Podujevë: Policia s’e ndal dorën, mbi 400 gjoba për një muaj për qytetarët që s’i bartën maskat

Kronikë e zezë

Podujevë: Policia s’e ndal dorën, mbi 400 gjoba për një muaj për qytetarët që s’i bartën maskat

Më: 7 janar 2021 Në ora: 21:08
Foto ilustrim

Policia në Podujevë është duke vazhduar me shqiptimin e gjobave për personat që s’i përfillin masat anti-covid.

Vetëm në muajin dhjetor në këtë qytet policia ka gjobitur mbi 400 qytetarë

Kështu ka thënë komandanti i stacionit policor në këtë komunë, Isak Ejupi.

Eupi në mbledhjen e shtabit emergjent komunal ka thënë se gjatë tërë kohës janë të angazhuar në zbatimin e planit operativ për implementimin e masave për parandalimin e pandemisë Covid-19.

“Gjatë muajit dhjetor janë shqiptuar 424 gjoba për qytetarët të cilët nuk kanë respektuar masat anti-covid”, është shprehur ai.

Gjithashtu, komandanti Ejupi informoi anëtarët e shtabit se vazhdimisht janë në monitorimin e personave të prekur me virus, për respektimin e vetizolimit.

Aktualisht në këtë komunë janë rreth 200 raste aktive. Që nga fillimi i pandemisë, e deri më tani, numri i të infektuarve në Llap ka arritur në rreth 2 mijë e 200. Deri më tani, janë raportuar 40 viktima, mbi 1900 pacientë janë shpallur të shëruar.

Si pasojë e rënies së lakores më të infektuar të rinj, Komuna e Podujevës ditë më parë është larguar nga zona e kuqe, për të kaluar kështu në zonën e verdhë. Tash në këtë komunë nuk ka orë policore, e cila fillonte nga ora 20:00 dhe vazhdonte gjer në 05:00 të mëngjesit.

Komunat me rrezik të mesëm të infeksionit, e ku bënë pjesë edhe Podujeva, janë ato që kanë prej 76 deri në 149 persona të infektuar në 100.000 banorë. Komunat të cilat bëjnë pjesë në zonën e verdhë, operatorët ekonomikë lejohen të punojnë nga ora 06:00 deri në orën 18:00.

Shërbimet e hotelerisë dhe gastronomisë lejohen të punojnë nga ora 06:00 deri në ora 18:00, pas orës 18:00 punojnë me shërbim “merr me vete” dhe “porosi-dërgesë”.

Qendrat tregtare lejohen të punojnë prej orës 06:00 deri në ora 18:00. Transporti publik në këto komuna lejohet të punojë me 50 për qind të kapaciteteve duke respektuar manualin për mbrojtjen nga përhapja e sëmundjes COVID-19.

Ndërkohë, Shtabi Emergjent, në mbledhjen e mbajtur dje ka paralajmëruar gjithë qytetarët dhe bizneset se policia dhe inspeksioni do të ndërmarrin masa të rrepta ndaj atyre nuk respektojnë masat anti-Covid.

Njëkohësisht është apeluar te qytetarët që të vazhdojnë të bartin maskat dhe të mbajnë distancën sociale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat