Të gjithë fëmijët janë engjëj

Kultura

Të gjithë fëmijët janë engjëj

Nga: Viron Kona Më: 12 gusht 2020 Në ora: 06:14
Kopertina e librit

Kemi në duar një libër të ri të poeteshës Emine S. Hoti, të titulluar “Të gjithë fëmijët janë engjëj”. Libri përmban afro 100 poezi dhe është i ndarë në katër pjesë: “Kombi dhe flamuri”, “Femrat shqiptare, bija të shenjta të Nënës Terezë”, “Të gjithë fëmijët janë engjëj” dhe “Për jetën”.

Në pjesën e parë “Kombi dhe flamuri”, poetesha Hoti, nëpërmjet vargjeve të shkruara me pasion dhe dashuri atdhetare, përcjell mesazhe për simbolikën e flamurit të lirisë, vlerësime poetike për Kosovën martire dhe heroike, për lirinë, pavarësinë dhe traditat shqiptare; shpreh ndjenja të thella dashurie për atdheun për të cilin, si e mërguar që është, ka shumë mall dhe dashuri. Me një pathos të thellë poetik ajo e konsideron Kosovën si një nënë të shtrenjtë, vatër të bujarisë dhe të trimërisë, si dhe vendlindje të bijëve të lirisë: “E arritëm lirinë, por duhet ta mbrojmë,/Se ajo është si gjak i trupit për njerinë,/Është më e dashura në atdhe,/Është e shtrenjtë, si nëna për fëmijën”.

Edhe në vëllime të tjera poetike Emine S. Hoti shpreh merakun e saj të madh për bashkimin e trojeve shqiptare të ndara padrejtësisht nga fuqitë e mëdha në shekullin e kaluar. Shqipëria është nga vendet e rralla të botës e rrethuar nga shqiptarë, sepse trupin e saj, grabitqarët dhe të mëdhenjtë e kanë copëtuar në pjesë të ndryshme, ndaj poetesha ngre zërin për arritje të ëndrrës së miliona shqiptarëve për t`u bashkuar në një komb të vetëm, ku të dëgjohet qartësisht gjuha e bukur shqipe dhe të valojë i lirë flamuri i heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeut. Janë kumbues vargjet: “Unë jam shqiptar prej Kosove apo Shqipërie,/Ti je shqiptar prej Malit të Zi a Maqedonie,/Ja dhe shqiptari e shqiptarja prej Çamërie,/Jemi të gjithë pjesë të një treve të lashtë ilirie”. Dhe më tej ajo vijon: “Jemi si gonxhe në një buqetë lulesh të rralla,/Na kanë ndarë padrejtësisht dhe barbarisht,/Le të bëhemi përsëri si dikur një tufë e bukur,/ Vëllezër e motra të bashkohemi shqiptarisht”.

Pjesa e dytë “Femrat shqiptare, bija të shenjta të Nënës Terezë”, ka në qendër vlerat dhe mbrojtjen e femrave shqiptare, të cilat janë në “Në krye të luftës dhe të kuvendeve tona”, e që ishin dje dhe janë edhe sot “Bija të përparimit”. Në mënyrë poetike, zonja Hoti shprehet: “Femrat shqiptare janë në krye të jetës,/ Në krye të luftërave për atdhe dhe liri,/Janë shtylla të familjeve e të shtëpisë,/Mbjellin kudo paqe, harmoni,dashuri”./ “Ato lindin përherë shqiponja të lirisë,/I rritin dhe i frymëzojnë për kombin e atdheun,/U mësojnë rrugën e jetës, zakonet e shqiptarisë,/I edukojnë me dashurinë për mëmëdheun”. Ndërkaq poetesha shkruan se ato: “Janë Teuta, Donika, Tringa, Marta dhe Shota,/Dora d`Istria, Bubulina dhe Marigo qëndistare,/ Janë bija të shenjta të Nënë Terezës famëmadhe,/Janë kreshnike, fisnike, burrnesha, atdhetare”.

Trajton një episod të rrallë poetik poezia “Vetëm”, e cila mendoj se është nga më artistiket e kësaj pjese. Me një gjuhë të thjeshtë poetike autorja vizaton një tablo me motive prekëse e tronditëse, që shkaktojnë dhembje të thellë për ata prindër të moshuar, të cilët i kanë fëmijët larg në mërgim dhe që shpesh herë ndihen të braktisur, ndërsa presin e presin papushim që t`u vijnë fëmijët, nipërit dhe mbesat. Ja se si e shpreh poetkisht zonja Hoti këtë dhembje te poezia “Vetëm”: “Gruaja shtron sofrën,/Me burrin e moshuar ulen përballë,/Shohin të menduar njëri - tjetrin,/Sytë dhe veshët nga dera i mbajnë./Fëmijët janë larg në dhe` të huaj,/Ky qe fati i dhimbshëm i shqiptarisë,/ Ikën si zogjtë shtegtarë e mërguan,/Për një jetë më të mirë. Dhe, poezia ngrihet edhe më lart emocionalisht në vargjet: Dy të moshuarit presin me sytë nga dera,/Mos po vjen vajza, djali, nipi apo mbesa,/Mos është postieri që prej tyre sjellë letra,/ Apo, ashtu iu duk, mos derën e lëvizi era?” Teksa refreni i kësaj poezie, me dy strofa të fuqishme, përfundon me një përshkrim prekës:“Sytë dhe veshët te dera po i mbajnë,/Dy pleqtë e urtë derdhin lot dhe mall”.

Përbën një mozaik tërheqës dhe plot emocion pjesa e tretë e këtij vëllimi poetik, e cila i kushtohet fëmijëve, e ku në qendër janë mbesa e autores Bertina dhe nipërit Loriani, Edwarti, Alfredi dhe Ateo. Kjo pjesë ka shumë dashuri dhe mall, ka ndjenja të bukura dhe të përshkruara mjeshtërisht nga autorja, e cila ka derdhur aty dashurinë e dhembshurinë e saj për “mjaltin e mjaltit”, mbesën dhe nipërit e saj të dashur, që i do aq shumë, saqë nuk rri asnjëherë pa menduar për ta. Kurse, kur ata i vijnë në shtëpinë e saj në Ski të Norvegjisë, ajo ndihet më e lumtur se kurrë, i mban ata pranë dhe çdo rrahje zemre e ka për ta. Edhe në libra të tjerë zonja Hoti shprehet poetikisht lidhur me dashurinë për fëmijët, por mendoj se në këtë vëllim ka disa nuanca dhe pikëzime të rralla, duket sikur autorja derdh pikë-pikë shpirtin dhe mallin e saj, ato çaste zemra e saj rreh fort dhe me një dashuri të parrëfyer, ata fëmijë përbëjnë gjithçka.

Duke u shfaqur si një gjyshe e dashur dhe e dhembshur, poetesha nuk harron vlerat përgjithësuese të artit poetik, dhe, në thelbin e të gjitha poezive tingëllon fuqishëm edhe figuracioni, që rrjedh dashuri për të gjithë fëmijët shqiptarë dhe ata të botës, sepse autorja, si të gjitha bijat shqiptare është dhe simbolikisht bijë e Nënës Terezës. Ndaj dhe librin ajo e titullon: “Të gjithë fëmijët janë engjëj”. “Engjëj të artë janë në zemrat tona,/Janë rreze dielli, drita të shtëpisë,/Me bindje të plotë dhe dashuri themi:/Fëmijët janë e ardhmja e kombit, e lirisë!”

Vijojnë krijimet poetike me poezitë “Tina dhe Lori”,” me poezinë episodike “Alfredi, hëna dhe yjet”, me poezinë “Në pyll”, ku lexuesit mësojnë se atje ku jeton zonja Hoti ka shumë drerë, që janë kafshë fisnike dhe i tërheqin shumë fëmijët. Ndërkohë që ajo tipizon dhe portretizon fëmijët me veçori dhe aspekte të veçanta të tyre, me dallimet dhe bukuritë, me origjinalitetin dhe të përbashkëtat që ata shfaqin në jetë. Te poezia “Buzëqeshja e fëmijëve”, poetesha nënvizon një të vërtetë të madhe që të gjithë e ndjejmë në jetë: “Miljarda bukuri ka natyra,/Mrekullitë e saj janë pa fund,/Por pa buzqeshjen e fëmijëve,/ Gjithçka bëhet e zymtë”. Mbresëlënëse është poezia “Festoj 28 Nëntorin, ditën e Flamurit”, ku fëmija shqiptar në mërgim, Ditën e Flamurit, më 28 Nëntor, vishet me kostum kombëtar me shqiponjë, me plis dhe mban në dorë flamurin kuqezi. Po aq emocion shkakton edhe poezia “Përshëndetja e Lorit dhe e Bertinës”, ku motër e vëlla, urojnë nga Suedia:“Gëzuar 17 Shkurtin Kosova jonë e dashur,/Fëmijët shqiptarë gjithandej po gëzojnë,/Dielli sot po ndrit më shumë se çdo ditë,/Në qiellin e kaltër shqipet e lira fluturojnë./Të përshëndesim me zemër Lori dhe Bertina,/Të lindur në Kosovë, banues në Skandinavi,/Kudo që të jemi dhe kudo që të marrim frymë,/Në zemër dhe në shpirt, atdhe do të kemi ty”. Ky motiv i bukur patriotik i autores vihet re edhe te “Të lidhur besa-besë”, ku shfaqen poetikisht Loriani dhe Edi të veshur me kostume të bukura kombëtare shqiptare dhe duke krijuar me pëllëmbët e duarve simbolin e shqiponjës. Njëra strofë më e bukur se tjetra, ku spikatin vargjet me ritëm patriotik:“Fëmijët e ndjejnë madhështinë e flamurit,/E ndiejnë se ai është sa mijëra kështjella,/Tek ai janë shkrirë gjithë zemrat shqiptare,/ Që nga ilirët, Skënderbeu e Nënën Tereza./Kështu rriten kudo fëmijët shqiptarë,/Të lidhur besa - besë për atdhe e flamur,/Ndonëse të mërguar në vende të tjera,/Atdheun e shenjtë nuk e harrojnë kurrë!”

Pjesa e katërt “Për jetën” përmban poezi që kanë në bazë përvojën e autores nga ajo merr iniciativën të nxjerrë deduksione poetike, që e ndihmojnë njeriun në jetë, ndërkohë që lexuesi përjeton bukurinë e vizatimit artistik dhe dritë-hijet e tipave, portreteve dhe karaktereve të ndryshëm, sikurse, prezantohet me idetë dhe mendimet që ka poetesha për abstrakten dhe konkreten, për konceptet filozofike dhe mendimet që e hudhëheqin njeriun në jetë për marrjen e vendimeve të rëndësishme. Në këtë tufë të bukur poezish zonja Hoti shpreh respekt të thellë dhe nderim për ekipet mjekësore që kanë ndihmuar dhe vazhdojnë të ndihmojnë në luftimin kundër COVID 19.

Duke qenë dëshmitare e krimeve serbe në Kosovë, Emine S. Hoti i kushton vargje të dhimshme njerëzve të pagjetur, të zhdukur në kohën e gjenocidit të egër serb. Këtë poezi ajo e mbyll me vargjet: “21 vet pas lufte, /21 vjet që erdhi pavarësia, /Ende nuk janë zbardhur krimet,/ që bëri mbi popullin tim, Serbia”. Poetesha nuk lë pa thumbuar në këtë vëllim edhe zyrtarët dhe pushtetarët, që janë të etur për pushtet dhe që për pushtetin dhe pasurinë vënë nën këmbë ëndrrat dhe dëshirat e popullit për liri dhe pavarësi. Këto ndjenja zonja Hoti i shfaq sidomos te poezia “Ujqërit përgjojnë”, të cilën e mbyll me vargjet: “Mos e lini popullin nënë mëshirën e fatit,/Se armiku përgjon e dobësitë tuaja pret,/Vesh petkun e qengjit dhe hiqet si i mirë,/Veç populli e kupton se ai është ujk i vërtetë”. Në mënyrë të figurshme, nëpërmjet poezisë “Peizazh”, që është dhe mbyllja e vëllimit, poetesha Hoti shpreh besimin dhe optimizmin e saj për të ardhmen, duke sjell në poezi metafora dhe krahasime që lidhen simbolikisht me pranverën që po vjen: “Lulëzimi ka mbuluar fushën,/Atje larg bleron dhe mali,/ Bletët vërshojnë nëpër lule,/Nektarin luleve ia marrin./Po fluturojnë shpezët lart,/Bilbili këngës bukur ja thotë,/Dallëndyshet përgatitin çerdhet,/Pranvera po vjen si nga mot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat