Edgar Degas dhe alfabeti i trupit - Bota Sot
Edgar Degas dhe alfabeti i trupit

Kultura

Edgar Degas dhe alfabeti i trupit

Më: 15 shkurt 2019 Në ora: 13:39
Van Gogh

Në Paris nuk kisha parë asnjë ekspozitë restrospektive të Edgar Degas, por atë e gjen në Musée d’Orsay, buzë Senës. Nëse kaloni këndej, mos harroni ta takoni Edgar Degas (1834-1917). Ai është aty, në një sallë të madhe, ku në gjysmë-errësirë shfaqen plot ngjyra balerinat e tij, tablotë “Klasë dansi”, “Provimi i dansit”, “Prova dansi”, “Orkestra e Operas”… Balerinat e tij të lumturojnë, pasi është poetika e trupit, hiret e trupit që flasin me gjuhën e tyre: “pas de deux”, “grand écart”, “jeté”, “piqué”, saut de chat”… Sigurisht Degas, i cili e adhuronte poetin Baudelaire dhe klithmën e tij për modernitetin (Rimbaud gjithashtu) nuk është vetëm piktor balerinash. Në mesin e karrierës së tij, meqë pëlqente operat dhe ndiqte nganjëherë një opera me dhjetra herë, (brenda shtatë vjetësh ai kishte shkuar 173 herë në opera), në letrën e tij të vizatimit, në pastel apo akuarel, dhe shpesh të kombinuara, nisën të shfaqen balerinat e tij. Ishin sprova, edhe pse vepra të vërteta. Baudelaire atëherë kërkonte modernitetin dhe për dansin shkruante: “Dansi është një poezi me krahë dhe këmbë, është një lëndë me hirësi të jashtëzakonshme, e animuar dhe e zbukuruar nga lëvizja”.

Image

Një ditë, Degas i kërkoi një miku të tij të operas: – “Më rezervoni një vend gjatë provave të dansit. Kam bërë kaq shumë vizatime për ato, por asnjëherë nuk i kam parë gjatë provave!”… E habitshme! Forcë imagjinate! Dhe Degas kishte shkuar në Rue Pelletier, në teatrin që vite më vonë do të digjej, por më pas ai do t’i shikonte ato në «Palais Garnier», në operan e famshme të Parisit. Atë ditë që shkoi, Degas i pa ato realisht, atje, në sallën e madhe, me mjeshtrin e dansit që kërkonte të ripërsërisnin lëvizjet. Degas shikonte ato vajza të reja, gati adoleshente, të cilat në mbrëmje ngjisnin shkallët e skenës së teatrit para publikut. Por aty ishte tjetër intimitet. Aty ishte gjesti, krijimi i lëvizjes, ajo që mbetej në përfytyrimin e artistit, hiret e trupit, llërët, koka e përkulura, qafa, kofshët, harqet poshtë ijeve, elokuenca e trupit në lëvizje. Ç’mrekulli, trupi që fliste, i cili demostronte kështu alfabetin e vet të kuptueshëm edhe për njeriun më të paditur të botës, pasi kështu, me lëvizjet e tij, njeriu ka artikuluar dhe është shprehur që në zanafillën e botës…

Degas ishte nga ata piktorë që nuk e njohu varfërinë, siç e kishte njohur Van Gogh apo Gauguin. I ati kishte qenë bankier pranë kishës «Notre-Dame de la Lorette», në Paris, dhe meqë ai shkonte shpesh atje, figurat e prostitutave që silleshin vërdallë dhe që atje quheshin “lorette-s”, i bënë përshtypje dhe ai filloi t’i pikturonte. Gjatë njëzet vjetëve të para si artist, ai ekspozoi veçse një tablo, por hyrja e tij e vërtetë në botën e artit ishte në vitin 1880 kur ekspozoi balerinat e tij në ekspozitën e pestë të impresionistëve në Paris. Mallarmé e përshëndeti ngrohtësisht artin e tij, Huysmans i bëri një kritikë plot lëvdata. Kur pikturonte tablonë e tij Répétition, në atelier ishte shfaqur sshkrimtari Goncourt, i cili u mrekullua me balerinat e tij dhe në kthim do të shkruante në ditarin e tij për “ato silueta fantastike të këmbëve të balerinave që zbresin shkallët me ato njolla në një të kuqe të shndritshme mes një reje të bardhë”. Ishte hirësia e lëvizjes. Me sa duket ai ishte befasuar nga kapja e gjestit domethënës në lëvizjen e balerinave, këmbë që zbresin e që realisht duken fare pak, por që shfaqin diçka novatore në pikturën e saj kohe, duke i thyer rregullat e një pikture akademike. Pra është kapja e lëvizjes “sur le vif”, siç thotë francezi, në çast.

Image

Degas e përdorte bukur pastelin, të cilën e njihte mirë si teknikë, ndërkohë që gjithë piktorët e tjerë parapëlqenin bojën e vajit. Degas e konsideronte pastelin si “një pluhur mbi krahë fluturash”… Kështu u krijuan tablotë Mësimi i baletit, Provimi i dansit, etj. Megjithatë ai vazhdoi dhe me portretet e grave nëpër kafenetë, klubet e argëtimit, që atë kohë ishin të shumta në Paris, këngëtaret e kabareve, madje dhe larëset e rrobave, gratë që hekurosin, etj. Kur shkruante romanin Rougon Macquart, në një letër të tij, Zola i thoshte se “isha frymëzuar nga gratë që hekurosnin, rrobalarëset dhe jeta e bulevardeve dhe të kafene-koncerteve që kisha parë në tablotë e tua”. Madje Zola ka përshkruar në faqet e romanit dhe disa nga tablotë e piktorit. Padyshim, këto figura të fillimit të proletariatit të epokës industriale në Francë, i habitën kritikët e artit, të cilët panë të shfaqen në kuadrin e tablove pikturale personazhe të asaj jete të përditshme popullore, të njerëzve të rrugës dhe të natës së zymtë.

Më 1886, Degas pikturoi një nudo të përkulur në një govatë, duke u larë, në disa variacione, lëvizje, të kapura në lirshmërinë e tyre, pa pozuar. Një tjetër nudo ishte “Ajo që lahet”. Nudot nganjëherë duken të ashpra, por ato janë të vërteta siç janë në jetë e mbi të gjitha, në fund të fundit, ato kanë elegancë. Van Gogh e pëlqente shumë artin e Degas dhe e cilësonte atë një “art të fuqishëm”.

«Camera obscura»

 

Në vitin 1875, Degas bleu një aparat fotografik “Estman Kodak number one” dhe ky do të ishte një nga pasionet e tij, pasi që kur ishte sëmurë nga prostitutat, ai nuk i donte më femrat fizikisht. Nuk donte të kërleshej e të flinte me ato. Ai donte veç t’i pikturonte. I pëlqente mbi letër, në proçesin e rikrijimit të bukurisë femërore në linja dhe në ngjyrë. Kështu ai filloi të fotografonte në fillim njerëzit e familjes, pastaj miqtë e tij si Mallarmé, Renoir, Verhaeren, veten e tij e më pas balerinat apo një nudo e bukur që sapo ka dalë nga banja dhe po fshihet në një kolltuk. Këtë gjendje intime dhe të bukur ai e ka hedhur pastaj në ngjyra. Nga fondi i tij ruhen jo pak fotografi që tregojnë ndjeshmërinë e tij ndaj dritës dhe lëvizjes. Edhe përmes objektivit ai kërkonte të deshifronte lëvizjen e trupit njerëzor, atë çka e rikrijonte pastaj mbi letër ngjyra. Disa fotografi kanë një poetikë të jashtëzakonshme me gjysmë-hijet dhe nuditetin e tyre Vallë pse Degas shkruante poezi, siç tregonte Mallarmé, i cili ia vlerësonte shumë? Paul Valery që shkonte shpesh në atelierin e tij, tregonte se ai ka shkruar mbi 20 poezi: një poet i ngjyrës dhe lëvizjes… Vitet shkonin dhe Degas vazhdonte ende në kërkimet e tij koloristike me një lloj novatorizmi të habitshëm. Ai po shkonte drejt një pleqërie si e Tiziano-s. Pikturonte nudot e tij, balerinat. Tablotë e tij të fundit janë me ngjyra që nuk i ka përdorur më parë: tone të habitshme kanarine, jeshile të çelta; ngjyra rozë fosforeshente, ngjyra ekspresive, ndërkohë që portreti sfumohet gjithnjë e më shumë sa gati bëhet anonim. Kur fliste për ngjyrat e tablove të viteve të fundit ai fliste për një “orgji ngjyrash”, aq sa dhe vetë nuk e besonte këtë lloj orgjie, pasi pleksja e ngjyrave ishte e hatashme. Për të s’kishte rëndësi portreti, por kapja e lëvizjes dhe dhënia e saj në një dritë të re. Tabloja Krehja e vitit 1896, është e gjitha në tone të kuqe dhe ngjyra sikur të përplaset, por ajo nuk të godet, nuk të vret, ajo të pushton menjëherë me një ndjesi gëzimi. Në këtë kohë Degas shihej si një nga prekursorët e modernitetit. Ai shitej shumë në Londër, në Amerikë. Të gjithë nxitonin tashmë të pasuronin galeritë e muzeumet me veprat e tij, tablo ku ai shpesh luan me pastel, guash, karbon, apo duke i kombinuar ato. Një nga tablotë e tij ishte dhe “Kalorësi i plagosur i garave ” (Jockey blessé), ku spikat moderniteti në një jeshile të mrekullueshme. Kalorësi i rënë mbi një lëndinë të gjelbërt, në një flu të mrekullueshme. Një qiell i trazuar dhe trupi i kalorësit me sytë nga qielli. Një gjendje e tensionuar me ngjyra të forta jeshile, me të zezë dhe të bardhë në konstrast.

Më 1886, një ekspozitë u hap në New York me 23 tablo të tij, mes të cilave dhe “Mësimi i dansit”. Degas tashmë ishte një nga piktorët më në zë të botës. Por një trisht i madh e kaploi kur i vdiq modelja e tij, Valerie Romi, ajo që kishte pozuar dhe për Gauguin dhe disa piktorë të tjerë. Ai ishte interesuar ta çonin atë në një spital dhe ta shëronin, duke u shkruar miqve të tij: “Duhet të shpëtojmë Hirushen tonë!… Dhe gjithnjë interesohej, pyeste, shkruante: “Ç’bëhet në shtratin 11”? … A po vuan zonjusha Romi?”… E rrallë kjo marrëdhënie me një modele që nuk i ka më hiret e saj, por që i ka lënë te piktori zjarret e shpirtit…

Shuarja e artistit

 

A shuhen artistët? Çfarë mbetet nga ata? Çfarë mbeti nga Michelangelo, nga Goya, Velasquez, El Greco, Manet?… Sigurisht ata shuhen fizikisht, por vepra e tyre u mbetet shekujve, dritës njerëzore.

Monet ndërkohë kishte vdekur kur Degas kishte shkuar të jetonte në 6, Boulevard Clichy. Më parë kishin vdekur Mallarmé, pastaj Gauguin dhe Pisarro në vitin 1903; më 1906, u shua Cezanne. Vetëm vdekje artistësh të mëdhenj. Atëherë ai kishte një koleksion të madh veprash, tablo nga piktorët më në zë, të cilat i kishte blerë vitet e fundit, madje donte të krijonte një muze me emrin e tij. Por shpejt një trisht i madh e mbuloi, sytë nuk i shikonin mirë, ngjyrat i dallonte me vështirësi dhe më së fundi ai u dorëzua, nuk donte të pikturonte më. Dilte i vetmuar, meqë doktori i kishte thënë të ecte. Ikte bulevardeve duke bredhur gjithë ditën dhe kthehej në mbrëmje ose të nesërmen. Ngjante si një personazh homerik, i shkëputur nga bota që e rrethonte, ndërkohë që familjarët e tij ziheshin se kush do t’i trashëgonte veprat e tij, duke e detyruar të ndryshonte testamentin. Një herë deshi të shkonte në një manastir të largët dhe të vdiste aty, larg kësaj bote të zhurmshme. Një ditë tjetër mendoi dhe të martohej, meqë kjo jetë beqarie e kishte mërzitur shumë. Dhe ndërkohë, kur ishte shitur koleksioni i pikturave të dikujt dhe tabloja e tij “Danseuses à la barre” në këtë koleksion u shit 435.000 franga, dikush e kishte parë në fund të sallës tek vështronte i habitur.

– Ç’përshtypje ke që kjo tablo u shit kaq shumë? – e pyeti një nga ata që e njohu.

– Çudi, – u përgjegj Degas, – unë e shita veçse 500 franga, – dhe ai ishte larguar qetësisht nga salla.

Kur vinte ndonjë admirues ta takonte në shtëpi dhe ai e pyeste për punët e reja dhe krijimtarinë e tij, Degas i përgjigjej:

– Çfarë? Pikturë? Ah, kjo nuk më intereson më!… Dhe ai shtonte: – Pleqëria është e çuditshme… e habitshme si bëhesh indiferent për gjithçka!”

Një ditë, dramaturgu i famshëm Sacha Gutry po realizonte një film dokumentar për njerëzit e mëdhenj të Francës. Dhe ai shkoi të trokasë në shtëpinë e tij, por guvernantja i mbylli portën:

– Zoti Degas nuk do të shohë më njeri!

Degas kishte dëgjuar që ata po bënin fjalë dhe doli te dera. Kur e pa atë që po i merrej fryma nga shkallët që kishte ngjitur, i tha të ulej një çast. Dhe ai i tregoi pse kishte ardhur, por Degas i ishte përgjigjur:

-Jo, zotëri, dua të më lini rehat në qoshen time.

– Po ju do të jeni krahas Monet, Renoir, Rodin…

– As dua t’ia di! – ishte përgjigjur Degas.

Atëherë Sacha u largua, por poshtë në trotuare ai u tha operatorëve të bënin kamerat gati që kur Degas të dilte si zakonisht, ata ta filmonin fshehurazi. Dhe ashtu do të ndodhte… Degas doli me syzet e errta të tij dhe një kapele të vjetër rrasur në kokë, si një njeri i zakonshëm që askush nuk e njihte në rrugë. Kështu, operatorët e filmuan dhe ne kemi sot imazhin e gjallë të plakut Degas në vitin e fundit të jetës së tij.

Gjatë jetës së tij si artist, kritikët shkruanin se Degas ekspozoi vetëm një skulpturë, “Balerina e vogël”. Por kur ai vdiq, në atelierin e tij u gjetën shumë skulptura të mrekullueshme, balerina, vajza të vogla, kuaj… (si “Cheval au galop”, “Cheval cabrant”, “Cheval à l’abrevoir”, etj). Kishte filluar të bënte skulpturë atëherë kur nuk mund të bënte më pikturën. Më ndryshe ishte me formën, baltën… “Kjo është një punë të verbërisht! – thoshte ai. Skulpturat e tij, një tjetër imazh i artit të këtij artisti.

Modernisti i shekullit XIX Edgar Degas vdiq dëshpërimisht. E vetmja dritë që duhet të ketë pikasur para se të ketë mbyllur sytë duhet të ketë qenë ajo e balerinave. A thua ende kërcenin në skenën e teatrit, siç i kishte pikturuar ai? Kushedi… Enigmën, Degas e ka marrë me vete, por sidoqoftë, tablotë që shohim sot na sjellin ngazëllimin e piktorit të madh.

Do doja që këtë ngazëllim ta gjeja dhe në tablotë e sprovat e piktorëve, e miqve të mi shqiptarë. Sallat e dansit janë aty. Kush vallë u është afruar?… Edhe trupi ka alfabetin, gjuhën e vet, hiret e lëvizjes dhe kjo mund t’i frymëzojë, si dikur piktorin Degas…

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...