​Hapet festivali i dramës shqipe “Talia e Flakës 2022”

Kultura

​Hapet festivali i dramës shqipe “Talia e Flakës 2022”

Më: 23 janar 2022 Në ora: 21:22
Pamje nga festivali

Në sallën e teatrit të qytetit të Gjilanit, sonte është hapur festivali i dramës “Talia e Flakës”, i cili mbahet në kuadër të Manifestimit Mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2022”, nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës, Alban Hyseni, i cili edhe bëri hapjen zyrtare.

Kryetari Hyseni, u shpreh i nderuar dhe kënaqur që para komunitetit artistik dhe qytetarëve të Gjilanit e mbarë Kosovës shpall të hapur festivalin e dramës “Talia e Flakës”, teksa theksoi bindjen e plotë në ruajtjen, kultivimin e avancimin e mëtejmë të trashëgimisë kulturore.

“Jam i bindur që Gjilani do të ruajë këtë trashëgimi kulturore mbarëkombëtare që mbledhë gjithë shqiptarët kudo që janë, e në këtë formë ruan edhe frymën e organizimit të “Flakës së Janarit 2022”, ndërsa festivali i dramës “Talia e Flakës” është njëra prej shtyllave që zgjon më së shumti interesim dhe gëzon përkrahje të komunitetit”, tha Hyseni.

Ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku e ka vlerësuar të rëndësisë veçantë manifestimin “Flaka e Janarit” si tërësi strukturore organizative në kalendarin e aktiviteteve të kulturës gjithmbarshme kosovare, e në këtë kontekst edhe festivalin “Talia e Flakës”, si njërën nga ngjarje nga më të rëndësishme për kulturën në Kosovë.

“Promovimi dhe ngjarjet që promovojnë dramën shqipe janë të rëndësishme për ta shtyrë para krijimtarinë tonë artistike, teatrore, letrare, muzikore e të tjera. Uroj që ky festival të kalojë në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha Çeku.

Ky edicion u kushtohet dy figurave emblematike të këtij teatri, të cilët ndërruan jetë mes dy edicioneve të fundit, organizatorit Raif Haziri dhe aktorit Muharrem Sylejmani.

Në hapje të festivalit u prezantua shfaqja nga Teatrit i Qytetit të Gjilanit “Viganët”, me tekst të dramaturgut Visar Krusha, i punuar dhe vënë në skenë nga regjisori Ilir Bokshi.

Fabula e shfaqjes paraqet ciklin e kreshnikëve, Muji dhe Halili, që përbën pjesën më madhështore të folklorit burimor shqiptar, e po ashtu vlerën shpirtërore të trashëgimisë sonë të pasur burimore.

Në shfaqje kanë luajtur aktorët e trupës së Teatrit të Qytetit të Gjilanit, në koreografi nga Robert Nuha, muzikë të adaptuar nga Trimor Dhomi, skenografi nga Bekim Korça e kostume të realizuar me kujdes nga Vesa Kraja dhe asistente të regjisë, Natyra Kallaba.

Në edicionin e 31-të të “Talia e Flakës” gjatë ditëve në vijim do të prezantohen edhe pesë trupat tjera artistike pjesëmarrëse. Festivali zgjat deri më 28 janar, kur bëhet ndarja e çmimeve. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat