Ku mbeti uniteti
Që u tret për fije,
Na ndjek hasmëria
Nga prapa si hije !
Përçarja, hakmarrja
Veset inatkeqe…
Nuk na lënë rehat
Si morri n’musteqe !
Mbi Atdheun tonë
Të cunguar fare,
Ndjenjat primitive
Lodrojnë ashiqare!
Këndej në Luginën
E njohur për sherr
Më lehtë kopili
Të vihet në derë!
Sa për Unitetin
Si të themi ndryshe,
Kërkon të ushqehet
Me qumësht dallëndyshe !
E me vezë këndesi
Që s’gjenden për farë,
Përveç në godinën
E Këshillit Kombëtar !
Pa i lënë anësh
Pushtetet lokale,
Të kapura n’afera
Tenderë e skandale!
Shqiptari – Shqiptarit
Për një gram pushtet,
I kërcen si mëzati
Edhe nënës së vet!