111 persona të akuzuar për krime lufte në Kosovë, vetëm 4 serbë të dënuar

Kosova

111 persona të akuzuar për krime lufte në Kosovë, vetëm 4 serbë të dënuar

Më: 25 tetor 2018 Në ora: 12:12
Fondi për të Drejtën Humanitare, në Qendrën e Dokumentimit në Prishtinë

111 persona janë akuzuar për krime lufte në Kosovë. Prej tyre vetëm 40 janë dënuar, kurse 26 janë të arratisur e të tjerët janë ende në proces të gjykimit. Kështu u tha gjatë prezantimit të publikimit "Pasqyrë e gjykimeve për krimet e luftës në Kosovë në periudhën 1999-2018" të realizuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare, në Qendrën e Dokumentimit në Prishtinë.

Bashkëpunëtori i këtij projekti, Amer Alija, tha se prej 48 lëndëve sa janë proceduar, 25 janë ndaj serbëve, 19 ndaj shqiptarëve, 3 lëndë ndaj malazezëve dhe një ndaj komunitetet RAE.

Ndërkaq, Alija tha se pas përfundimit të luftës, prokurorët vendor ngritën 13 aktakuza, prej tyre 11 ndaj serbëve, një ndaj shqiptarëve dhe një ndaj malazezëve.

Alija: Vetëm katër serbë të dënuar për krime lufte

 "Në 19 lëndë ndaj shqiptarëve kemi 61 të akuzuar, prej tyre 23 të liruar, 34 shqiptarë të dënuar, dy janë në arrati dhe dy janë momentalisht në proces. ..Tek 25 lëndë ndaj serbëve kemi 44 të akuzuar, 13 persona të liruar, 4 persona të dënuar, 24 në arrati, kjo arratisje e madhe ka ndodhur në vitet 2000-2001 nga Mitrovica, dhe i kemi tre serbë në proces. Kemi tri lëndë malazeze, ku në total janë të akuzuar pesë malazezë, dy janë të liruar, një është dënuar dhe dy janë të arratisur, ndërsa ndaj të akuzuarit RAE sot ka qenë shpallja, ku është dënuar me 10 vite burgim", ka thënë Alija.

Ai ka bërë të ditur se dënimi për të akuzuarit për krime lufte shkon nga 5 deri në 15 vjet.     

Ndërsa, koordinatorja e këtij projekti, Anka Kurteshi tha se ky publikim është rezultat i monitorimit të kësaj organizate ndaj gjykimeve për krime lufte të kryera në Kosovë gjatë konfliktit të armatosur.

Kurteshi: Kemi edhe lëndë ku procedura penale ëhstë në zhvillim e sipër

 "Në publikim janë publikuar edhe lëndët ku procedura penale është ende në zhvillim e sipër. Gjykimet në këto lëndë kanë nisur pas aktakuzave të prokurorëve ndërkombëtar dhe vendor, por tani për ato janë kompetentë bartësit lokalë të funksioneve gjyqësore. Pjesë të këtij publikimi janë edhe lëndët që kanë të bëjnë me një numër të të akuzuarish, të cilët, pas ngritjes së aktakuzës kundër tyre, janë arratisur nga paraburgimi në Mitrovicë apo nga spitali i Mitrovicës gjatë viteve 2000 dhe 2001", ka thënë Kurteshi-Hajdari.

Ajo tha mosbashkëpunimi mes Kosovës e Serbisë ka qenë një nga shkaqet që ka ngadalësuar këto procese. Ky publikim përmban 48 lëndë të cilat përfshijnë aktakuza, vendime procedurale e aktgjykime të periudhës së lartpërmendur.

Fondi për të Drejtën Humanitare i përcjell dhe analizon këto gjykime që nga viti 2000 në kuadër të projektit "Monitorimi i gjykimeve për krime lufte dhe krime me prapavijë politike e etnike". /D. Morina/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat