Vështrim për përmbledhjen poetike “Foli guri” të poetit Shaban Pllana

Kultura

Vështrim për përmbledhjen poetike “Foli guri” të poetit Shaban Pllana

Nga: Zymer Mehani Më: 6 mars 2020 Në ora: 17:39
Zymer Mehani

Përmbledhja poetike “Foli guri” (Prishtinë, 2020) e poetit Shaban Pllana si motive kryesore ka lashtësinë dhe qëndresën, prandaj poezitë e vëllimit në fjalë na dhurojnë emocione të qëndrueshme përplot ngrohtësi mbi lashtësinë e truallit amtar dhe qëndresën e tij gjatë furtunave e rrebesheve të shekujve.

S’ka dyshim se përmes vargjeve poeti Pllana shfaq dashurinë ndaj kullës (qëndresës) shqiptare, shpeshherë të shpuar e të bërë shoshë, por asnjëherë të nënshtruar, si dhe për tokën e mbjellë me varre në luftërat e pandërprera shumëshekullore për ekzistencë, për këtë truall, në të cilin u dëgjua dhe prore dëgjohet kënga e shpresës së madhe.

Në opusin krijues të poetit Shaban Pllana kemi hetuar dy gurra të pashtershme që e ujisin muzën e tij; e para është lashtësia deri në kufijtë e të padukshmes (duke e shfrytëzuar edhe letërsinë gojore), dhe e dyta janë kujtimet nga fëmijëria, duke na sjellë kështu rezultate poetike cilësore.

Edhe në vëllimin “Foli guri” poeti Pllana nuk ka bërë përpjekje që vargun ta sjellë të përsosur vetëm përnga ndërtimi (metri dhe ritmi), duke e ditur se këto elemente nuk janë qenësore për vlerën estetike të poezive, por ai prej elementeve poetike krijon një tërësi të organizuar, ku vërehen veç metrit e rimës, edhe muzikaliteti dhe figuracioni i bollshëm poetik.

Poeti Shaban Pllana shquhet jo vetëm për talentin e tij, por edhe përkah specifikat creative, përkah zgjedhja e motiveve, duke krijuar kësisoj një individualitet unikat, krejt të ri krijues. Duke qenë i tillë, ai letërsisë sonë shqipe përgjithësisht, e veçanërisht poezisë sonë bashkëkohore i ka sjellë një prodhim me peshë të veçantë ideo-tematike dhe estetike, duke u dalluar dukshëm nga zëra të tjerë të shumë poetikë te ne, ngase poezia e tij disponon me vlera të qëndrueshme, të cilat në saje të konceptimit të tyre të drejtë dhe të refleksioneve të ndryshme ideo-artistike, si dhe thellësisë së mendimit, të meditimit e të interpretimit të drejtë të fenomeneve dhe të dukurive jetësore, e ngroh duke i dhënë jetë me artizëm të lartë vargun e vet. Prandaj, mund të themi lirisht se poezia e autorit Pllana na imponohet me motive e ide, duke na ofruar mesazhe edhe nga aktualiteti.

Poezia e poetit Shaban Pllana sjell një vision poetic të tij si krijues, ku shkrihen e bëhen një historia, miti, legjenda me përvojën orale me thekset e aktualitetit e me tragjikën sociale të ditëve tona, duke e përceptuar thellë jetën dhe proceset jetësore.

Idetë e vëllimit “Foli guri” janë asofare, që lidhen me ekzistencën tone si komb. Prandaj, poezia kësofare a autorit Pllana na rikujton vargun alipodrimjan, edhe kur është artistike, narrative dhe e drejtpërdrejtë, ngase shquhet nga një fuqi e madhe kuptimësie.

Autori e ka shfrytëzuar mjeshtërisht të vërtetën jetësore në poezinë e vet, prandaj poezinë e tij mund ta quajmë objektivuese të lëvizjeve jetësore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat