U dënua për vrasjen e gjyshit, kjo është dëshmia vëllait të Shpendit, Gencit

Kosova

U dënua për vrasjen e gjyshit, kjo është dëshmia vëllait të Shpendit, Gencit

Më: 2 korrik 2017 Në ora: 10:36
Ilustrim

Shpend Kastrati është dënuar padrejtësisht pa asnjë fakt thotë vëllai i tij Genci. Vëllai i Shpend Kastratit, të dënuarit më 9 vjet burg për vrasjen e gjyshit të tij, vendimin e gjykatës e cilësoi të padrejtë.

“Ky vendim i gjykatës është i padrejtë ngase është i pabazuar në fakte. Shpendi nuk ka pasur ndonjë dëshmitar kundër, e as ndonjë provë që do ta shpallte fajtor. Ky aktgjykim është marrë vetëm për të mbushur apetitet e prokurorisë dhe gjykatës që këta të dalin të suksesshëm para mediave, kinse po kryejnë punë”, tha Genc Kastrati.

Ai tregoi disa arsye pse pretendon që është i padrejtë ky dënim.

“Aktakuza u ngrit nga prokurori Hivzi Bajraktari pa ofruar ndonjë fakt vetëm e vetëm sepse nuk kanë mundur ta ngarkojnë dikënd tjetër për atë vepër penale dhe e kanë gjetë Shpendin veç se ka qenë i pranishëm në shtëpi në ato momente. Ai është viktimë e këtij rasti, sepse duke e shfrytëzuar gjendjen e tij shëndetësore e kanë lidhur me këtë rast”, tha më tutje Genc Kastrati.

Ai deklaroi se gjendja shëndetësore e të dënuarit për vrasje të gjyshit është përkeqësuar.

“Gjatë paraburgimit, Shpendi ka pësuar dëmtim të madh të shëndetit- së pari të shëndetit fizik për shkak të kushteve të rënda në burg dhe shëndetit shpirtëror për shkak të mbajtjes mbyllur pa faj”, tha Genc Kastrati.

Shpend Kastrati është shpallur fajtor dhe është dënuar me 9 vjet burg për vrasjen e gjyshit të tij, raporton kallxo.

Bashkë me dënimin prej 9 vjetësh burg, Shpend Kastratit i është shqiptuar edhe masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik me ndalim në institucionin e kujdesit shëndetësor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat