Situata e zjarreve në Kukësit drejt normalizimit

Kukësi

Situata e zjarreve në Kukësit drejt normalizimit

Më: 12 gusht 2021 Në ora: 19:43
Kukës

Situata e zjarreve në sipërfaqet pyjore të Kukësit po shkon drejt normalizimit, pas reshjeve të shiut dhe breshërit, që përfshinë gjithë zonën gjatë mbrëmjes së kaluar. Komisionit i Mbrojtjes Civile në Qarkun e Kukësit bëni të ditur sot (e enjte) se si rezultat i reshjeve të shiut “aktualisht nuk ka vatra zjarri, por në disa pjesë ka trungje të thyera dhe të pashuara, që nxjerrin tym”.

Specialistët e shërbimit pyjor po verifikojnë situatën në Majën e Rrunës dhe mbi tunelin e Kalimashit, pasi era dhe temperaturat e larta rrezikojnë rindezjen e vatrave të zjarrit.

Ndërkohë, bëhet e ditur se janë shuar plotësisht edhe vatrat e zjarrit në Njësinë Administrative Lekbibaj dhe Margegaj, të bashkisë Tropojë,

Për më shumë se dy javë, me dhjetra forca dhe mjete zjarrfikëse nga Kukësi, Mirdita, Lezha dhe Shkodra, të mbështetura dhe nga efektivë të ushtrisë dhe helikopterë, u përpoqën për shuarjen e zjarreve në Malin e Thirrës, Malin e Rrunës, Qafën e Kumbullës dhe Malin e Munellës, zona këto që përfshihen në bashkitë Kukës dhe Mirditë. Për shkak të situatës kritike dhe rrezikut të ndërprerjes së lëvizjes në tunelin e Kalimashit, pjesë e Rrugës së Kombit, në Kukës arritën për ndihmë edhe zjarrfikës dhe një grup i Forcave të Sigurisë nga Kosova.

Vatrat e zjarreve, që u përhapën ditët e fundit në zonën mes Kukësit dhe Mirditës, ishin ndër më problematiket në shkallë vendit. Ato lanë pas me qindra hektarë sipërfaqe pyjore të djegura, një dëm ky i konsiderueshëm ekonomik dhe mjedisor për Kukësin, i cili renditet i pesti në Shqipëri për nga sipërfaqja pyjore. Gjithashtu zjarret nxorrën në pah kapacitetet e pakta, që ka kjo zonë, për shuarjen e zjarreve në pyje./VOA

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat