Edukimi gjuhësor te ne sot, pas 47 vjetësh nga Kongresi i Drejtshkrimit

Kultura

Edukimi gjuhësor te ne sot, pas 47 vjetësh nga Kongresi i Drejtshkrimit

Nga: Zymer Mehani Më: 20 nëntor 2019 Në ora: 10:22
Zymer Mehani

Tani më dihet se në Kongresin e Drejtshkrimit më 1972 u vendos që shqipja do të ketë një normë drejtshkrimore të vetme dhe kështu u përcaktua që do të kemi një gjuhë standarde, ose të quajtur ndryshe, gjuhën letrare kombëtare apo edhe gjuhën letrare të njësuar. ‘’Norma u bë e detyrueshme në të gjitha fushat e jetës publike dhe u pranua nga shqiptarët në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Malin e Zi dhe te arbëreshët. Kjo formë e njësuar gjuhësore quhet gjuhë standarde’’.1 Prof. dr. Hasan Mujaj me të drejtë shprehet se’’që në fëmijëri të hershme kërkohet të zgjohet kureshtja për nyjëtimin e drejtë të tingujve gjuhësorë dhe të njësive tjera gjuhësore gjithnjë mbi bazën e parimeve fonologjike, fonotike dhe prozodike për të zhvilluar ligjërim sipas kritereve shkencore të gjuhës standarde.2 Në këtë pikëpamje, për kultivimin e shprehjes estetike nga ana gjuhësore, rol parësor ka shkolla, nga e cila nxënësit duhet ta përvetësojnë drejtpërdorimin e gjuhës standarde si në formën e folur, ashtu edhe në formën e shkruar. Sot ne shqiptarët kemi një rrjet të dendur shkollash të arsimit të përgjithshëm e profesional. Shtypi dhe botimet tjera  përhapen kudo. Të gjitha këto kërkojnë që organet dhe institucionet e ndryshme të përmirësojnë rrënjësisht punën e tyre për gjuhën, në mënyrë që gjuha standarde të zotërohet plotësisht në të gjithë sistemin e saj nga shtresa sa më të gjera punonjësish dhe që shkalla e kulturës gjuhësore të ngrihet më lart si në qytet, ashtu edhe në fshat. Në këtë punë me përpjestime kaq të gjera detyra të mëdha në radhë të parë i dalin shkollës, që është vatra themelore e brumosjes dhe e edukimit gjuhësor të brezave të rinj.

Shkolla-vendi më i autorizuar për edukimin gjuhësor

Prof. dr. Hasan Mujaj, lidhur me edukimin gjuhësor thotë se ‘’Shkolla është vendi më i autorizuar ku nxënësit, ndër të tjera duhet ta përvetësojnë përdorimin e drejtë të gjuhës standarde, si në formën e shkruar, ashtu edhe në formën e folur’’3

Nga mësuesit kërkohet që të mos kufizohen vetëm me tekstin, por edhe të gjejnë vetë modelet më të mira të shqipes së shkruar e të folur, sidomos të ndjekin botimet e reja.

Pas luftës në Kosovë lidhur me shkollën na shfaqet kjo mëdyshje: a do të jetë e ndryshme shkolla shqipe në Shqipëri e në Kosovë, Maqedoni e diasporë, apo do të shkojmë drejt njësimit? Për mendimin tim, zgjidhja më e pranueshme do të ishte të shkojmë drejt njësimit, por duke zbatuar konceptet bashkëkohore për mësimin. Sipas këtyre koncepteve, kemi kurdoherë një program mësimor; në bazë të tij ndërtohen disa tekste, prej të cilëve njëri quhet i përbashkët, duke synuar plotësimin e programit, që përbën themelin e përbashkët të njohurive. Por kjo nuk përjashton që mësuesit të kenë mundësinë të zgjedhin ndërmjet teksteve alternative, ashtu siç mendojnë ata se mund të arrihen më mirë synimet didaktike. Shkurt, ky është njësimi i shoqëruar me alternativa. Përpjekjet në këtë drejtim kanë nisur që me librin fillestar e themelin e gjithçkaje, pra, me abetaren. Qëllimi përfundimtar mbetet që nxënësit shqiptarë, pavarësisht se ku ndodhen, ta përvetësojnë mirë gjuhën amëtare dhe thelbin e kulturës kombëtare shqiptare.

________________

 

1 Emil Lafe, Panorama, Tiranë, 15. 1. 2005

2 Hasan Mujaj, Kërkime sociolinguistike, Prishtinë, 2012, f.208

3 Shih më gjerësisht: Hasan Mujaj, Favorizimi i antivlerave, Prishtinë, 2005

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat