Edhe mbi gërmadha është poezia e jetës

Kultura

Edhe mbi gërmadha është poezia e jetës

Nga: Visar Zhiti Më: 25 maj 2020 Në ora: 11:30
Visar Zhiti

Nga vuajtjet dhe persekutimet, nga drama e tyre e përbashkët, të nxjerrësh poezinë, se burgjet edhe harrohen, shkatërrohen, edhe teatrot shëmben, por drama mbetet dhe katedralja e poezisë është më e parrëzueshmja se të gjitha,

Duke parë gërmadhat e Teatrit Kombëtar sot, në kohën e pandemisë së “Covid-19”, kujtoj pandeminë ideologjike, “Comunism 45-91”, mbylljet, jo nëpër  shtëpira me familjarët e dashur, por në burgje të rënda dhe të egra, ku kanë vdekur dhe aktorë, regjisorë, vepra të ndaluara, tragjediani themeltar, parësori, Et’hem Haxhiademi, etj. Ndërsa vetë burgjet, ato të kënetave, të aeroportit, të themeleve, stadiumeve etj, as që nuk kanë një memorial dhe të fundmit, Spaçi e Qafa e Barit tashmë janë shkatërruar. Telat me gjëmba i morën banorët përreth për të thurur kopshtet vetiake, një metaforë e bukur kjo, u shkulën gurë e dyer e pragje, por dhe kujtesa kolektive.

Dy revoltat e mëdha të të burgosurve në burgjet e Spaçit dhe të Qafë-Barit, të vetmet kryengritje politike në të gjithë burgjet e perandorisë komuniste, përkujtohen vetëm nga shoqatat e ish të burgosurve apo nga Istituti i Studimeve të Krimeve të Komunizmit, kur veprimtaritë për to duhej të ishin shtetërore, duhej të kishte konferenca, ekspozita, botime të reja, shfaqje teatrore, homazhe për të rënët dhe njëri burg, të paktën, duhej të ishte muze, siç ka bërë bota e qytetëruar, Polonia, psh.

Muzeumet e tanishme, BunArt 1 dhe BunkArt 2, Shtëpia me Gjethe, Vila e diktatorit Enver Hoxha apo ndonjë tjetër, dëshmojnë diktaturës, forcën e saj, ku nuk mungon një si adhurimi i fshehtë, do të thosha, por ende nuk kemi muzeume të qendrës kundër diktaturës, duke filluar qoftë dhe një apartament të ngushtë, psh, ku dëgjoheshin fshehurazi “Zëri i Amerikës”, RAI, Vatikani, edhe “Radio Prishtina” në Veri. Jo më pastaj madhështia infernale e burgjeve. Gërmadhat e shtëpisë së At Gjergj Fishtës janë një akuzë kundër mashtrimit postdiktatorial apo shtëpia e Musine Kokalarit në Tiranë, ku e arrestuan, shkrimtare dhe e para para grua opozitare në Europën Lindore, pas Luftë…

Jetojmë në një teatër shëmbjesh, ku harresa ka thirrur në duel kujtesën dhe befas u bie mbi kokë e gjithë skena. Dramat janë nëpër rrugë.

Megjithatë kujtesa krijon të çara dhe fut ujin e vet në  Titanikun e harresës, që do të mbytet gjithsesi.

Mjafton dhe një poezi për të çarën e ferrit. Një poezi është më e fortë se prangat, se telat me gjëmba, se karakollet e përbindhme të rojave të burgut, se komanda, se dënimet dhe tmerri, në fund të fundit dhe diktaturat bien dhe mbetet poezia e njeriut. S’e kam fjalën vetëm për poezinë e shkruar, por dhe të pashkruarën, që mërmëritet, që është bisedë njerëzore, çast buzëqeshjeje, vetë buzëqshja, që është miqësi burrash në ferr, besë, dashuri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat