Franca hap dyert për studentët e Kosovës përmes “Campus France” - Bota Sot
Franca hap dyert për studentët e Kosovës përmes “Campus France”

Kosova

Franca hap dyert për studentët e Kosovës përmes “Campus France”

Më: 1 nëntor 2018 Në ora: 19:45
Didier Chabert, ka përuruar sot zyrën informuese “Campus France” në Aleancën Franceze

Ambasadori i Francës, Didier Chabert, ka përuruar sot zyrën informuese “Campus France” në Aleancën Franceze, e cila do t’u shërbejë të rinjve për t’u informuar rreth studimeve në Francë.

Ai me këtë rast ftoi studentët e Kosovës për të studiuar në Francë,  duke thënë se Franca është vendi i tretë apo i katërt në botë që pranon më së shumti studentë të huaj.    

Chabert: Campus France synon promovimin e sistemit arsimor francez

“Ky kampus synon promovimin e studimeve franceze te studentët vendor. Campus France ka tri elemente që i sjellë te studentët kosovarë që kanë interesim për të studiuar në Francë. E para është informimi i studentëve për trajnimet apo studimet që mund t’i mbajnë në Francë. Për shembull, nëse jeni të interesuar për një trajnim në agronomi në Francë, mund të vini këtu dhe ne iu japim informatat e nevojshme në lidhje me vendet ku mund të përgatiteni. Pasi t’i ketë marrë studenti informatat e nevojshme, Campus Francë do t’i ndihmojë ta formojë rrjetin e tij. Po ashtu, si pikë e tretë, Campus France do t’iu ndihmojë edhe në përpilimin e dokumentacionit të nevojshëm”, ka thënë Chabert.

Chabert po ashtu përmendi disa arsye se pse duhet studiuar në Francë, pasi studentët i kanë të mbuluara edhe shpenzimet shëndetësore.

Chabert: Diplomat franceze njihen ndërkombëtarisht

“Një nga arsyet pse duhet të studioni në Francë është për cilësinë e sistemit arsimor, diplomat franceze njihen ndërkombëtarisht, ekziston një rrjet i madh i qindra institucioneve të arsimit të lartë dhe qendra për kërkime që janë të njohura gjithandej në botë. Ju përkujtoj që për dy vite Franca po e fiton çmimin Nobel për shkencë”, ka thënë Chabert.

Përgjegjësja e këtij kampusi, njëherësh profesoreshë e gjuhës frënge, Zana Latifi, tha se përmes kësaj zyre studentët do të kenë mundësi të informohen për shumë gjëra rreth studimeve në Francë duke nisur nga universitetet ku do të studiojnë e deri te vendet potenciale të banimit.

Sipas saj, studimet në Francë janë mundësi e mirë edhe për t’u njohur me jetën e kulturën franceze.

Latifi: Studimet në Francë janë të rëndësishme edhe për kualitetin e jetës që ofron

“Pse janë të rëndësishme studimet në Francë, është për shkak të kualitetit të jetës, normalisht, universitetet e njohura shtetërore, bursat që jep Ambasada e Francës, po ashtu bursat e master e doktoratës dhe po ashtu të njoftoheni me kulturën dhe jetën në Francë”, ka thënë Latifi.

Ndryshe, Campus France është një institucion publik francez i mandatuar nga Ministria e Evropës dhe Punëve të Jashtme për të promovuar sistemin arsimor francez.

Rreth 20-30 për qind e buxhetit të Francës shkon për arsim dhe synimi i këtij kampusi është që ta promovojë sistemin e arsimit në Kosovë, por edhe të ndihmojë studentët kosovarë të studiojnë në Francë. Ky kampus shtrihet në 126 vende të botës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat