Gjeografi e shpirtit

Kultura

Gjeografi e shpirtit

Nga: Dibran Demaku Më: 21 prill 2020 Në ora: 21:04
Dibran Demaku

Një çerep dhe një bukë
zëri i fyellit në një sukë

borë e bardhë si plis mbi male
këngë e vashave në livadhe

uji i lumit rrjedhë nën urë
rreze dielli mbi ca gurë

çerdhe zogjësh shqiponje në plep
gaz i foshnjës zgjuar në djep

çifteli e pushkë në kullë
gjyshi pi duhan në llullë

në një ëndërr në agim
gjeografi e shpirtit tim...


Dashuri në mungesë


unë do të të dua edhe në mungesë
siç të kam dashur nëpër mote
në ëndrrën time pa adresë
mjaltë e helm në fund të një gote

në ëndrrën time pa adresë
mjaltë e helm në fund të një gote
do të të dua dhe në mungesë
siç të kam dashur nëpër mote

do të të dua dhe në mungesë
siç të kam dashur nëpër mote
mjaltë e helm në fund të një gote
në ëndrrën time pa adresë...


Asgjë nuk është më si dikur


ferrat mbuluar i kanë arat dhe livadhet
kostarëve ndryshkur u janë kosat

barinjtë nuk dalin më në maje boke
ujku hëngër i ka delet

bareshat nuki ia thonë këngës në kupë të qiellit
as gjerdan me lule nuk bëjnë në fillim as fund të prillit

asgjë më nuk është asgjë si dikur
as xha Lami nuk nxjerr më anës lumit gur...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat