Eskapizmi kulturor

Kultura

Eskapizmi kulturor

Nga: Hejza Art Më: 20 janar 2022 Në ora: 09:42
Foto ilustrim

Fjala eskapizëm rrjedh prej anglishtes (escapizm) dhe në përdorim është fjalë relativisht e re, kurse përkthehet si: ikje, të ikësh. Të ikësh nga e përditshmja, nga rrëmuja, nga akustika e lodhshme, nga tollovia, nga ndotja, ndyrësira etj.

Ikjet jo gjithnjë janë logjike, të shëndetshme, të mirëpritura, të dobishme! Për shembull, të parapëlqesh “ikjen kulturore” përballë dukurive akulturore është kulmi i “intelektualizmit hipokrit”! Pa dyshim, gjithkund në botë, shundi, kiçi, për më tepër, antivlera, imponohen me forcë, me arrogancë, me korrupsion, me “marketing të qëllimshëm” të kultivuesit të antivlerës, i cili nuk ka kurrfarë afiniteti tjetër, përveçse akulturimit të masës, në mos edhe mision!

Fatkeqësisht, në emër të lirisë së mendimit dhe të shprehjes, shoqëri jonë nuk ka kurrfarë kornize ligjore, kurrfarë mekanizmi me të cilin do të mbrohej nga “përroi akulturor” i rrëmbyeshëm, i cili, ndonëse nuk mund ta përmbysë identitetin kulturor, mund ta njollosë turpshëm. Shoqëria jonë nuk ka as institucione të mirëfillta, i cili, duke e ndarë sheqerin nga shapi do ta hidhte në plehra, ose do ta hidhte në grazhd si ushqim për lopën, buallin, kalin...

Në të tilla situata, roli i intelektualëve kombëtarë, i akademikëve të mirëfilltë, është i pazëvendësueshëm dhe angazhimi i tyre në mbrojtjen e kulturës kombëtare nga “vlerat” që nuk i bëjnë kurrfarë nderi identitetit tonë kulturor, është më se jetik! Nëse shkrimtari, muzicienti, piktori, skulptori, aktori, këngëtari, kulturologu, kënaqen me faktin se po ia dalin që të pranohen si vlerë kombëtare apo ndërkombëtare, kurse nuk hetojnë se rrjedhat akulturore po i kanosin me përmbytje deri në fyt, atëherë kemi të bëjmë me një hipokrizi nga më të shpifurat.

Fatkeqësisht, po ngulfatemi nga vërshime antikulturore: muzikë që nuk ka lidhje me identitetin muzikor kombëtar, me krijime letrare që i gjen vetëm në letrat shqipe dhe askund në botë, me “prurje kulturore” nga produksione të dyshimtë, me diletantizëm në “folklor”, me përkrahje institucionale në plagosjen e identitetit tonë kulturor. Bardët e veprimtarive kulturore heshtin, nuk dëshirojnë konfrontim intelektual me pseudovlerën, nuk dëshirojnë të merren me “rrugaçët e kulturës”, nuk dëshirojnë t’i prishin raportet me mediat që i japin hapësirë shundit, kiçit, antivlerës! Thjesht, ata mendojnë se janë vlerë e popullit vetëm atëherë kur ofrojnë kryevepra për popullin.

Por, ç’kuptim mund të ketë një lagje elitare, ç’kuptim mund të ketë pastërtia sterile nëpër shtëpitë elitare, ndërkohë që rrugicave të kësaj lagje kutërbojnë kazanët nga plehrat e grumbulluar? Kur qelbet habitati është i domosdoshëm dhe i obligueshëm ndërgjegjësimi i tërë komunitetit, përfshirë këtu edhe ata që mund të jenë pjesëtarë reprezentativë të elitës kombëtare.

Në rrafshin kulturor luftën kundër dukurive akulturore mund ta bëjnë (dhe u takon ta bëjnë) vetëm ata që kanë siguruar vend në panteonin kulturor kombëtar! I pavlerë do të ishte edhe ky panteon nëse nuk do të kishte tutje një incinerator për grumbullimin, kalbjen apo djegien e përpjekjeve, skenarëve, strategjive, mercenarëve akulturorë! Me gjasë, siç po shihen punët, aktualisht populli shqiptar është pa një panteon të tillë me gjithë incineratorin eko-kulturor

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat