Një model i njeriut të përkushtuar që do t’i mungojë kohës dhe brezave

Kultura

Një model i njeriut të përkushtuar që do t’i mungojë kohës dhe brezave

Nga: Gëzim Loka & Hilmi Cani Më: 15 korrik 2020 Në ora: 22:01
Hajri Hoxha

Iku nga kjo jetë në një moshë të thyer, duke lënë pas gjurmët e kujtimeve që rrojnë në zemrat e njerëzve, Hajri Hoxha, dibrani që bëri aq shumë për vendlindjen e tij dhe që do të kujtohet jo vetëm nga ata që e njohën, që punuan me të, por nga të gjithë ata që jetuan në kohën e tij dhe dëgjuan për veprat e tij të mira. Ai ishte jo vetëm një kuadër i aftë, që bëri një punë të madhe për rindërtimin dhe ndërtimin e vendit pas Çlirimit, por dhe një burrë bese e nderi, një dibran me shije të holla për jetën, për punën dhe për njerëzit. Në të gjitha detyrat e tij të larta e tejet të vështrira, do të shkëlqente me karakterin e tij të pastër e të drejtë, me mençurinë dhe njohjen e thellë të njerëzve, me përcjelljen e vlerave më të mira dibrane në çdo punë e funksion, ku me devocion e përkshtim kreu çdo detyrë e mision që i ngarkuan.

Jeta e tij qe një jetë e thjeshtë, edhe pse në majat e pushtetit të kohës; gjithmonë mendoi e veproi në emër të interesave të popullit, të atyre që e donin dhe e çmonin për atë çfarë ishte, për peshën e fjalës dhe mbi të gjitha për peshën e veprave të tij në shërbim të të tjerëve. Dibra dhe dibranët e dëshën shumë dhe ai i deshi me fuqinë e një zemre të përkushtuar, e cila rrahu deri në fund për vendlindjen e tij të dashur, për të cilën mendoi dhe luftoi deri në çastin e fundit të jetës.

Në Dibrën e tij, që siç thamë e deshi aq shumë, të gjitha ndjesitë, kujtesat, emocionet, reflektimet rreth të ndodhurës, kulmojnë në një vektor të përbashkët vlerash, duke amplifikuar kryevlerën, që mbart mendimin dhe gjykimin e shëndetshëm për atë çfarë ai bëri në jetën e tij të gjatë prej misionari, në shërbim të bashkëqytetarëve të tij, të cilëve iu shërbeu me mendje dhe zemër të pastër, deri në frymën e tij të fundit. Kur i qasesh një figure të pastër dhe transparente si Hajri Hoxha, gjen në këtë qasje një mori elemetësh që veç e veç dhe të gjitha së bashku përbëjnë një mozaik mbresëlënës të një personaliteti të spikatur njerëzorë, të një burri fisnik, që me dhuntitë, talentin, mirëkuptimin dhe përkushtimin e tij, lehtësisht të dukshëm, ka ditur të përçojë tek të gjithë njerëzit emocione dhe vlera që ia vlen të përgjithësohen.

Ishte bir i një familje atdhetare dibrane, me contribute në histori, me gjurmë në kujtesën dibrane dhe shqiptare. Familja e tij qe e lidhur ngushtë me Luftën, ku e shoqja e tij Resmia ka qenë debatikase dhe gëzon statusin e Veteranes së Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare.

Hajriu ishte një nga qëndrestarët e parë dibranë të Luftës Antifashiste NÇ, ku luftoi me guxim e kurajë në radhët partizane. Në Qershor 1943 lidhet me grupet antifashiste në Dibër të Madhe, ku me 15 tetor përfshihet në radhët e Batalonit “Nazmi Rushiti” në Dibër të Madhe.

Me 18 gusht inkuadrohet në Brigadën 18 sulmuse që në krijimin e saj, me detyrë komisar kompanie. Pra, mori pjesë në mënyrë aktive në LANÇ deri në çlirimin e vendit nga okupatori nazifashistë dhe falangat kolaboracioniste, për tu aktizuar më tej, pas çlirimit në luftë për rindërtimin e vendit nga plagët e luftës.

Nga viti 1954-1959 do të mbajë detyrën e sekretart të partisë së rrethit Shkodër, kun ë një trevë të vështirë do të shkëlqejë intuita e tij, zgjuarsia dhe mirësia që e karakterizuan deri në fund të jetës.

Nga viti  1959-1961 do të shkojë me studime në BS, për të vijuar pas kthimit në Atdhe, nga viti 1961-1970 detyra të rëndësishme në vendlindje, si nga 1964-1967 do të mbajë funksionin e  sekretarit të.Parë të Rrethit Dibër, 1967-1969, postin e  kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të rrethit Dibër.

Ndërkohë nga viti  1966-1970 ka përfaqësuar popullin e Dibrës si deputet në Kucendin Popullor, për të vijuar më tej nga viti 1970-1985 në Tiranë, ku ka kryer detyra të rëndësishme në strukturat e larta shtetërore të kohës.

Për kontribute të shquara në punën dhe detyrat e larta që ka kryer me përkushtim njerëzor dhe atdhetar mban medaljen e 40 vjetorit të PPSh dhe titujt “Nderi i Organizatës së Veteranëve të LANÇL të Shqipërisë” dhe “Nderi i Organizatës së Veteranëve të LANÇL Dibër”.

Në librin e tij “Edhe tërmetet mposhten”, Hajri Hoxha përshkruan më nota të forta realiste dhe romantike përballjen e dibranëve dhe shqiptarëve me tërmetin e rëndë të vitit 1967, duke treguar herozmin e njerëzve dhe gadishmërinë e strukturave politike e shoqërore të kohës për ta vënë gjithçka në shërbim të jetës së njerëzve të goditur nga një fatkeqësi e madhe natyrore.

Ai la një libër në dorëshkrim, të pabotuar, librin me titull “VITE LUFTE E PUNE”,  që është një udhëtim i autorit në kujtesën e tij dhe të brezave që e shoqëruan në rrugëtimin e pandalshëm për një jetë më të mirë njerëzore, për një shoqëri më të drejtë e më të emancipuar.

Hajri Hoxha do të kujtohet gjithmonë nga njerëzit dhe brezat për atë çfarë ishte dhe përfqësonte, për karakterin e drejtë dhe shpirtmadhësinë, për botën e ndjeshme në lidhje me hallet e njerëzve, për gjurmët që la në Dibër, në Tiranë e kudo që punoi e kontribuoi, për një shoqëri më të drejtë, për një jetë më të bukur njerëzore.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat