Buka

Kultura

Buka

Nga: Nexhat Halimi Më: 6 shkurt 2019 Në ora: 14:21
Nexhat Halimi

Vjollca prek me qerpikë qiellin

Gjaku në këtë kalli të shpirtit

E portretizon etjen e gemit të verës

Ëndrrën që del nga mulliri me thes

Ti vjen mezhdës me bukë në dorë

Unë Mollën e Kuqe prek me mall            

Dashuria në gem e pikturon syrin

Syri portretizon në qiell yllin

Silueta Toplicës lëviz në andrallë       

Ti zë me duar këmishën e bardhë

E skuqur në dy faqet fsheh gjirin

Është një, dashuron apo zë e qan

Në këtë dimension të këngës për ty

Të bukës që e pjek zemra në gji

Bie tërë ditën bie pandërprerë shi

Hyrja në zemër

Vetëm dhe urën ta kalojmë, aty,

T`i ngjitemi kodrës deri te pema

Te kroi i akullt nga rrjedh gurit

Ndal pak para vetes, e lutu

Zgjati duart nga qielli e merr frymë

Për tokën e fajkoit me shpirt timin

Për qiellin e pa fund të rrënjës

Ja nga e njëjta rrënjë ik dega lart

E ti e zgjat dorën dhe mollën këput

Sall dhe një copë udhë guri, aty,

E te hyrja në gojë të kuçedrës

Nga ku do të largohemi nga qielli

Për të arritur në fund të vetes

Zemrën  t`ia shkëpusim tokës

Ndal pak para vetes, zemër, e lutu

Merr frymë thellë për rrënjë të rrapit

Krejt e kaltër nga del nga zemra

Për të hyrë më thellë në zemër

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat