Ç’është Dita e Lurës?

Kultura

Ç’është Dita e Lurës?

Nga: Gëzim Loka Më: 5 shtator 2021 Në ora: 09:15
Gëzim Loka

Shpesh më pyesin miq e bashkëqytetarë të mi lurianë e dibranë, por dhe më gjërë se çfarë është dita e Lurës, çfarë kuptoj unë me këtë ditë dhe të tjera pyetje të natyrshme, që unë i mirëkuptoj. 

Unë i ndiej dhe i dëgjoj pyetjet tuaja, qoftë dhe të heshtura e të nënkuptuara, se ç’është kjo Ditë Lure, kur Lura ka festat e saj, ditët e saj të gëzimit e haresë etj. Ju thoni se Lura ka si ditë të saj Shëmrajnë, këtë festë gjithëluriane të ritit katolik, por që festohet madhërishëm nga të gjithë lurianët, e çdo besimi qofshin. Të gjitha këto janë të vërteta dhe ju keni të drejtë, por Dita e Lurës, që zgjodhëm bashkërisht ta festojmë të dielën e fundit të çdo shtatori, është tjetër gjë. Është dita jonë e bashkimit të madh.

Dita e takimit të brezave, dita e çmalljes me njëri tjetrin dhe e begatimit e lumturimit të shpir­tërave të etur për pragjet e kullave tona.   

Në këtë ditë ne duhet të kthehemi në origjinën e rrënjëve tona, këtu  në këtë dhe të bekuar ku na ka rënë koka dhe të gëzojmë të gjithë së bashku. Në këtë ditë ne duhet të njohim fëmijët tanë, nipërit dhe mbesat tona që ndoshta nuk kanë qenë kurrë në Lurë,  me traditat dhe ritet luriane, me kararet e dheut lurianë, me besën, burrërinë dhe bujarinë luriane. 

Kjo ditë do të ketë aktivitete kulturore e sportive, vizita në kullat e vjetra luriane, ekspozitë të prodhimeve të veçanta luraine në formë panaieri, ekspozim të punimeve të gurit, drurit, njohja e historisë dhe figurave më përfaqësuese të Lurës.    

Pra Dita e Lurës, që është e dyta herë që na mbledh së bashku brenda këtyre dy viteve, është dita e vullnetit mbarëlurian për të qenë të gjithë së bashku, gjyshër e gjyshe, nëna e baballarë, djem e vajza, nipër e mbesa luriane.   

Është dita e shuarjes së mallit dhe rinjohjes si në baladat e moçme shqiptare.   

Nuk është festë fetare.   

Nuk është festë pagane.   

Është ditë-festë malli e dashu­rie, që na fton të jemi bashkë dhe të njohim e të duam njëri-tjetrin, të njohim e të duam rrënjët tona.   

Në dejet tona luriane rrjedh gjaku i historisë së krahinës sonë, rrjedh gjaku i trashëgimisë luriane që na bën vëllezër e motra me njëri-tjetrin dhe të tillë do të jemi sa të ketë Lurë e lurianë. Prandaj në Ditën e Lurës, ejani ti dëshmojmë njëri tjetrit rrënjët dhe origjinën tonë, dashurinë që na vlon në gji dhe mallin që na ka përlotur sytë.   

Zoti e bekoftë Lurën tonë!  

Zoti ju bekoftë të gjithëve, lurianë të mi!  

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat