Eshtrat e dëshmorit Ilir Konushevci do të kthehen në Prishtinë - Bota Sot
Eshtrat e dëshmorit Ilir Konushevci do të kthehen në Prishtinë

Kosova

Eshtrat e dëshmorit Ilir Konushevci do të kthehen në Prishtinë

Më: 11 shtator 2018 Në ora: 15:14
Mbledhja e Qeverisë

Qeveria e Kosovës miratoi sot propozim-vendimin për zhvendosjen e eshtrave të heroit të kombit Ilir Konushevci në Varrezat e Dëshmorëve në Prishtinë, që pritet të bëhet më 28 nëntor.

Kryeministri Ramush Haradinaj tha se dëshmorët duhet të kthehen në atdhe. Bashkë me Ilir Konushevcin është vrarë edhe mjeku Hazir Mala, për të cilin Haradinaj tha se do të kujdesen që ta rivarrosin së bashku me dëshmorët e tjerë.

Ai foli edhe për kërkesën që këngëtarja Leonora Jakupi ka bërë për rivarrimin e eshtrave të babait të saj, me ç’rast tha se edhe në këtë rast do të ndiqen procedurat.

Haradinaj: Eshtrat e Ilir Konushevcit më 28 nëntor do t’i kthejmë në Prishtinë

“Unë propozoj që  të përdorim të njëjtën praktikë, jo vetëm të Ilirit, por edhe të Hazirit, të babës të Leonorës, që duhet me i kthyer. Pra, etapat kohore variojnë, por unë propozoj që të ngarkohet Ministria e FSK-së që t’i trajtojë këto, njëkohësisht që të vendosë komunikimin me institucionet e Republikës të Shqipërisë, pra që çdo gjë të kryhet në procedurat e parapara ligjore. Dëshira e prindërve të Ilirit është nëse ai do të kishte mund të kthehet rreth datës 28 nëntor që mendoj se është e realizueshme sa i përket neve”, tha ai.

I pari i Qeverisë tha se edhe për Hazir Malën dhe Qazim Jakupin do të ketë një vendim në të ardhmen, pasi tashmë është dërguar shkresa.

Po ashtu, Qeveria sot miratoi edhe propozim-vendimin për t'i proceduar Kuvendit të Kosovës mendimin lidhur me Projektligjin për mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së. 

Në këtë mbledhje të Qeverisë, e cila rastisi të jetë në 1-vjetorin e fillimit të punës së Qeverisë, u miratua edhe raporti vjetor i Punës së Qeverisë për periudhën shtator 2017 - shtator 2018.

Ndërsa, në kuadër të saj, u miratua edhe propozimi i kryeministrit që Osman Vishaj të emërohet kryetar i Bordit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, ndërsa u miratua propozim-vendimi që të ndahen 255 mijë e 613 euro për shlyerjen e borxheve të mbetura nga manifestimi dhjetëditor për shënimin e 10-vjetorit të Pavarësisë.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi paraqiti para kabinetit qeveritar arsyetimin për plotësim-ndryshimin e shtatë projektligjeve, të cilat u miratuan nga Qeveria e Kosovës.

Me këtë rast, Gashi tha se plotësim-ndryshimi i këtyre projektligjeve është një ndër objektivat e Qeverisë së Kosovës.

Ndërsa ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar propozoi Kushtim Cukajn sekretar të Përgjithshëm të Ministrisë së Integrimit Evropian, propozim ky që mori miratimin nga kabineti qeveritar.

Ndryshe, sa i përket sanimit të dëmeve të shkaktuara nga vërshimet në komunën e Mamushës, që arrijnë vlerën prej 2.5 milionë euro, Qeveria e Kosovës vendosi që për këtë të merret vendimi për mbledhjen e ardhshme.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat