Me dashuri e përkushtim për Lurën dhe lurianët - Bota Sot
Me dashuri e përkushtim për Lurën dhe lurianët

Kultura

Me dashuri e përkushtim për Lurën dhe lurianët

Nga: Gëzim Loka Më: 27 maj 2020 Në ora: 23:27
Gëzim Loka

Sa herë kërkoj gjurmët e tua tek Shoqata “Lura jonë”, më vijnë në mend miq e shokë, lurianë e jo lurianë, intelektualë, biznesmenë e njerëz të thjeshtë,  që na u bënë pjesë e udhëtimit tonë, ecën me ne në rrugëtimin e dashurisë dhe fisnikërisë, që lidh kohët dhe brigjet e zemrave të përvëluara nga malli shqiptarisht. Ti je pjesë e kësaj rruge miku im, se e tillë, pjesë e rrugëtimit lurian, është dhe jeta jote plot përkushtim për njerëzit, për lurianët e tu, për vendlidnjen tënde të dashur.

Këtë portret ia dedikoj lurianit Gëzim Hoti, gjithmonë zemërhapur e shpirtpërvëluar nga malli dhe dashuria për Lurën dhe lurianët e tij. Megjithëse i ka mbushur të gjashtëdhjetë e pesat dhe bashkë me to edhe vitet e punës e tani është në pension, duket ende i ri, energjik, komunikues, i afrueshëm me njerëzit, i ngrohtë dhe i çiltër, siç janë lurianët në përgjithësi, që dijnë ta bëjnë mik tjetrin me një cigare duhan.

Me Gëzimin ke gjithmonë se çfarë të bisedosh e fjala nget fjalën e gjuha shkon atje ku dhemb dhëmbi, tek rrënjët tona luriane, tek ai vis përrallor, që na mungon dhe na zgjon aq shumë mallë e dëshira, na obligon për punë të mira në shërbim të njerëzve të atij komuniteti të largët e gati të harruar.

Të gjitha rrugët për njeriun e punës, njeriun e veprimit mbresëëlënës, përkushtues dhe plot pasion në shërbim të vlerave njerëzore e qytetare, të çojnë drejt respektit e mirënjohjes njerëzore, për gjurmët që ti lë në jetë. Këto gjurmë në kohë, teksa iu rikthehet viteve e dekadave me anë të kujtimit, e çojnë rrugëtimin e Gëzim Hotit në stinë e mote ëndërrimi, kur rinia dhe dinamizmi i detyrës qëndronin në të njejtën kurbë dhe i premtonin djaloshit ëndërrimtar një jetë të vrullshme dhe plot kuptim. I Lindur në Lurë më 30 maji 1955, kudo që vajti, në shkollë e jetë, në çdo front ku punoi me ndërgjegje të lartë dhe passion të pashuar, jeta e tij ishte dhe mbeti e lidhur me Lurën e tij, me vendlindjen e dashur, me kullat dhe njerëzit krenarë të atyre anëve, ku dhe buka e kripa kanë shije tjetër e fjala bëhet pëllumb paqeje në dheun e bekuar të karareve.

Pasi kreu shkollën 8 vjeçare “Dom Nikoll Kaçorri” në Lurë, gjatë viteve 1974-1978 vazhdoi studimet në Shkollën Pyjore në Shkodër. Sapo mbaron studimet kthehet në Lurë, ku punon në ekonminË pyjore Lurë dhe më pas në zonen pyjore Fushë-Çidhën Dibër.

Më tej kryen Shkollën Ushtarake të Oficerëve Tiranë, për të vazhduar nga 1979 deri në vitin 1985 në shërbim pyjor në zonat e Zall-Dardhës, Reçit,Cidhnës.

Nga Qereshori 1985 deri në vitin 1989 kryen detyrën e Drejtorit në stabilimentin e shfrytëzimin pyjore Lurë, ku dallohet për punë me rendiment e cilësi, në shërbim të pyjeve dhe lurianëve, jeta e të cilëve ishte pazgjidhsmërisht e lidhur me këto pyje, Në këtë periudhë dekurohet nga instancat më të larta shtetërore të kohës për realizim me sukses të planit nga Presidiumi i Kuvendit të Shqipërisë, me motivacion për kryerjen me rigorozitet e vendsmëri të  deturave dhe planit të shtetit.

Nga viti 1989 deri më 30 maji 2020 ka punuar në Shërbimin Pyjor Tiranë, në të gjitha zonat e kryeqytetit si në Bizë, Shëngjergj, Shupal, Qafë Mollë,Krrabë Prezë, Zallë Herr, Parku Kombëtar i Dajtit.

 45 vjet punë, 65 vjet jetë të mbushura me dashuri, përkushtim dhe emocion, në shërbim të njerëzve dhe vlerave. Gjithmonë në ballë të vështirësive, i pathyeshëm nga asnjë sfidë, i papërtuar dhe me vizion të pastër për jetën.

Kur bie fjala për një burrë fisnik, si Gëzim Hoti, fjalët nuk mjatojnë për të shprehur thellësinë dhe pastërtinë e shpirtit të tij të bukur, mençurinë dhe seriozitetin, modestinë dhe kreativitetin, përkushtimin dhe pasionin që të ofron ai si një mik i rrallë dhe fisnik.

Gëzim Hoti është një shembull e model sjellje fisnike e korrektese, një model shpalimi të një zemre e shpirti të çiltër në komunikim me njerëzit, me brezat dhe vetë kohën.

Çdo kush që e njeh dhe ka kontaktuar me mirësitë e tij, nuk gjen fjalët e duhura për të përshkruar një shpirt të ciltër, një mendje të hapur, një lurian fisnik, modelin e një jete të jetuar me dinjitet e dashuri, një personazh i thjeshtë, një njeri i zakonshëm, një burrë, bashkëshort, baba e njeri me shpirt të madh, ku buron mirësia njerëzore.

Ai ka botë të madhe ndjesishë dhe emocionesh, di të jetë mik dhe shok, di t’ia japë zemrën në dorë me dashuri e çiltërsi gjithëkujt që e meriton shoqërinë dhe miqësinë e tij e sidmos lurianëve, me hallet e të cilëve jeton çdo çast dhe bën përpjeke të jetë gjithmonë pranë tyre, në brenga e halle, në gëzime e hidhërime.

Njerëz të tillë na bëjnë të mendojmë se burri lurian, burri i  traditës dhe vlerave,  është një potencial i madh njerëzor, një shfaqje e mrekullueshme e shpirtit artistik dhe vlerave mençurore, një fuqi e pazëvëndësueshme fisnikërie e mirësie…

Kur shkruan për njerëz të tillë, ndien se lidhjet e tua me kohën dhe bashkëkohësin bëhen më afektive dhe solide njëherësh, pasi tek individë si Gëzim Hoti koha dhe hapësira luruiane, dibrane e shqiptare merr kuptimin e një kërkimi në kujtesë, për të gjetur dhe sendërtuar aty realitetet e një kohe në transformim dhe përsosje. 

Gëzimi është një lurian me vlera të rralla, një person me botë të bukur dhe pasione të bukura, një shok i mirë, kuadër me vlera, individ i formuar, që ke dëshirë t’I besosh ëndrrën tënde, ta këshë gjithmonë pranë në këto kohë të vështira që po kalon shoqëria shqiptare. Ai me fjalën e mbajtur, me besnikërinë, mençurinë, vrullin, spontanitetin, mirësinë dhe përkushtimin e tij kudo e në çdo rast, të bën të mendosh për potencialet që ka kjo shoqëri dhe që vetëm njerëz me botë të madhe si ky lurian i pazakontë, mund t’i zgjojnë dhe vënë në veprim, në këtë trazicion të vështirë që po përjeton shoqëria shqiptare…

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat