Kosova dhe Shqipëria të përkushtuara për intensifikim të bashkëpunimit reciprok

Kosova

Kosova dhe Shqipëria të përkushtuara për intensifikim të bashkëpunimit reciprok

Më: 4 shtator 2018 Në ora: 14:46
Foto nga takimi

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Qemal Minxhozi deklaroi se shifrat e bashkëpunimit Kosovë – Shqipëri për këtë vit janë inkurajuese dhe ka rritje të shkëmbimeve tregtare.

Ai gjatë një takimi me kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës Berat Rukiqi tha se kjo tregon se potencialet e Kosovës për të eksportuar në pjesën tjetër të kombit janë shumë të mëdha.

Gjatë takimit ambasadori Minxhozi dhe kreu i OEK-ut Rukiqi u dakorduan për disa iniciativa që mundësojnë rritjen e komunikimit mes dy komuniteteve të biznesit  për të cilat duhet edhe vula e vendimmarrjes së dy qeverive përkatëse në kuptim të dhënies së përkrahjes dhe eliminimit të barrierave.

Rukiqi u shpreh i gatshëm për të vazhduar komunikimin që është shumë i rëndësishëm duke e ditur që Kosova dhe Shqipëria janë shtete që kanë interes primar të vazhdojnë bashkëpunimin ekonomik, tregtar dhe mundësitë për investime të përbashkëta në sektorin privat.

Ndryshe, në takim u theksua rëndësia e rritjes së efikasitetit të punës dhe bashkëpunimit për heqjen e barrierave tregtare përmes propozimeve konkrete nga bizneset. Përkushtimi më i madh në këtë drejtim dhe ndryshimet e duhura në legjislacion mund të japin rezultat shumë pozitiv për bizneset e të dyja vendeve, thuhet në komunikatën për media.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat