ORCA: Ka përmirësim të dukshëm në zgjedhjen e stafit akademik në UP

Kosova

ORCA: Ka përmirësim të dukshëm në zgjedhjen e stafit akademik në UP

Më: 4 shtator 2018 Në ora: 14:23
Konferenca për media

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), ka prezantuar sot një analizë për zgjedhjen e personelit akademik mësimdhënës në Universitetin e Prishtinës 2018, me ç’rast u potencua se ka përmirësim të dukshëm në zgjedhjen e stafit akademik në këtë institucion arsimor.

Në këtë analizë janë hulumtuar 199 kandidatë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” të rekomanduar pozitivisht nga komisionet vlerësuese në fakultetet përkatëse, ku sipas ORCA-së nga 199 kandidatë, 153 plotësojnë kriteret për t’u zgjedhur, rizgjedhur ose avancuar si staf akademik.

Megjithatë, sipas autores së këtij raporti, Adea Kondirolli, ende vazhdon të mbetet problem real mosplotësimi i kriterit të publikimeve shkencore nga kandidatët.

Kondirolli: Ka përmirësim shumë të dukshëm

“Në këtë analizë përfshihen 199 profesorë, prej këtyre 53 janë të rregullt, 63 të asociuar dhe 83 për pozitën asistent. Këtë vit ne e kemi vërejtur shkaku i udhëzimit administrativ  i ka përcaktuar më thellë kriteret e një punim shkencor që pranohet nga legjislacioni ynë. E kemi vërejtur që shkaku i këtij precizimi janë përmirësuar situata në UP. Për shembull, vitin e kaluar i kemi pasur diku 50 për qind të profesorëve që kanë kandiduar për t’u avancuar apo me u zgjedh si staf i ri, që nuk i kanë justifikuar kriteret. Ndërsa, këtë vit 77 për qind i plotësojnë këto kritere, do të thotë ka një përmirësim shumë të dukshëm”, tha ajo.

Kondirolli ka bërë të ditur se nga 53 profesorët e rregullt 33 janë vlerësuar pozitivisht nga ORCA, të cilët i kanë punimet për t’u bërë profesorë të rregullt. Ndërkaq, nga 63 profesorët e asociuar vlerësim pozitiv kanë marrë 47, kurse te profesorët asistentë nga 83, 73 prej tyre kanë marrë vlerësim pozitiv.

Kondirolli: Prapë po vazhdon mos me i plotësua kriteret kandidatët

“Këtë vit shkaku i udhëzimit administrativ punimet janë vlerësuar me koeficient, pra nëse janë të indeksuara revistat ku janë botuar këto punime në 50 kryesore kanë pasur koeficientin 1. Pastaj në ato më jo relevante kanë pasur 0.35 dhe 77, ne i kemi shikuar që punimet që kanë koeficient që i kanë paraqitur këta janë 759, ndërsa punime që janë jo relevante, pra që janë ose konferenca ose që kanë paraqitur punime që nuk janë botuar ende ose që janë abstrakte  e që nuk konsiderohen punime shkencore janë 369. Ne e kemi vërejtur që prapë po vazhdon mos me i plotësua kriteret kandidatët dhe po aplikojnë pa i plotësuar kriteret. Ky është një problem që po vazhdon edhe pas raporteve të shumta të ORCA-së. Një tjetër problem është që listimi i aktiviteteve shkencore janë në shumicën e rasteve të gabuara, pra 369 punime që nuk janë punime janë paraqitur”, është shprehur ajo.

Sipas ORCA-së shqetësim mbetet edhe komisioni vlerësues dhe përbërja e tij, ku autorja e këtij raporti Adea Kondirolli, thotë se ka pasur anëtarë që kanë votuar jo në unitet.

Kondirolli: Anëtarët e komisionit kanë punime bashkë me kandidatët

“Ka raste kur anëtarët e komisionit kanë punime bashkë me kandidatët dhe rrjedhimisht e vlerëson pozitivisht se është edhe vet autor. Besojmë që për të zgjedhur këtë problem që pra ka shumë nepotizëm, klientelizëm, në komisionet vlerësuese ish kanë mirë me pas pjesëmarrje ndërkombëtare në këto komisione, pra me marrë profesorë të jashtëm dhe jo të UP-së, ose me u bë një autoritet qendror që i verifikon dhe i jep këta tituj akademik”, tha ajo.

Ajo ka prezantuar edhe një rast, që sipas saj ka qenë i çuditshëm, ku nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike kanë qenë 11 profesorë që kanë qenë kandidat për t’u avancuar dhe që të gjithë kanë plotësuar kriteret. Por, sipas Kondirollit kriteret i kanë plotësuar vetëm në letër.

Kondirolli: Një profesor i ka 19 punime brenda vitit 2017-2018

“E kemi pasur një rast shumë të çuditshëm këtë vit në Fakultetin e inxhinierisë mekanike, që janë 11 profesorë që kanë kandiduar për t’u avancuar dhe të 11 i plotësojnë kriteret. Por, ata i plotësojnë kriteret kështu në letër qysh thotë udhëzimi dhe rregullorja, por kur i kemi shikuar ne punimet e tyre ka diku një profesor i ka 19 punime brenda vitit 2017-2018. Kjo është skandal, se nuk mundesh për 1 vit me i bë 5 punime se është shumë punë e gjatë dhe ne  e kemi ngritur këtë si çështje, revistat ku këta kanë publikuar më shumë janë të indeksuara, pra ato revista pranojnë çfarëdo punime. Këto punime që i kanë profesorët tanë kanë gabime, kanë gabime drejtshkrimore në anglisht janë të përkthyera me Google Translate dhe janë të kopjuara nga njëra tjetra, pra i njëjti profesor në dy punime të ndryshme i ka diku 25 për qind identik”, tha Adea Kondirolli.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat