Pushime në stane

Kultura

Pushime në stane

Nga: Fatmir Lohja Më: 11 shtator 2019 Në ora: 08:00
Fatmir Lohja

Pas përfundimit të studimeve në Institutin e Lartë Bujqësor, me emëruan në një kooperativë malore. Qyteti ku kam lindur, me fshatin Drizë, është dy ditë udhëtim, si në shkuarje, edhe në kthim.Familje ime qe me origjinë punëtore. Babai mbante teserën e partisë, me propozimin e klasës punëtore. Pa pyetur për deshirat e mia rinore, më degdisën të studjoja për agronomi!?

Punova e jetova tre vite në mes maleve ,ku pula ha gurë. Çfarë shkencë mund të bëja,në një kohë kur koopertivat ishin drejtë shpërbërjes !? Më pëlqeu një mësuese vendase. U martova me dashuri, por e ndihmuar pak edhe nga mblesëria. Demokracia me gjeti prind, me një djalë, pa asnjë pasuri e katandi. Si i papunë sëbashku me nusën, djalin , u riktheva te prindërit. Për t’i siguruar bukën , kalova shtatë male, shtatë lumej, për të arritur në Greqinë fqinjë . Me hundën lart ,u prezantova si agronom me shkollë të lartë.Nuk bëra prokopi,se pronarët grekë kërkonin punëtorë me arsim të mesëm bujqësor. Të lauruarit në universitete nuk i honepsnin .

Lashë Greqinë se nuk bëra prokopi as per vete,e as për familjen. Me skaf, në, një natë dimri, që nuk do ta harroj sa të bëj ymer mbi dhe, arrita në Itali. E ula hundën, nga eksperienca e Greqisë.U prezantova te italianët agronom me shkollë të mesme .Me punë arrita të krijoj besim të vendasit. Kam terhequr familjen.Jemi shtuar edhe me një djalë .Jetojmë për bukuri, si emigrantë që jemi.

Në Shqipëri kam ardhur për detyrime të ndryshme si familjare,edhe shtetërore, se nuk m’u grumbullonin para në bankë, për të bërë pushime,siç i pëlqej . Meqë edhe djali i vogël filloi punë, këtë verë e planifikuam të pushojmë më gjatë burrë e grua. Pas shumë vitesh, do të shkonim edhe në fshatin e nusës,se do të martonte vëllanë e vogël.

Pas dasmës, nusja më kërkonte të më niste te shtëpia e prindërve të mi, me shpejtësi. Prej vitesh ma kishte mbushur mendjen se fshati qe braktisur. Kjo ishte arsyeja, që në Drizë, u riktheva për herë te parë ,pas afërsisht tre dekadave.Në fakt realiteti me doli krejt tjetër, nga ajo që më ka treguar gruaja.Rinia, të cilën nuk e kam njohur, qe shkulur me kuç ,e me maç, ndërsa bashkëmoshatarët e mi, shumica erdhën dhe më takuan te shtëpija e vjerrit, me shumë mall.

Nga respekti i vendasve ndjehesha mirë .Më propozuan të shkonim te stanet e tyre, në pllajën mbi malin e fshatit. Nuk kam qënë asnjëherë. Si zonë kufitare, policija nuk më jepte lejen , që kërkohej domosdoshmërit nga kufitarët. E prita më shumë deshirë ftesën, ndonëse nusja këmbëngulte për mungesën e kohës sime.

Të nesërmen, hipur mbi mushkë, u nisëm për te stanet. Nusja ende nuk e pat ndarë mendjen të më shoqëronte. Nëse e vendoste, do të vinte me makinë rrugës së gjatë sëbashku me gratë. Pas një ore udhëtim, në shteg dhishe, arritëm në lendinë.

U bëfasova me çka më panë sytë. Jeshilllëku i barit të njomë,spërkatej nga ngjyra të ndryshme të luleve të vogla. Stanet ishin të rrethuar me derrasë ahu me shumë finesë. Stanicat ,të ndertuara me gurë, e dërrasa,me arkitekturë të thjeshtë vendase, dukeshin secila me e bukur se tjetra.

Ndjeja kënaqësi maksimale kur mbushja mushkërintë me ajër të pastërt.Sa pija ujin e akullt te burimi,më gërryente urija, për të më turpëruar,për të kërkuar ndonjë kafshatë bukë, si fëmijët çamarrokë. Për ditën ,dhe natën e parë,nuk u bë debat i nxehtë, se do të qendroja te stani i familjes së vjehrrit. Potere u bë për ditët tjera, për të caktuar siranë se në cilin stan do të shkoja si mik. Më ndihmoi vjehrri, si më i madh në të pranishmit, për të bërë kalendarin e levizjeve. U la , fjalë burrash, që për dhjetë ditë do të qendroja në stane, për të mos i mbetur hatri miqve të mirë.

Më mjaftonte koha për t’i bërë qejfin edhe miqve, edhe vetes. Për ushqime, bylmet, mish të pjekur në hell , mjaltë me shumicë.Frutat e pyllit gjendeshin si po i don. Rakija e kumbullës secila më e pastërt, dhe e fortë se tjetra.Llafe e biseda, në gjuhën shqipe,nga mëngjezi deri në darkë.Çfarë mund t’u kërkoja më shumë drizarëve bujar!?

Në fillim, në ndenjet në stane,më shoqëronte vjerri edhe nusja. Vjehrri nuk e pëlqente prezencën e së bijës në kuvendet e burrave. Pak më hile më kërkonte ndihmë ,për të mos e marrë me vete.Nuk më shkonte ndermend, të shkapetasha me gruan,në bjeshkë.Kur e duroj unë, në vazhdimësi me djemtë,pse mos t’a duronte edhe ai ,në ato pak ditë!?

Malsorët mbronin traditat e tyre,me sinqeritetin maksimal,se më konsiderojnë mik, që u shkoi pas rreth tridhjetë viteve.Edhe entuziazmi i dasmës ende nuk pat rënë. Uleshim këmbëkruq rreth sofres.Thelat e medha të mishit të pjekur,i kalonim në gojë pa thika e piruj.Rakinë e kumbullës,të futur në shishe aranxhate ,e rrëkëllenim sipas deshirave,pra pa dollira të gjata. Në bujtinat, restorantet ,që kanë hapë, për të pritur turistët,i gjen të gjitha komoditetet dhe me sherbim cilesor. Në ambiente të ngushta,i ruajnë traditat me fanatizëm.Nuk e durojnë zërin e grave në mes të burrave. E konsiderojnë për turp, e për faqe të zezë, të flasë gruaja në emër të burrit.

Në Itali nuk e kam vënë re, se gruaja u përgjigjka edhe kur pyetja më drjetohet direkt. Italianët flasin të tërë menjëherë,si në debatet e studiove televizive shqiptare. Në stane, burrave , nuk u shkon ndërmend t’i ndërpresin fjalën njëri –tjetrit si italianët. Pas përgjigjeve të gruas, për pyetjet e adresuara për mua, të pranishmit më shihnin më dhimbje.U vinte ligsht kur më shihnin në atë gjëndje.

U hap debati me temë politike. E ndiqja me vemëndje pasionin e drizarëve ,në mbrojtje të ideve vetjake.

Si mendon ti dhëndër?- më pyet vjehrri,meqë nuk po shprehja asnjë mendim.

Goni nuk merret me politikë! Jetojmë në Itali,- ndërhyri nusja si rrufe në qiell të kaltërt.

Çohu bijë! Nuk është vend për gratë këtu. Shko te shoqet e ndihmoi me eksperiencën tënde itliane!- e urdhëroi vjehrri me sertësi.

U befasova, kur nusja, si flutur , me buzëqeshje ndaj të atit, u ngrit në këmbë. Zhdërvjellësia e saj u bë zap. Mospërfillja,e përkëllelur nga meshkujt në familjen tonë, u përthye pa asnjë protestë, sado elegante. Më vinte keq qe e shihja si mace të lagur, por emocionet nuk më zgjaten . Përpara se të dilte nga stanica,me shikim nga lart , kërcënues, ma dërgoi mesazhin e qartë: ”I mjeri ti nëse rri këtu pa mua!”. Shikimi i saj ma prishi gjakun. E kalova me buzëqeshje, për hatër të miqve të mirë. Mu rrit respekti për vjehrrin, që i ruan me fanatizëm traditat burrërore të zonës. U lirova bukurmirë, pa prezencen e nuses rreth sofres .E ndava mendjen njëherë e mirë, së tilla ambiente nuk gjej askund në Itali. Pushimet në Drizë do t’I kaloja si sarahosh,në respekt të rinisë sime dhe miqve të mirë.

Vendasit, më kërkonin me kërshëri mendime për politikën e ditës. Nusja ime nuk flet vetëm budallallëqe. Kishte pak të drejtë, kur tha,se nga Italia,nuk mund ta njohim mirë politikën bashkëkohore shqiptare.U mundove t’i bëj një rezume, mendimeve të tyre pasionante. Doli se; në politikën shpiptare, nuk paska as të majtë, e as të djathtë; politikanët vetëm për xhepat e tyre mendojnë.Për pyetjen,se cili është më i mirë ndër të këqijët, u ktheva përgjigjen : Krahasimi midis dy të këqiajve, nuk është arsyetim i drejtë,se nuk sjell asnjë dobi në komunitet.”

Atë ditë ndenja shkoi më gjatë se të tjerat. Dreka e darkë u bënë bashkë. Pas largimit të nuses, në ndenjet tona, nuk u dëgjuan më cicërima grashë. Për të mos bërë sherre me gruan në bjeshkë, nuk i lija rast të më afrohej. Kur më çonte fjalë,se më kërkonte,i ktheja përgjigje se nuk kam kohë, meqë jam i zënë në biseda seroze me burrat. Më ndihmonte edhe vjerri. Për asnjë çast nuk më ndahej, për të ruajtur traditat në marëdhënjet me dhëndërrin.Edhe unë nuk ia kam prishur qejfin asnjëherë .Ai , si burrë i zgjuar,e përcillte me kënaqësi faktin, që unë nuk ia sillja pranë të bijën ,për të bërë punën e sufleres.

Në bjeshkë shijova dy kënaqësi të veçanta, në marëdhënjet me gruan.Së pari, nuk tentoi të ulët më, në asnjë sofër me burrat, ndonëse të zotët e staneve e ftonin me gjysëm zëri. Më pëlqen që malësorët i ruajnë traditat si në kulirani, edhe në burrëri. Së dyti, ma nderoi faqen, kur i përkëdhelte kalamajt vendas, duke i bërë për vete, me metodat e saj edhe si nënë, edhe si mësuese. Qejfin e atyre dhjetë ditëve në stane, do ta mbaj mend tërë jetën. Tentativat e nuses, për të më ndërprerë pushimet, me sebepe të kota, nuk i ecën . Në arritjet e mia, meritë kryesore e pati vjehrri.

Në Itali, nusja, mundohet ta hapë sherrin e pushimeve në stane.I ka mbetur gozhdë në tru trajtimi nga vendasit. Veprimet e mia i analizon skandaloze, në marëdhënjet familjare. Paskam shkelur,me të dyja këmbët,të drejtat e grave!? Edhe sot nuk ndjej pendesë, për veprimet e mia në Drizë,prandaj buzagaz ia pres shkurt:”Të dënoi yt atë, e jo unë. Mbaje vath në vesh, se sipas vendit bëhet kuvendi! ”

I kam lënë me gojë hapë, miqtë e mi italianë,me përshkrimet e pushimeve në stane. Shumë prej tyre kanë kërkuar, që verën e ardhshme të vinë me mua. Guidat turistike,që më dhanë drizarët,i kam shumëfishuar dhe shpërndarë në ambientet ku njoh. I kam porositur italinët,nëse duan t’i shijojnë bjeshkët shqiptare në origjinalitetin e tyre,t’i porosisin gratë më përpara,që të flasin sa më pak.Në të kundërt, do të dalin jashtë vemëndjes,identik si nusja ime.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat