Lumturia hyjnore e poeteshës Mariana Grigore

Kultura

Lumturia hyjnore e poeteshës Mariana Grigore

Nga: Baki Ymeri Më: 5 dhjetor 2020 Në ora: 16:47
Mariana Grigore

Këto ditë e pa dritën e botimit libri "Lumturi Hyjnore-Fericire Divina" e poeteshës së talentuar rumune Mariana Grigore. Libri është i strukturuar në disa kapituj: Poezi shqip-rumanisht, Poezi në gjuhën rumune dhe Konsiderata kritike. Të gjitha poezitë janë të shoqëruara me ilustrime grafike. Mariana Grigore ka ardhur në botë për të prurë përgëzime dhe hijeshi. Përmes bukurisë hyjnore në poezitë e saj, ajo përvetëson zemrat, simpatinë dhe entuziazmin e gjithë shkrimtarëve rumunë dhe shqiptarë. Poemat e Marianës përfaqësojnë një ishull të paqes, të përmbushur me dashuri. Herë pas here, rima është buzëqeshja e vargut. Nuk duhet t’ua lëmë vetëm artistëve bukurinë, vetëm teologëve moralin fetar dhe vetëm juristëve praktikën e drejtësisë. Jeta kalon, kurse fjalët mbeten. Autorja vjen para nesh nëpërmjet rrugës magjike të frymëzimit. Magjia e poezisë jep një jetë dhe një fuqi, një të drejtë të kështjellës, çdo gjinie të artit. Vargu i Marianës është i thellë, i rrumbullaktë dhe i shëndritshëm si kokrra e margaritarit, me vezullima dhe rrezatime, me tringëllima dhe jehona. Njësoj si lutjet, lulet, pemët dhe fëmijët, librat janë dhurata hyjnore. Librat e saj dhe librat Tuaj e krijojnë historinë. Libri është testamenti i jetës dhe kështjella e dashurisë midis njeriut dhe universit. Poeti është i zgjedhuri i Zotit, ndërsa poezia është balsami i shpirtit dhe universi i energjive hyjnore. Poezia është një dritare e hapur në zemrën e qiellit dhe natës me puthje të zjarrta. Poezia është mbretëresha e shpirtit dhe një zog, fluturimi i të cilit nuk mund të ndërpritet, për sa kohë që drita e ndriçon atë në shpirtin tonë dhe në jetën tonë. Ky vëllim vjen para nesh si një forcë magjike dhe magnetike e emocioneve që krijon fjalorin e mençurisë.

Ajo shkruan për jetën, për dashurinë, për atdheun, për botën, për buzëqeshjen, për muzgun, për trazimet e brendshme, për kuptimin e jetës, për pavdekësinë, për ëndrrën dhe për heshtjen. Njësij si libri paraprak „Heshtja e fjalëve”, edhe ky vëllim i ri (Lumturi Hyjnore) është përmbushja e një ëndrre, një libër që mbetet si një kujtim i bukur në bibliotekën e ndjenjave letrare. Poezia është drita e përjetësisë, çelësi i një buzëqeshjeje magjike dhe pasqyra e shpirtit. Artisti krijon me sytë e mendjes, me thellësinë e ndjenjave dhe me dashuri të sinqertë për të liruar shpirtin. Nuk mund të jesh poet pa i zotëruar cilësitë pozitive të karakterit që e bëjnë njeriun një qenie të prekur nga flatrat e engjëllit. Poeti ka një shpirt të shenjtë që Zoti ia ka dhënë.

Dashuria është subjekti themelor i frymëzimeve të poetes Mariana Grigore. Fjala dashuri shkëlqen në stemën e luleve të qershisë. Puthjet derdhen mbi statujë. Në sytë e Marianës shkëlqen pluhuri i yjeve, burimet e universit dhe lotët e dashurisë. Poezia e saj është e ngarkuar me një imazh specifik, i cili jo vetëm që shpreh ndjenja, por gjithashtu krijon histori, me një rezultat, shpeshherë të habitshëm. Zbulimet medituese janë gjithmonë të veshura me realitetet e thjeshta të jetës së përditshme. Thellësia dhe zbulimi provokojnë reflektime dhe na drejtojnë në territore të ndryshme, të vendosura në një plan tjetër nga ato të zakonshmet, të cilat në shikim të parë duket se janë hapësira të vërteta, por Mariana Grigore di me sukses t’i shndërrojë ato në hapësira të tilla, të bukura, të prekshme, reale dhe imagjinare.

Në poezitë e saj, drejt perëndimit të diellit, pulëbardhat dalin nga deti, si nga një shtëpi e zhurmshme dhe pa fund dhe hedhin qindra çelësa argjendi të butë në koshin e plehrave. Ari është pleh dhe plehi është ar, ka thënë një poet slloven. Ky krahasim me një substrat filozofik dhe metaforik tingëllon i çuditshëm. Mariana krijon një klimë zbulimesh përmes metaforës dhe simboleve, duke formuar jehona njerëzore dhe personale. Më pëlqen prirja e saj ndaj metafizikës së dashurisë dhe ndaj problemeve ekzistenciale të njerëzimit. Mariana ka ndërgjegjen e poezisë në gjak, dhe për mua kjo është e mjaftueshme. Fjala e urtë është rruga e shpirtit, zëri i zemrës që tregon vazhdimisht histori imagjinare, në ekuilibrin e ditëve të gjumit, me sy të hapur duke parë ëndrra, pa frikë se në errësirë drita të mashtron. Ajo ëndërron se si zogjtë kanë krijuar folenë e tyre në pëllëmbën e dorës së saj, me të cilën e përkëdhel fluturimin e tyre për në shtëpitë tuaja.

Duke lexuar poezitë e Marianës, kuptojmë se ajo shkruan me kthjelltësi për dashurinë dhe lumturinë, për botën dhe për shpirtin. Kemi para nesh ndjesinë e këndshme faktit unik që e krijon autori në një zonë të pa dyshuar që të ofron një poezi moderne dhe të papritur. Drita e hyjnisë, shiu i yjeve, ëndrra, koha, kënga e pasazhit, vjeshta që hedh hapa nostalgjikë në rrugën e viteve, janë arsyet themelore në krijimin e kësaj poeteshe të shquar rumune. Peisazhet e shpalosura janë imazhe të perceptimit të brendshëm të botës, e gërshetuar me realitetin e jashtëm. Perceptimi i brendshëm i egos kthehet në një rrëfim për diçka, që duket se shikohet nga jashtë, por në fakt ky perceptim është një vizion i imagjinuar.

Lumturia, vendet dhe heshtja që përshkruan ajo, janë më shumë rezultat i dëshirës për të krijuar imazhe dhe për të treguar histori, sesa diçka që mund të ekzistojë në realitet dhe në jetën e përditshme. Mund të thuhet se Mariana Grigore preferon që objekti i poezive të saj të jetë metamorfoza e dashurisë, sublime dhe pamjet e brendshme të shpirtit. Poezia e Marianës e lartëson, e shenjtëron njeriun dhe dashurinë. Është një vështrim në qiell dhe tokë, vështrim dhe meditim në të cilin shprehen kuptime të thella. Zoti është një prani transparente dhe qenia njerëzore është një mrekulli.

Duke lexuar poezitë e Marianës pata fatin të zbuloj një poeteshë me shumë vlera. Ky vëllim vlerash lirike, është një përzgjedhje poezishë që përfaqësojnë një krijuese që është gjithmonë briliante dhe e frymëzuar. Është një qasje personale që ishte e mundur duke kapërcyer disa paragjykime estetike dhe, pse jo, edhe materiale. Sigurisht, kjo vepër presupozon një nënshkrim të caktuar, në lidhje me një aspekt ose një tjetër, të spektrit të poezisë bashkëkohore rumune. Mundi im për ta afirmuar në të dy gjuhë, bazohet, jo vetëm në kriteret që më përkasin mua, por edhe në kriteret personale të lirikave të paraqitura në këtë vëllim me rreth 200 faqe.

Image

Paraprakisht, Zonjën Mariana e kemi përfshirë në disa vëllime me nga një poet shqiptar (Sali Bashota, Jeton Kelmendi, Lulzim Gashi etj.) Në to takojmë dy poetë të alentuar, të cilët edhe pse janë të larmishëm në stilin poetik, kanë një personalitet brezëror dhe grupor, poezia e tyre duke përvetësuar një fizionomi të veçantë e cila mund të prodhojë një befasi të këndshme për lexuesit në Rumani, Kosovë dhe Shqipëri. Ky libër nuk është as i pari dhe as i funidt, por një vazhdimësi që mund të kënaqë të gjitha shijet. Kjo punë është, në fund të fundit, realizimi i një ëndrre dhe i një pritjeje. Një hap modest, të cilin e hodha duke u përpjekur të krijoja një urë të re lidhjesh midis poezisë rumune dhe asaj shqiptare.

Autorja e përshkruan me pak fjalë vetëveten si një njeri kompleks në thjeshtësinë e ndjeshmërisë dhe në kompleksitetin e përvojave, duke theksuar: “Shkrimi është oaza ime, nga e cila pij flatra fluturash dhe pastaj fluturoj nga përditshmëria e mbingarkuar nga mosëndërrimi i përjetshëm në botën e paasflatuar të Universit. Kjo jam unë, përballë do burimeve biografike që thonë për mua se: U linda në Tërgovishte, Dambovita, më 7 Shtator 1969. Kam absolvente e Gjimnazit Ekonomik në Tërgovishte dhe e Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Bukureshtit. Punoj në Bankën Tregtare Rumune - Drejtimi Juridik, Departamenti i Gjyqësisë, në pozitën e këshilltarit ligjor. Viti i debutimit letrar ishte 2017, kur kam botuar librin me ese/poezi në prozë "Tabelat per shpirtin e ngrohtë", me ilustrime të bukura nga piktori dhe grafiku bukureshtar Mihai Catruna.

Paraqitjet tjera: Revista "Eminesciana", Antologjia letrare e revistës "Eminesciana", Antologjia me shënime, reçensione, kronika dhe komentare kritike "Dogana e Ëndrrave", Anthologjia “Vatra e fjalëve” dhe "Vjeshta e fjalëve”, botuar nën patronazhin e eCreator, Antologjia kolektive e kritikës letrare, Letërsia e Kalimarës”, dhe Revista e poezisë Parnas XXI - vargjet e djeshme dhe të sotme. Nga shtypi doli kohët e fundit vëllimi i poezive ,,Dashuri në udhëkryq të përvojave", të cilin, me një përkulje shpirtërore, ia kam dedikuar nënës sime.”

Nuk kam fjalë!

Ajo që është përtej rrokjes,

Është bërë një dukuri e thjeshtë e qenies sime

Po shikoj përmes tingujve

Dhe me mahnitje zbuloj në mua lëngun

Gishtat ,ë rrjedhin në modele të nyancuara pa formë

Dëgjoj largësinë dhe ia ndjej pulsin e ndezur

Në pșrpjekjen që ma shqetëson, paqen

Shikoj me kujdes natën rreth orëve

Ai qëndron në orën ku kam fshehur çastet e magjepsura

E ndjej fajin e gremiës së rënë në ,ospërfillje të shkretë por,

Nuk më ha palla për frikën e saj të shpuar me dritë

Po dridhem.

Pranë tëmthit më kullon fërgëllimi

Spazma ëndrrash më vlojnë imaterialisht në mendime

Një uri e brendshme gëlltit kofshët e harkuara në braktisje

Po qaj... apo i tund leshrat e zeza në ajrin e egër?

Nuk kam një fjalë...

Vetëm një çift tingujsh nga një botë tjetër.

Mërgim

Sa mirë është të të pëshpëris e dashuruar

Tani, kur u ktheva nga shtegtimet e zeza të natës,

të të ndjej si një puhi me flatrën e vesës së mëngjesit,

e shpëtuar nga kthetrat e eklipseve klandestine

të të prek me vesën që ka rënë nga syri i dritës,

e zhveshur nga ndjenja e të ftohtit

trupin të ta përfshij në një çast heshtjeje

shumëzuar me urinë e gishtërinjve që gatiajnë një braktisje

Çfarë ndjesie pa kohë ka hapësirën që ma ndërton murin

ndërmjet pulsit të përpëlitjes dhe gëlqeres së bardhë

të dridhjeve të kofshëve nën të cilat zoiejnë thellësitë

e harkuara në krahëror

Dua të them se koha ka durim të presë në një skak, por,

nuk e di se si drita do të rrjedhë nëpër anijet e fshehura prej nesh

ose, nëse Ariadna e la fillën e fijeve në rrugën e gurëve

Unë e di vetëm atë që nuk e di...

se vetëm në këtë tokë

do të strehojmë pritjen në një shpellë të mbushur me lule drite

që mugullojnë në zemër,

një livadh i lëmuar nga amnezis e së kaluarës

Mund të shpërngulesh në mua...

kanë lulëziar shtojzavallet në natën e engjëjve!

Drejtim unik!

Ne jemi hijet e tokës

të projektuara në plagët që na dhembin në diell

Ne nuk e njohim stigmën

nga trupi i kalimit pa gjurmë përmes hapit të qiellit të varrosur

Ne shikojmë përmes pasqyrave të pasme,

të zeza brenda imazhit të fshirë nga njollat e bardha

Nuk kemi arritur në vendin ku të shkojmë

dhe ende duke i përshtatur nga pas hapat

jemi kthyer në të njëjtën pikë me shumë kujtesë

Të fluturojmë, nuk mësova mësimet e ecjes nëpër çarje

Qielli nuk është thjesht njolla e kaltërt që na shikon nga lart poshtë

dhe na pyet ndonjëherë për shiun e realitetit prapa shpirtit

Nuk ka dritë me hije

as hije në kalimin e krahëve nëpër portat e doganave

Çdo gjë është vetëm një lot në lumin e ankesës

që na thërret për të tharë mosmiratimin tonë

në shkëlqimin e shpërndarë të çlirimit

në një tjetër rilindje..

Sigurisht, ne do të duhet të mësohemi

me dritën në atmosferën që dhemb!

Vendi im i fshehtë!

U tërhoqa nga pakujdesia e pamatur e mendimit të pashprehur

i cili më pyet me obsesivitet nëse simetria është një masë,

ose një ndjenjë që era e vendos në antitezën time

mes ngjyrës dhe dritës

I mbyll sytë e mendjes sime në vetë-harresë,

shkel me gjurmët e hapave të varur në kyçin e këmbës të kohës

nga e cila ata pijnë sutat hyjnizimin e të kuqës më feta të papastra

dhe prekin errësirën që mbetet në hijen e kujtimeve

me vijën e horizontit midis infinitit dhe thelbit të distancës

Unë jam i uritur nga ky shkëlqim i përhapur

të cilën unë e prek me heshtjen

midis mishërimit dhe rimarrjes së ylberit

Jam duke prekur gishtat e imazhit të rilindur,

Përmbylljen e një derë që më thërret nga jashtë

Shkëputem nga ndjenja tokësore se kam qenë glonë

dhe mbaj sekretin e lindjes në zjarrin që më djeg në zurrë...

Duke parë flakën,

vetëm zi do të kuptosh pse po të thërras

kur shakmisja e shpirtit e kërkon ngjyrën e fundit.

Alfabeti pa numra!

Gjithmonë ka një fjalë që po bredh

e merr fluturimin në jëmbë dhe si një anahoret i shkatërruar nga bota

e thyen heshtjen nga zanorja vokale e zhurmës

Ajo vrapon sipas hapit të britmës,

me shpejtësinë e dritës gjithmonë të ndezur,

duke goditur timpanin e çarë në majnitjen e çekanit

që troket me fuqi hekurin e nxehtë mbi kudhrën e shenjave

që kërkojnë me obsesion,

pastaj ankohet për pamundësinë për të pikturuar presje në caqet e fluturimit.

Gjithmonë pyes veten se pse pikat e finishit janë ndalesa tjetër

Ndjej se në një stacion me trena të thyer në peronin vijues

të cilët i humbën biletat e blera në kioskin me përgjigje.

Uluem në një cep që nuk din të lexojë orkolin nga Delfi

për të pikturuar thënien, "Njohe vetëveten!"

në hieroglifet e orientuar nga e majta e rrahjeve të zemrës,

drejt kolonës së pafund

Vetëm kështu do të mësoj alfabetin pa shifra...

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat