KADC e vlerëson kërcënim importimin e veturave më të vjetra se 15 vjet

Kosova

KADC e vlerëson kërcënim importimin e veturave më të vjetra se 15 vjet

Më: 18 tetor 2018 Në ora: 14:12
Foto

Qendra Kosovare për Avokim dhe Zhvillim (KADC) shpreh shqetësimin dhe mospajtimin e thellë me vendimin e komisionit parlamentar për zhvillim ekonomik me të cilin synohet ndryshimi i Ligjit për Automjete për të rritur kufirin e vjetërsisë së automjeteve që importohen nga 10 vjet në 15 vjet.

“Është zhgënjyes dhe dëshpërues fakti se komisioni  parlamentar për zhvillim ekonomik, përkundër dëshmive shkencore të shumta mbi rreziqet që shkaktojnë shkarkimet nga automjetet e vjetruara, përkundër përpjekjeve dhe politikave në Evropë dhe në Botë, dhe në kundërshtim me rezolutat dhe strategjitë mjedisore të miratuara nga vetë Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës për uljen e nivelit të ndotjes së ajrit, merr vendim për të bërë pikërisht të kundërtën - rritjen e ndotjes së ajrit. Nëse miratohet, një politikë e tillë do të rezultojë me kërcënim serioz për shëndetin e qytetarëve dhe ndotje të rëndë të ajrit, sidomos në mjediset urbane. Kjo do të mundësoj importimin e veturave me standardin evropian Euro 3 të shkarkimit që në vendet e BE-së është tejkaluar qysh para 13 viteve, që nga viti 2005. Veturat me standard Euro 3, emetojnë tre-fish me shumë okside të azotit (NOx), dhjetë fish më shumë grimca të pluhurit (PM) dhe 30 % më shumë monoksid të karbonit (CO) se sa një veturë dhjetë vjet e vjetër”, thuhet në kumtesën për media.

Tutje kjo qendër pohon se ndotësit në fjalë paraqesin rrezik serioz për fëmijët pasi që pengojnë zhvillimin normal të mushkërive të tyre dhe duke kontribuar drejtpërdrejtë në krijimin e problemeve afatgjate shëndetësore dhe uljen e jetëgjatësisë së tyre.

“Një politikë e tillë shumëfishon mundësinë që qytetarët e Kosovës, veçanërisht ata që jetojnë në zonat urbane, të preken nga sëmundje të rrezikshme të mushkërive dhe të rrugëve të frymëmarrjes, sëmundjet kardiovaskulare dhe të vdesin para kohe.  Sipas OBSH-së, në vendet në zhvillim, rritja e ndotjes së ajrit shkakton më shumë se 2 milionë vdekje të parakohshme në vit  (OBSH, 2014). Një nga burimet kryesore të ndotjes urbane të ajrit është transportit rrugor. Mbi 70-80% e ndotjes urbane të ajrit në qytetet e vendeve në zhvillim i atribuohet shkarkimit të emisioneve ne ajër nga një numër i madh i automjeteve të  vjetra, mirëmbajtjes së dobët të automjeteve, infrastrukturës jo adekuate të rrugëve dhe cilësisë së ulët të karburanteve”, thuhet në vazhdim.

Agjencioni Evropian i Mjedisit (EEA)  në raportin e cilësisë së ajrit  e rendit sektorin e transportit si kontribuuesin më të madh të emetimeve të NOx (39%) dhe të dytin më të madhin të emetimeve të karbonit të zi- BC (29%), si dhe grimcat e pluhurit PM10 dhe PM2.5 (11%) në gjithsej 33 shtete anëtare të EEA.

Sipas të dhënave të  Qendrës së Automjeteve të Kosovës të shkurtit të vitit 2018, në Kosovë  qarkullojnë 358 855 mjete transporti. Shumicën e këtyre mjeteve, rreth 80 % e përbëjnë veturat e lehta të transportit për udhëtarë. Gjysma e këtyre automjeteve (50%) kanë standard shumë të ulët të lirimit të gazrave që lëviz prej Euro 1 në Euro 3. Ndërsa 21 % e mjeteve që gjenden në qarkullim në Kosovë janë me standard Euro 0 të emisionit. Vetëm një përqindje e vogël - 5.9 % dhe 2.4 % plotësojnë standardin euro 5 përkatësisht euro 6 të emisionit dhe 20 % tjera janë Euro 4. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat