E dëmtuara thotë se e kuptoi që vetura është bartur në emrin e të akuzuarit kur shkoi ta paraqiste rastin në Polici

Kronikë e zezë

E dëmtuara thotë se e kuptoi që vetura është bartur në emrin e të akuzuarit kur shkoi ta paraqiste rastin në Polici

Më: 27 dhjetor 2022 Në ora: 18:28
Foto ilustrim

Në Gjykatës Themelore në Prishtinë, të martën është dëgjuar e dëmtuara Gj.Z., në cilësi të dëshmitares, e cila tha se e kishte kuptuar që vetura është bartur në emër të të akuzuarit, kur ka shkuar ta paraqiste rastin në polici.

“Unë këtë e kam kuptuar kur është paraqitur rasti në polici, në atë moment kur L.I., nuk është lajmëruar në telefon, më ka lënë në qytet në restaurant, unë e kam thirrur disa herë në telefon e pastaj kam angazhu edhe infermieren time që ta thirrë L. edhe nënë e tij, unë kam menduar që mund të ketë ndodhur ndonjë aksident me fatalitet dhe i njëjti nuk është lajmëruar më”, tha ajo.

Në këtë rast, L.I po akuzohet për falsifikim të dokumentit dhe legalizim të përmbajtjes së rreme që nga viti 2014, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Rrahim Podvorica, e dëmtuara Gj.Z., ka thënë se më 18 nëntor 2013 ka kërkuar nga ish-vozitësi i saj, tani i akuzuari L.I., që ta dërgojë deri në një restaurant dhe ka kërkuar nga i njëjti që të kthehet pas 45 minutave për ta marrë atë, si dhe ia ka dhënë 1 mijë e 200 euro për t’i deponuar në bankën “Teb” për nevoja të kompanisë.

Kurse, duke u përgjigjur në pyetjet e përfaqësuesit të saj, avokatit Valon Hasani, e dëmtuara ka thënë se ka qenë detyrë edhe e vozitësve të tjerë dhe punëtorëve të sigurimit që të deponojnë para për mjetet e fituara nga puna e spitalit, gjegjësisht biznesit.

“Po, edhe jo vetëm L., por edhe vozitësve tjerë dhe sigurimit, e kanë bërë këtë deponim mirëpo gjithmonë kanë nënshkruar se unë po ua dha të hollat për deponim në bankë, një gjë të tillë e kam kërkuar edhe nga vozitësi në fjalë dhe për këtë e kam paraqitur dëshminë në prokurori”, tha e dëmtuara.

Ajo gjithashtu shtoi se asnjëherë nuk ka diskutuar me askënd për shitjen e automjetit dhe nuk ka nënshkruar asnjëherë një konktratë të tillë as me të akuzuarin apo dikë tjetër.

Avokati Hasani i dha koktratën mbi shitjen ndërmjetësuese të përpiluar nga “Sig-B-Travel” për ta shikuar dhe e pyeti nëse në pjesën e djathtë është nënshkrimi i saj apo jo, e dëmtuara është përgjigjur duke thënë se nuk është nënshkrimi i saj.

“Jo, këtë nënshkrim s’e kam pa kurrë, ndërsa vula mundet edhe të jetë, por nuk e di”, ka thënë Z.

Gj.Z po ashtu ka thënë se këtë kontratë e ka parë sot për herë të parë dhe se nuk ka qenë në dijeni se ekziston një agjencion i tillë.

E njëjta gjithashtu ka thënë se tani i akuzuari ka pasur qasje në vulat e kompanisë “Global Hospital”.

“Po, pasi që L. e kam lejuar të qëndrojë në zyrën time dhe ta përdor kompjuterin tim, meqenëse i kam besuar edhe nuk kam pasuar asnjë mosmarrëveshje me të, bile i kam thënë nëse sillesh kështu mirë kam me të bo asistent timin dhe nuk më ka shkuar në mendje se mundet me keqpërdor besimin tim”, deklaroi e dëmtuara Z.

E pyetur nëse e ka autorizuar e njëjta ndonjëherë tani të akuzuarin I. që të nënshkruajë apo të vulosë në emër të kompanisë, e dëmtuara tha se nuk e ka bërë asnjëherë.

Tutje, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuari I., avokatit Fanol Krasniqi, e dëmtuara ka thënë se nuk i kujtohet se cila ka qenë paga për tani të dëmtuarin.Gjithashtu, avokati Krasniqi ia ka dhënë dëshmitares deklaratën e 12 nëntorit 2013, deklaratë e cila është lëshuar nga ajo në cilësinë e pronares së spitalit dhe e ka pyetur nëse është nënshkrimi i saj në të, ku e dëmtuara e mohoi këtë gjë dhe tha se nuk e ka parë asjëherë këtë deklaratë.

Po ashtu, ajo theksoi se spitali i saj ka qenë më i sukseshmi në rajon dhe është mbyllur nga krimi i organizuar institucional.

“Unë jam e persekutuar, domethënë spitali im i cili ka qenë më i suksesshmi në regjion për fekondim artificial një herë më është mbyll nga krimi i organizuar institucional dhe nga disa mafia që më janë kërcënuar përmes prokurorisë për me ma mbyll spitalin, po ashtu EULEX-i i ka pushuar hetimet”, tha e dëmtuara.

Ndryshe, avokati Krasniqi ka propozuar që në seancën e ardhshme të dëgjohet ekspertja Vjollca Mavriqi.

“Meqenëse është propozuar prova e nxjerrë nga AFK, propozoj që përpiluesja e këtij ekspertimi, Vjollca Mavriqi, specialiste e lartë për dokumente dhe dorëshkrime nga sektori për ekspertim të dokumenteve, të ftohet në seancë për t’i sqaruar disa dilema që për të pandehurin janë mjaft të domosdoshme”, tha avokati Krasniqi.

Një propozim i tillë u kundërshtua nga avokati Hasani, ndërsa u aprovua nga gjykatësi Gent Beka.

Ndryshe, gjyqtari Beka ka thënë se gjykata sipas detyrës zyrtare do ta ftojë të dëgjoihet në cilësi të dëshmitarit H.Sh.

Seanca e radhës për këtë çështje pritet të mbahet më 18 janar 2023.

Ndryshe, në seancën e 22 dhjetorit 2022, gjykatësi i rastit, Gent Beka ka konstatuar se për veprën penale “Mashtrimi”, për të cilën akuzohej L.I ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale, andaj i njëjti do të gjykohet vetëm për dy veprat tjera siç përshkruhen në aktakuzë.

Ndrysh, sipas aktakuzës së ngritur në prill të vitit 2014, i pandehuri L.I më 11 nëntor 2013 me qëllim të shfrytëzimit të dokumentit publik si origjinal, në zyrën e ndërmjetësimit N.T.SH “Sig-B-travel” ka përpiluar kontratë për shitblerjen e veturës “Audi A4”, pronë e kompanisë “Global Hospital” në emër të të dëmtuarës Gj.Z .

Aktakuza thotë se i njëjti duke e mashtruar ndërmjetësuesin se e dëmtuara për shkak të angazhimeve të saja në punë nuk mund të jetë e pranishme personalisht në zyrën e ndërmjetësimit, në mirëbesim e merr kontratën, e vulos me vulën e kompanisë së lartcekur, e falsifikon nënshkrimin e të dëmtuarës dhe pas dy-tri ditëve e prezanton në të njëjtën zyrë, me ç’rast pas ekzaminimit nga laboratori i Agjencisë së Kosovës për Forenzikë është vërtetuar se nënshkrimi që gjendet në anën e djathtë të kontratës nuk është i të dëmtuarës.

Më këtë, i njëjti po akuzohet se ka kryer veprën penale “Falsifikim i dokumenteve” nga neni 398, par.2, lidhur me par.1 të Kodit Penal.

Tutje, sipas aktakuzës më 15 nëntor 2013, i pandehuri duke vënë ne lajthim organin kompetent përkatësisht Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve në Prishtinë, që dokumentin publik si kontratën për shitblerjen e veturës së cekur, e përdorë si të vërtetë në komunikim juridic, me ç’rast automjetin me të dhënat e sipër shënuara e regjistron në emër të tij dhe i njëjti automjet sekuestrohet përkohësisht.

Me këtë, po akuzohet se ka kryer veprën penale “Legalizim i përmbajtjes së rreme” nga neni 403, par.1 të Kodit Penal. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat