Lamtumirë Moikom Zeqo! Studiuesi dhe shkrimtari ndërroi jetë në moshën 71-vjeçare - Bota Sot
Lamtumirë Moikom Zeqo! Studiuesi dhe shkrimtari ndërroi jetë në moshën 71-vjeçare

Kultura

Lamtumirë Moikom Zeqo! Studiuesi dhe shkrimtari ndërroi jetë në moshën 71-vjeçare

Më: 15 qershor 2020 Në ora: 15:45
Moikom Zeqo

Erdha në një ndër vendet ku më së shumti takohesha me profesor Moikomin. Eruditi u shua mëngjesin e hershëm të kësaj të hëne, pasi vuante nga sëmundje e gjatë që rrënoi trupin e tij.

Por trashëgimia e tij është e madhe. Ai na la pas 60 botime të vetat, gjithmonë me kritikën e tij, me shpirtin e tij të gjerë, me njohuritë e tij të thella, me luftën që ai bëri në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, patjetër që humbja e tij është nje humbje e madhe për kulturën dhe letrat shqipe.

Krijimtaria e tij kryesore është poezia. Poezia e kërkimit te tij shpirtëror. Ajo që e shoqëroi deri në çastet e fundit. Si një urë që nuk shuhet e komenton miku i tij Faslli Haliti.

“Të gjithë do ta kujtojmë si një njeri me dinamikë të jashtëzakonshme. Ishte njeri që interesohej për gjithçka. Ishte një respektues i madh. Ai respektonte Dhimitër Shutëriqin, Dritëro Agollin. Shkonte takonte Lasgush Poradecin”, shprehet Faslli Haliti.

“Ai ishte një njeri që u mundua te bente bashke disa tipologji. Nëse ai shkruan për Onufrin merret me imazhet qe përcjell figura e tij. Apo ajo e Naim Frashërit, Jeronim de Rades, Migjenit. Dhe së fundmi Lasgush Poradecit”, thotë Dorian Koci.

Përveç kontributit të tij për monografinë e autorëve të rëndësishëm shqiptarë, publicistikës së tij, profesor Zeqo ishte një zë krijues edhe për letërsinë, artet figurative dhe kinemanë.

“Të gjithë kujtimet e tij i mbaj mend. Ardhjen në Lushnje kur më kishin dënuar. Do te kujtoj shpirtin e tij të gjerë”, tha Faslli Haliti.

“Ai mbetet një ndër prijësit e republikes sonë të letrave dhe poezisë”, shprehet Koci.

Moikom Zeqo mbajti disa detyra të larta shtetërore dhe figura e mendimtarit ishte identiteti i këtij eruditi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat