Nevoja për t’u vetërrëfyer më shtyu drejt shkrimit letrar… - Bota Sot
Nevoja për t’u vetërrëfyer më shtyu drejt shkrimit letrar…

Kultura

Nevoja për t’u vetërrëfyer më shtyu drejt shkrimit letrar…

Nga: Dukagjin Hata Më: 2 nëntor 2019 Në ora: 19:00
Kristina Demiri Dojçe

Kristina Demiri Dojçe është shkrimtare me një profil të veçantë, që në librat e saj fokuson historinë dhe përditshmërinë shqiptare. E vendosur me banim në Selanik të Greqisë, ku jeton prej njëzet e pesë vjetësh, në librat e saj me poezi, tregime dhe dy romanet, ajo sjell një letërsi të çilruar nga klishetë, me hovet e një romantike dhe dramatike të jetës së gjallë njerëzore. Në artin e saj shkrimor fokusohet një gamë tematike dhe ideoemocionale në kohën e një brezi të keqkuptuar, ku traditat, zakonet, kodet psikike dhe morale, tabutë dhe klishetë kanë një fytyrë tipike ballkanike.

Ka lindur në qytetin e Korçës, ku mësimet e para i ka kryer në shkollën ”Naim Frasheri ”, shkollën e mesme në gjimnazin ”Raqi Qirinnxhi ”, po në këtë qytet. Studimet e larta i ka kryer në Universiten Shtetëror tëTiranës, në degën Filologji. E diplomuar ”Mësuese e Gjuhës dhe e Letërsisë për shkollë të mesme.”, në vitin 1970, e ushtroi këtë profesion deri në vitin 1991, sepse largohet nga Atdheu, në emigrim, në shtetin grek, ku vazhdon të punojë e jetojë. Që në moshë të vogël, ka pasur pasion shkrimin letrar, ka adhuruar poezinë dhe letërsinë…

Kristina shkruan lehtë, sikur hedh me një dorë të shpejtë shenja mbi telajo; ajo di të zgjedhë e të selektojë me kamerën e saj vëzhguese, prej shkrimtareje shijehollë, të veçantat e produktit artistik, duke ia nënshtruar ato një analize të imët, tekstore e nëntekstore, të drejtpërdrejtë dhe poetike.

Është veprimtare e mirënjohur e organizatës “Jeta” Selanik, ku ka dhënë kontribute të shquara për mësimin e gjuhës shqipe nga fëmijët e emigrantëve shqiptarë. Gjithashtu është veprimtare e përkushtuar e gruas dhe aktiviste qëndrestare për të drejtat e saj. Mban titullin e lartë “Ambasadore e Kombit”, akorduar nga autoritetet më të larta të shtetit shqiptar.

Të gjitha këto kontakte dhe lidhje i kanë shërbyer edhe si “lëndë e parë” për tematikën e krijimtarisë së saj, që pulson ritme të forta jete njerëzore.

Në këtë intervistë me zemër në dorë, ajo rrëfen të “fshehtat” e letërsisë që shkruan, “kodet” e rrëfimit, raportet mes të ndodhurës dhe të shkruarës.

-Çfarë është letërsia për Ju?

-Është një magji. Një hapësirë që kërkon gjithmonë të mbushet dhe të plotërohet. Një udhëtim ndryshe drejt vetes dhe drejt atyre që më rrethojnë, drejt kohës, historisë dhe përditshmërisë…Letërsia  për mua është një dimension përtej realitetit të zakonshëm dhe gjërave të zakonshme,një udhëtim në një kohë dhe hapësirë të panjohur, që është koha dhe hapësira e shpirtit të lirë…

-Letërsia. Duket më shumë se një ëndërr…Një hije…Një imazh flakërues…Si erdhi ajo tek ju?

-Që në moshë të vogël, kam ndier brenda vetes të më bulonin grimca letrare, kujtesa dhe emocione që lidheshin me botën e shkrimit. Por më dukej aq fanatstike bota e shkrimit estetik, sa nuk guxoja t’i afrohesha. Druhesha mos më ikte e më braktiste përgjithmonë për shkak të guximit për t’iua qasur dhe afruar. Ndonjë krijim letrar si poezi apo skicë të thjeshtë, që e shkruaja thuajse fshehtas, nuk e paraqisja për botim, e mbaja brenda vetes si një thesar. Kështu që ajo, letërsia dhe krijimtaria,ndërkohë që ushqenin fantazinë time fëmijnore dhe rinore, mbetën një ëndrra në sirtar, për shkak të kësaj ndroje…

Sigurisht, unë nuk rrija “duarkryq”, por lexoja e lexoj pambarimisht, duke e ushqyer shpirtin dhe mendjen me gurrën e pashtershme të artit shkrimor. Krijimtaria ishte aty, brenda meje, me tema e motive që gëlonin, me kujtesa dhe emocione që prisnin çastin për të shpërthyer dhe dalë në dritën e diellit.

-Befas ju shpërthyet dhe brenda një kohe relativisht të shkurtër, prej disa viteve, keni botuar disa libra, një vëllim me poezi, një vëllim me tregime, dy romane. Ç’mund të na thoni për këtë?

-E thashë pak më sipër, krijimtaria letrare flinte brenda meje dhe priste rastin për t’u “zgjuar”. Ishin motive e mbresa estetike që shtyheshin në radhë, kush e kush të dalë më parë në agjendën time krijuese. Shumë poezi e tregime i kisha hedhur me kohë në letër dhe tani kishte ardhur koha t’iu rikthehesha e t’i bëja gati për botim. Në dhe të huaj, nevoja për t’u vetërryfyer është një nevojë e ngutshme, thuajse urgjente dhe kjo nevojë më shtyu t’i rikthehesha pasionit të vjetër, shkrimit letrar…

-Ju keni rreth 25 vjet që punoni e jetoni në Selankik të Greqisë. Sa ka ndikuar kjo në krijimtarinë tuaj?

 E thashë, në vend të huaj, nevoja për t’u vetërryfyer është një nevojë e ngutshme, thuajse urgjente, pasi kujtesa e ridimensionon shpirtin e njeriut. Distanca me Atdheun të bën më të ndjeshëm, më fleksibël, më të prirur për të gërmuar në skutat e unit dhe të çdo emocioni njerëezor. Në këtë kuptim, Selaniku, ky qytet i dytë i rëndësishëm i jetës sime, pas Korçës që zë kryet e vendit, me magjitë dhe joshjet e tij, me pengesat dhe vështëristë sizifiane që hasë një emigrant, u bë si të thuash, katalizatori i nxitjes së këtij rrugëtimi letrar.

-Ju jeni veprimtare e shquar e organizatës “Jeta” dhe aktiviste qëndrestare për të drejtat e gruas. Ju ka penguar apo favorizuar kjo në shkrimin letrar?

-Sigurisht, më ka favorizuar. Sa më aktiv të jetë një shkrimtar, aq më shumë prurje vijnë në krijimtarinë e tij. Shumë tema dhe motive unë i kam marrë nga kontaktet e drejtpërdrejta me njerëzit, falë këtij angazhimi që unë kam në këto fusha që ju cekët…

-Ju kanë quajtur “një Dora D’Istre e emigracionit dhe disaporës shqiptare. Keni ndonjë koment?

-Natyrisht, më vjen mirë dhe ndihem e “përkëdhelur” nga ky krahasim me një emblemë të shqiptarisë. Do të isha e lumtur të kisha bërë një të qintën e asaj çfarë ka bërë kjo ikonë e trashëgimisë më dinjitoze të vlerave të femrës dhe të gjithë botës shqiptare. Ajo për të cilën jam krenare është fakti se kudo ku më shkel këmba në dhe të huaj, bëj çfarë mundem për të lartësuar vlerat e kombit tim dhe këtë e bëj me përkushtim, pa kërkuar asgjë si shpëblim. Shpërblimin e kam brenda vetes, kur ndihem e plotësuar dhe me fat që bijë e këtyre trojeve historike qëndrestare, që jam shqiptare…

-Në poezitë, tregimet dhe romanet tuaja, femra me botën e saj të trazuar, me luftën dhe dielmat e saj, zë vendin kryesor. A jeni ju një feministe dhe letërsia juaj një lloj letërsie feministe?

-Kur shkruaj, unë nuk bëj paracaktime dhe kornizime të asaj që shkruaj. Ajo që krijoj është një llavë përjetimesh, mbresash dhe emocionesh që nuk mund t’i përmbajë, por dua t’i “nxjerrë jashtë”për t’i ndarë me të të tjerët. Kaq. A jam feministe? Sigurisht. Nuk ka femër që nuk është feministe. Unë jam e angazhuar në kuptimin shoqëror për këtë dhe e quaj një kauzë të drejtë, pasi shoqëria jonë dhe bota do të bëhej më e mirë dhe më e përgjegjshme, nëse femra do të kishte atë vend që i takon dhe e mertiton. Nëse ajo që shkruaj e dëshmon në një farë mënyre këtë mission, do të ndihesha vërtetë mirë, madje do të isha e lumtur.

-Në poezinë tuaj lëviz një un i trazuar, që kërkon përsosjen e vetes dhe të shoqërisë. Mos jeni një romantike e pandreqshme?

-Ndoshta. Mendoj se gjithëkush duhet të jetë pak romantik në përvojat dhe kërkimet e tij jetësore. Aq më tepër një poete. Unë e kam si prirje në jetë dhe me sa duket kjo nuk iu ka shpëtuar as poezive të mia, që të shoh anën pozitive të gjërave, të besoj dhe shpresoj tek e mira. Ngjyrat e trishta, pezmin, dhimbjen, ankthin, konfliktet, mungesat, sëmundjet, i kemi me shumicë në jetë, ndoshta në poezi duhet të kërkojmë diçka tjetër, si një nevojë urgjente që ka lexuesi dhe gjithë shoqëria për t’u qetësuar dhe relaksuar, pas gjithë këtyre tallazeve të furishme që përjeton!

-Në librin tuaj me tregime “Unë mbretëresha e Trojes” ju përcillni tregime të shkurtëra me një fuqi të veçantë lirizmi poetik, duke pasur në focus vajzën dhe gruan emigrante. Në çfarë raporti është përvoja personale me fiksionin dhe trillin estetik?

-Të gjitha tregimet që kam shkruar dhe botuar e kanë fillesën nga një ngjarje reale, që ose më ka ngjarë mua, ose iu ka ngjarë shoqeve të mia. Por, sigurisht, kur i kam hedhur në letër si tregime, kam pasur parasysh që të japin mesazhe dhe në këtë kuptim i kam përpunuar me anë të filtrit artistik. Pra mes të ndohurës reale dhe filtrit përpunues estetik ka raporte të ngushta, ata kondicionojnë dhe plotësojnë njëra tjetrën.

-Në romanin tuaj “Fal dashuri”, ju me një lirizëm do të thosha rrënqethës dhe të beftë, zbuloni fuqinë e dashurisë njerëzore, si një kurë kundër çdo sëmundjeje, rënie dhe deziluzioni. Diçka më tepër…

-Ky roman ka në shtratin e vet narrativ jetën time, përballjen me sëmundjen dhe triumfin e njeriut në jetë, përballë gjithçkaje që e kërcënon, me anë të dashurisë. Është një përvojë që e kam ndierë nga brenda vetes me një fuqi shndërruese dhe gjithë këtë rrëzëllim, këtë afeksion të fortë emocional, jam përpjekur të paraqesë me një lirizëm të butë dhe fin. Nuk e di sa ia kam dalë, por kur unë e lexoj këtë roman (dhe këtë e bëj shpesh) ndihem mirë me veten dhe kjo tregon-më falni për mungesën e modestisë-se “kam prekur në tela”, siç thotë populli.

-Romani tjetër “Përballë një kërcënimi” është diçka tjetër. Një histori përkushtimi dhe lufte të një gazetari përballë makinës së korrupsionit dhe krimit politik, apo jo?...

-Po, kjo është tema dhe rreth saj vërtiten të gjitha nëntemat, qasjet dhe mesazhet e romanit. Kam marrë shkas nga ngjarje reale, por siç thuhet në këto raste, të gjitha përkimet me personazhe dhe ngjarje reale janë rastësi. Ky roman nuk përfshihet në atë që ju e quani “angazhim feminist”, pasi personazhi kryesor është një djalë i ri, gazetar dhe analist në një të përditshme shqiptare, që ngrihet kundër krimit të organizuar dhe mafies politike, duke paguar një çmim të rëndë…

-Cili libër/autor që keni lexuar ju ka tërhequr më shumë dhe pse?

-Është e vështirë të veçosh një libër ose një autor, pasi ka aq shumë libra ose autorë që më tërheqin, saqë s’heq dot një paralele të tillë mes librash ose autorësh. Megjithëse, guxoj të përmend disa dhe të veçoj romanin “Shtëpia e shpirëtarve” të shkrimtares Izabel Aljende. Nga leërsia klasike mund të veçoja romanin “Zonja Bovari” të Gustav Floberit, që është një libër me vlera të gjithëkohëshme dhe me mesazhe të forta që janë aq aktuale edhe sot. Nuk mund të lë pa e përmendur «Procesin» e Franz Kafkës, poezitë brilante të Pushkinit, Akhmatovës, Ricos, Me një fjalë, më kanë lënë mbresa për mënyrën koncize të të shkruarit dhe sidomos për mendimet brilante që kanë lënë në veprat e tyre.

Nga shkrimtarët shqiptarë mund të veçoja L. Poradecin, I.Kadarenë, D. Agollin…nga më të rinjtë…oh…janë shumë dhe e kam të vështirë të bëj një listë të tyre…

-Sipas jush a mund ta zëvendësojë ndonjëherë interneti librin? 

-Mendoj se libri është i pazëvendsueshëm, është vlerë, forma më e mirë e “shijimit” dhe mesazhit, diçka që mbetet në jetë, po u ruajt mirë mbetet ndër breza. Sipas mendimit tim, librin nuk e zëvendson asnjë formë elektronike, as interneti, as radio, as televizori.Libri është faktor dhe pasuri më vete, gjithnjë nëse është  libër i mirë. Ky është mendimi im,por kjo nuk do të thotë se duhet detyrimisht të jetë ashtu. Libri është  primar në kulturim e diturim për të gjitha moshat,por tejet i rëndësishëm për fëmijët. Me këtë nuk dua të hedh poshtë internetin, rrjetet sociale, dukuritë e shumta të modernitetit elektronik, që janë një pasuri e madhe e njerëzimit sot dhe frekuentuese e të cilave jam edhe vetë.

-Cili është vesi që urreni më shumë?

-Mosmirënjohja.

-Po virtyti që vlerësoni?

-Sinqeriteti. E çmoj si një kurorë të artë të një karakteri njerëzor…

-Cila është frika juaj më e madhe?

-Se mos më zë frika apo paniku në momente të vështira. Të gjithë kemi të tilla…por duhet t’i përballojmë me gjakftohtësi dhe dinjitet, apo jo?!

-Cila është ëndrra juaj në sirtar?

-Kam shumë…e kush i numëron…Brezi im ishte një brez që bëri shumë, por u konsiderua “brezi i humbur”…Breza të tillë kanë aq shumë ëndrra në sirtar, sa nuk dijnë nga t’ia nisin për t’i numëruar…

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat