Sa herë atdhe...

Kultura

Sa herë atdhe...

Nga: Sejdi Berisha Më: 4 shkurt 2019 Në ora: 14:59
Sejdi Berisha

(Rrugëtim apo elegji e vargut tim)

1.
Sa herë atdhe
Rinia të tha lamtumirë
Larg teje ngelën
Me shkrumbin e lirisë
Me etjen për bukurinë
E me vuajtjet tuaja barrë

2.
Sa herë atdhe
Lamtumirë të thanë
Sytë e djemve që i rrite
Sa herë me emër të azilit 
U ngujuan nëpër depo
Me emrin e rrejshëm
Qendër azili
Ku edhe aty i rrëfenin
Ëndrrat e tyre rinore

3.
Sa herë atdhe
Për Ty gjaku u përcëllua
Pas grilave e bodrumeve 
Një copë bukë për ta fituar 

4.
Sa herë atdhe
Nga malli për Ty 
Mërgimtarët u bën poetë
Edhe këngëtarë elegjish 
Për t’i kënduar këngët
Me plagë loti 
Për ta ledhatuar 
Ballin e lodhur Ty atdhe 

5.
Pse gjithnjë kështu
O, atdheu im
Nëpër mote e shekuj
Edhe nëpër histori

6.
Sa herë atdhe
Të rinjtë e tu
Me zemër të thyer
Nënave 
Lamtumirë u thanë
Duke të bartur Ty
Në shpirt e në mendje

7.
Po tash, atdhe
Pse po tretën të rinjtë
Prapë refren i mallkuar
Sërish prapa grilave 
Të shkapërderdhjes së qenies

8.
Azil... 
Si të shlyhet kjo dhembje
Se gjiri i nënës
Se aroma e tokës
Edhe freskia e ujit
E gjuha e ajrit
Në Ty atdhe
Sertshëm rrisin shtatin 
Rrugët janë plotë kujtime
Kujtime kujtimesh

9.
Sa herë atdhe
Edhe unë kam vendosur 
Të të them lamtumirë
Por dot nuk hapej asnjë rrugë
Se Ti atdhe
Pa ne je si nëna që nuk lind
Si ara pa bimë 
Si ora pa tik-takun e vetë

10.
Sa herë atdhe
Fëmijët t’u janë daktisur
Shih defterin
Nëpër botë shpërndarë
Kudo që zënë rrënjë
Të gjithë për Ty i kanë këto fjalë:
Ti atdhe, shkrumbi im
Dashuria ime që nuk falet
Andaj atdhe
Këtu më ke

11.
Këtu...
Edhe nëse më sheh 
Me buzë shkrumb
Edhe me sy të ënjtur
Edhe me shikim të tharbur 

12.
Eh, moj toka ime
Po histori e gjatë je
Legjendë e trembur 
Nga pëllumbat në fluturim
Histori që je
Kurrë e pa ndritur deri në fund

13.
Ty toka ime
Të dua më shumë
Se në Ty 
Brenda e jashtë
Është madhështia e jetës sime
Që askush tjetër nuk mund ta ketë

14.
Qeshu e krenohu atdheu im
Se tek e fundit 
Loti dhe urata ime
Kanë për të rritur
Kanë për të forcuar
Ashtu siç dua unë
Krejt ashtu siç ke qenë dikur...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat