranimit të këtij donacioni Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, vlerësoi investimet e Ministrisë së Shëndetësisë në përkrahje të shëndetit parësor.

Bëhet e ditur se dorëzimin e pajisjeve mjekësore e bëri këshilltari i Ministrit të Shëndetësisë, Mirsad Kamerolli, kurse këto pajisje do të përdoren për furnizim të Qendrave të Mjekësisë Familjare dhe ambulancave në terren.

Thuhet gjithashtu QKMF është ndihmuar me pajisje dhe inventar të ndryshëm mjekësor edhe nga Banka Botërore.

Ndërsa, shtohet më tej, një barnatore mobile QKMF-së i ka ardhur si donacion nga qyteti Westerstede i Gjermanisë, me të cilën Komuna e Podujevës ka krijuar raporte miqësie.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat