UP mirëpret studentët e rinj, Dema premton përkrahje për arsim cilësor

Kosova

UP mirëpret studentët e rinj, Dema premton përkrahje për arsim cilësor

Më: 1 tetor 2018 Në ora: 11:31
Rektori i UP-së, Marjan Dema, tha se suksesi i studentëve është prioritet i UP-së

(E plotësuar) - Me rastin e fillimit të vitit akademik 2018/2019, në kampusin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës është mbajtur “Dita e Orientimit për studentët e rinj të Universitetit të Prishtinës”.

Gjatë kësaj pritjeje, studentët patën mundësi të marrin pjesë në lojëra dhe aktivitete të ndryshme, si dhe të informohen rreth studimeve në UP përmes këndeve informuese.

Rektori i UP-së, Marjan Dema, u premtoi studentëve se do t’i mbështesë  për të marrë arsim sa më cilësor dhe njëherësh u bëri thirrje për mësim e angazhim.

Ai po ashtu tha se pa zhvillimin e UP-së, nuk ka as zhvillim të Kosovës dhe u bëri thirrje studentëve që të jetojnë me vlerat e Universitetit të Prishtinës, që sipas tij janë; integriteti, qasja e barabartë, respekti, transparenca dhe përgjegjësia sociale.

Dema: Misioni i UP-së është që të krijojë liderë

“Si studentë të këtij universiteti do të jeni të privilegjuar të përfitoni nga shumë mundësi që ky institucion ka krijuar për ju. Tek ne, ju siguroj që do të gjeni një komunitet të ngrohtë, mikpritës dhe të gjallë studentor. Përveç studimeve në drejtimet që ju keni zgjedhur, në kampusin tonë do të gjeni edhe shumë qendra dhe zyre të cilat do të kontribuojnë në zhvillimin tuaj akademik dhe profesional. Universiteti ynë ka për mision që të krijojë liderë, studentë kreativ dhe me ide inovative”, ka thënë Dema.

Në këtë ceremoni ishte e pranishme edhe ish-presidentja Atifete Jahjaga, e cila foli para studentëve si përfaqësuese e Alumni UP. Ajo tha se edukimi është mjeti më i rëndësishëm përmes së cilit përcaktohet e ardhmja.

Investimin në edukimin e studentëve e quajti si investimin më të mirë për ta, si dhe për vendin.

Jahjaga: UP ju ofron mundësi t’i zbuloni vlerat brenda vetes

“Të gjithë ju jeni të mirë në diçka, të gjithë ju keni diçka të vlefshme për të ofruar dhe është përgjegjësi e juaja ta zbuloni atë, e mundësinë për këtë zbulim e ofron pikërisht ky vend, e ofron universiteti dhe edukimi juaj. Gjatë kësaj rruge të zhvillimit të talentit tuaj mos harroni të shiqoni edhe në zemrën tuaj dhe të gjeni profesionin që e doni me gjithë zemër, sepse në këtë mënyrë keni gjithnjë motiv për të përmirësuar, për t’u zhvilluar e për të performuar edhe më mirë”, ka thënë Jahjaga.

Kurse zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Heset Sahiti, u tha studentëve se arsimi i lartë është forca e ndryshimit shoqëror dhe po ashtu ndikon në sigurimin e kuadrove cilësore. 

Sahiti: Arsimi i Lartë është i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit

“Arsimi i Lartë ka rol thelbësor për zhvillimin ekonomik dhe social të shoqërisë. Besoj shumë që me angazhimin profesional secili në detyrën e vet, do të kontribuojmë, të arrijmë rezultate gjithnjë e më të mira për arsimin cilësor të gjeneratave të ardhshme. Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë pa rreshtur po angazhohet në përmirësimin e gjendjes së arsimit në vend, duke ndërvepruar së bashku me të gjitha institucionet e arsimit të lartë”, ka thënë Sahiti.

Ndërkaq, i pari i Arsimit, ministri Shyqiri Bytyqi, nuk ishte i pranishëm në këtë ceremoni, por ai uroi studentët e rinj përmes një postimi në facebook. Ai u bëri thirrje të gjithëve që të punojnë për arritjen e synimeve të përbashkëta dhe standarteve universitare.

Kujtojmë se sot shënohet edhe 21 vjetori i demonstratave studentore të 1 tetorit 1997.

***

Universiteti i Prishtinës për herë të parë ka organizuar ditën e orientimit për studentët e rinj, me rastin e fillimit të vitit të ri akademik 2018/19.

Në këtë pritje morën pjesë të gjitha njësitë akademike dhe zyrat që kanë kontakt me studentët, ku përmes këndeve informuese për secilin fakultet, studentët e rinj patën mundësi të informohen lidhur me studimet në UP.

Rektori i UP-së, Marjan Dema, tha se suksesi i studentëve është prioritet i UP-së. Ai tha se UP e ka për mision të krijojë liderë e studentë kreativë.

Ai po ashtu njoftoi studentët edhe mundësitë për studime jashtë vendit, përmes shkëmbimit të studentëve.

Dema u garantoi studentëve të rinj mbështetje të plotë për studime cilësore.

"Mësoni, angazhohuni dhe mos u dorëzoni", u tha Dema studentëve.

Kurse, zëvendësministri i Arsimit, Heset Sahiti u tha studentëve se e ardhmja e tyre varet nga këto studime. Ai falënderoi profesorët për kontributin e tyre ndër vite, duke shtuar se MAShT është duke u angazhuar në përmirësimin e cilësisë në arsim.

"Arsimi i lartë është forca kryesore shtytëse e ndryshimit shoqëror", ka thënë Sahiti.

E pranishme ishte edhe ish-presidentja Atifete Jahjaga, si përfaqësuese e Alumni UP, e cila tha se ndihet e priviligjuar që sot po përfaqëson të diplomuarit e UP-së. Ajo u tha studentëve se kampusi i UP-së do të bëhet për ta shtëpia e dytë. Ajo tha se të gjithë të rinjtw kanë diçka të mirë për të zbuluar dhe këtë do ta ndihmojë Universiteti i Prishtinës.

"Investimi në edukimin tuaj është edukimi më i mirë për ju", tha Jahjaga.

Gjatë këtij organizimi, studentët patën mundësi të marrin pjesë në lojëra të ndryshme dhe të vizitojnë fakultetet përkatëse.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat