Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, ka pritur në takim Muharrem Beka nga Sindikata e Zjarrfikësve, me ç’rast është njoftuar për kërkesat e tyre, shqetësimet dhe gjendjen e zjarrfikësve.
Pas këtij takimi ministri Mustafa, përveç se ka dhënë kontributin e tij në bashkëpunim me kryeministrin Haradinaj për votimin e koncept dokumentit për financat e Pushtetit Lokal në mbledhjen e Qeverisë, të datës 13 nëntor, gjithashtu ka ndërmarrë hapa konkret dhe për dy kërkesat tjera të sindikatës së zjarrfikësve, njëra për rritjen e pagës së rrezikshmërisë në punë dhe tjetra për pagesën e orëve shtesë dhe orët e gjatë punës në ndërrimin e natës, thuhet në një komunikatë për media të MPB-së.
Me këtë rast ministri Mustafa pas konsultimeve intensive me zyrtarët përkatës, shpreh gatishmërinë e plotë që në buxhetin e propozuar për vitin 2019-të, kategorisë së zjarrfikësve, t’iu paguhen orët shtesë jashtë orarit zyrtar të punës dhe të shikohet çdo mundësi ligjore që të rritet pagesa për rrezikshmërinë.
Ndryshe, zjarrfikësit nesër organizojnë protestë para ndërtesës se Qeverisë, në shenjë revolte dhe pakënaqësie lidhur me pozitën e vështirë që ka kapluar shërbimin e zjarrfikësve në vend, posaçërisht me mos përmbushjen e premtimeve nga institucionet.