Gjygji i grave

Kultura

Gjygji i grave

Nga: Fatmir Lohja Më: 4 dhjetor 2019 Në ora: 10:13
Fatmir Lohja

Një pasdite, shoqatat e grave, më ftuan për të diskutuar rreth  librit tim të fundit, me tregime humoristike, me titull :” Humor familjar.”Nga kënaqësia nuk e mendova gjatë. U premtova se do të vija me gëzimin maksimal. Përgatita diçka të vogël me shkrim , në respekt të zonjave. Më pas,me të parë,me të bërë.

U kënaqa kur hyra në sallën e një hoteli me pesë yje. Rreth pesëdhjetë gra, mbanin librin tim në duar.Nuk ndodhej  asnjë  burrë tjetër,për të bërë be, përveç meje. Edhe kamarjeret ishin zgjedhur vasha lozonjare.U ula  me kënaqësi në krye të vendit, që vete ma  rezervuan. Aq  lexuese nuk më ka ndodhur ndonjëherë  t’i grumbulloj.M’u kënaq syri, duke parë gra secila më e bukur se tjetra. Po prisnja me padurim t’u nënshkruaja librat, sipas traditave, në të tilla evenimente.

- Përballë keni autorin, - e nisi organizatoria, kur gratë zunë vend, dhe i pushuan cicërimat granore.- Sa flisni vend e pa vënd, bëjani pyetjet direkt!

- Unë nuk kam pyetje,- u çua e para një grua rreth të pesëdhjetave,por e mbajtur bukumirë.- Do t’i bëjmë gjygjin, për këtë vepër skandaloze, që ka botuar zotëria. Autor më maskilist as nuk kam parë,as nuk kam  degjuar, e as nuk kam  lexuar.

Meqë libri është me tregime humoristike, e mora për shaka hyrjen e folses.  Filloi të më bjerë në sy, se me kalimin e kohës  grafiku i nxehjes rritej. Shoh shoqet e saja, ndonëse shumë më të; bukura; mbajtura; pispillosura, duke dëgjuar zonjën,po  i shtrengonin muskujt e faqeve  me aspak finesë femërore.

- Na kthe përgjigje!- më urdhëroi folsja,pas rreth njëçerek ore,pa e thënë një fjalë të mirë as për librin,e as për mua.

Salla gjendej në qetësi. Një pështjellim ma mori arsyetimin. Letrën, që mbaja në xhep,nuk e pashë  të arsyeshme ta nxirrja .U përqendrova. Më ngucnin te flisnja.Te sytë e grave nuk shihja ndonjë përshkendijë kënaqësia për librin tim. E nisa  ngadalë, për të kontrolluar çdo fjalë që të nxirrja nga goja. Isha i bindur se një fjalë, e pa mirëkuptueshme nga gratë, salla komode  mund të përfshihej nga  flakët, edhe zjarri i grave.

Me emocione frenetike, u   mundova t’u shpjegoj, se nuk është as burrërore,e as grarore, një luftë midis pesëdhjetë grave me një burrë.Edhe  gruan,që e kam zgjedhur me sytë e mi, e kam frikë, prandaj mundohem t’i bishtnoj zënkave të saja, në publik.Ju kujtova, se vetëm në komunizëm gjygjet,si shtetërore,apo të organizuara nga  levat e partisë në pushtet, nuk i lejonin  mjeranët  të mbroheshin nga avokatët. Me këtë arsyetim, mendova, se me këmbët e lehta, e faqe të bardhë,të ikja turravrap në drejtim, ku nuk do të shihja gra.

Pas fjalëve të mia,zallamahinë e mbylli organizatoria. E premtoi me solemnitet,se avokatinë time do ta bënte ajo. E pabesushme,por mëse e vërtetë, veshët po dëgjonin  fjalë të mira, si për mua, gruan,fëmijët edhe për librat e mi.  Dyshova për ndonjë grackë,kur ajo deklaroi  se do t’i analizonin tregimet me sira.Nuk kisha asnjë të dhënë për organizatoren. A mund të zgjidhet avokati,pa e  njohur!? Iu betova vetes:”Të dalë, kudo të dalë, nuk do ta flas më asnjë fjalë.”

Si fëmijët, në klasën e parë, shfletuan librin tim të vockël. Në nisje tregimi:” Duke parë një film” .E kam vënë krejtë rastëshit në krye .Nuk e mbaja mend se çfarë kam shkruar, se  mbi një vit u suall në duart e shtëpisë botuese. Me qetësoi avokatia e përkoshme, kur nxori librin tim,në shumë vende të nënvizuar.

Sipas grave, përveç  shkrimit,edhe renditja tregon ,se kemi të bëjmë më një maskilst ekstremist, me konkluzionin e përbashkët: “ Mjerë ajo  grua që e ka në krevat!”

- Po citoj se çfarë ka shkruar ky maskilist ekstremist: ”Një variant i burrave, i  përhapur  si mode  epidemike ,në tërë globin, gratë zevzeke,për t’u sjellë trutë në vend, i marrin para duarve dhe i çojnë në  ballkon. Për herë të fundit, u thonë në vesh,më zë të ulët grave  të dashura:” Do të rrish urtë,apo do të shkosh në rrugë, duke i rënë përshkurt?”- A ka burrë më kriminel se ky që kemi përballë, që u bën thirrje burrave të hedhin gratë nga ballkonet e rrokaqielleve?- e mbylli me pyetje një nuse bukuroshe, me tualet të rëndë.

M’u kujtua tregimi. Zeni e tregon me shumë humor.Me hënë të mirë, ka parë  filmin komedi  me të shoqen. Nuk e di se si e kam shkruar,por sa herë e ka treguar Zeni, ose unë,e tërë tavolina ka qeshur shumë. Jeta bashkëshortore nuk mund të kalohet e zymtë. E  pranon   humorin në mes burrit edhe gruas. Me këto mend ishte edhe avokatja ime, prandaj nuk pata nevoja të jepja sqarime.

- Po u lexoj më poshtë se çfarë shkruan autori, për të bindur të shoqen se e ka gabim:” Burri, për turp ,e faqe të zezë, pasi ha dajak nga e shoqja , rri e qanë,duke iu lutur që ta falë!?Eshtë film nuse! Nuk ka burra në glob ,që mund të rrinë si qofte, si ky që interpreton artisti  famoz.” - Ne nga burrat kërkojmë forcën. Cila nga ju e do burrin qaraman në krah?-  iu drejtua  avokatja.

Mendime ekstreme  u shkapetën në mes grave. Mesa kuptova unë, të mallkuar u shpallen burrat që dhunojnë gratë, por edhe për  gratë që tentojnë të godasin burrat, nuk u tha ndonjë  fjalë e hajrit. U habita,kur tok u shprehen:” Mos qofshin ata burra,që pas dajakut të dhënë  nga gratë, t’u lepihen  pas fustanit më vonë!”

- Për mua ,tregimi më skandaloz është ai  me titull :”Kujt i ke ngjarë!?”-  u çua një grua elegante,me syze optike,dhe me librin në dorë.- Po citoj:”Më kapi gazi, me humorin e gjyshit. Nusja qendronte pa folur,si kubla në karrup. E ëma nuk pushonte , duke i dalë zot të bijës, pa harruar  asnjë çast se i ka ngjarë asaj. E kaloi aq shumë masën e  lavderimeve, sa edhe e bija nuk po e mbështeste më.”- Nuk e kuptoni o gra,se ky masklist ekstrem,kërkon të na  mohojë trashigiminë e fëmijëve?- iu drejtua shoqeve me ton,sa mua me hyri frika në palcë,për ndonjë sherr masiv në çast.

U bë si te pazari i Roskovecit. Nuk merrej vesh se kush fliste ,e kush dëgjontë. Të gjitha kërkonin te shisnin mendimin e tyre, si mallin më të mirë në sallë . Avokatia përdorte taktike të bukur. Pasi shprazeshin gratë, bëntë rezumenë.

- A mund të ketë mbyllje më të bukur,për mirëkuptim në  çift, se ky tregim.Po ua lexoj: “Megjithëse nënë e bijë,u tregonin me fakte konkrete, për  dashurinë e tyre për ata, përsëri djali ,me vajzën, ngulnin këmbë se duan gjyshin,  edhe  babin ,më shumë,se nuk u bërtasim me zë të lartë.”- pas leximit të avokates, përkohësisht ra një qetësi e frikshme në sallë.

 Gratë po pozicionoheshin për të mbajtur  qendrim, për rastin konkret . Arsyetimi,   mos pastë fëmijë pa atësi, shkapetej ashpër me variantin, që fëmijët të mos u ngjajnë aspak nënave .Debati  hëngri kohë shumë. Natyrisht,  edhe me ndihmen e avokates, grave iu mbush rradakia  se nuk kisha bërë ndonjë hata maskiliste , edhe në këtë tregim.

Për rreth tre orë , pa pushuar aspak, zonjat  nuk lanë gjë pa sharë te libri im. Falenderoj shumë avokatën, që më mbrojti nga të sertat. Nga agresiviteti që shprehen,pak shance pata për të dalë shendosh nga salla me drita shumë. Një zonjë,me tualet të prishur, me shumë ashpërsi ,kërkoi që librin tim ta grisnin  masivisht ,në ato momente.Tjetra, pas saj, urdhëroi që zonjat, sa të shkonin në shtëpi, të grisnin librat e mi, nëse tinëzisht ndonjë nga anëtarët e familjes  i ka vënë në bibliotekë.

Nga frika e grave ,heshtja ime vazhdonte me kokëfortësi, ndonëse propozimet e folësve më dukeshin  barbare. Kureshtja me frikën kacagjeloheshin në mendjen time.U binda se ato gra nuk mund t’i vija në fre. Me nofullat e shtrenguara, i lutesha të Madhit Zot, të më nxirrte sa më shpejt nga ajo sallë, me drita inkadishente nga lart, dhe luminishente nga poshtë.

- Eshtë injorancë të grisësh, apo të djegësh libra,në mijëvjeçarin e tretë!- urdhëroi avokatia ime me ton.- Edhe ne gratë,si burrat,kemi të metat tona.Shkrimtari, me delikatesë ,na thumbon,që të bëhemi më të mira.E kam për nderë, që zoteria të ma nënshkruaj librin e tij, - dhe ma zgjati librin tim,të nenvizuar nga dora e saj.

E nënshkrova me përkushtim.Do te isha gati,t’i dhuroja dy libra tjerë,në këmbin të atij  që pata në duar.Nga nenvizimet e zonjës,do të merrja këshilla të mjaftueshme se çfarë pëlqejnë, dhe nuk  pëlqejnë damat.U afruan  për nënshkrimin e librit, edhe tre- katër zonja tjera, të cilat m’u duken më të bukura se shoqet. Zemra ma donte t’u thoja disa fjalë të ngrohta,për respektimin e punës sime. Nuk fola se po i qendroja betimit, qe e mora më përpara.

- Ky maskilist i letrave, pse rri si gjel i  lagur? Ende nuk e dëgjuam një fjalë nga goja e trimoshit ,-  m’u turr ajo që diskutoi e para.

Në çast mendova se e hëngra, megjithëse nuk fola. Nga sikleti, muskujt e fytyrës mu shtrinë.  Një buzëqeshje të sforcuar  gratë e panë tek unë.

- “ Burrë e grua,mish e thua, -u kujtoj proverbin popullor, duke i veçuar  rrokjet nga njëra –tjetra, me zërin tim bariton natyral.- Mendoj,se duke qukur me humor të metat e çiftit, jeta familjare bëhet më e emancipuar.

- I paska ca mend zotëria! Nuk qënka krejtë i trashë?- më konstatoi  një soprano.

Disa gra qeshën, sëbashku me mua, për konstatimin e shoqes së tyre. Ai që merret me humor,dhe nuk e pranon replikën humoristike,nuk ka pse merret më me atë punë. Tufza e të sertave u largua me nervozizëm. Pas ikjes se tyre, shumë zonja erdhën për të nënshkruar librin.U dhurova shumë përkushtime,me mendjen top se  :”Gratë janë të mrekullueshme. Të sertat,mos i paçim fat as në shtëpi,e as në lagje, se vetëm të mira nuk janë!”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat