Poezi

Kultura

Poezi

Nga: Agim Xh. Dëshnica Më: 2 shkurt 2022 Në ora: 20:56
Agim Xh. Dëshnica

Dëgjoj, një zë sjell oqeani!

 

Në breg kur  dallgët s’i merr gjumi,

ashtu si unë nëpër kujtime,

kam dal  dhe edem si ajri vetë,

 të sodis purpur  mbi valë

fytyrën diellit t’ia shoh sërish,

pas yjesh nate, që shkuan të flenë,

sy e duar në ngjyra të përvëloj.

 

Më dridhëron gjëmimi i thellë,

te gjoksi i lagur i shkëmbinjve,

ku  ulen  e brofin  pulëbardhat,

kur dallgët çohen  e bien si në valle,

e shtërgu digjet pas reve larg,

nëpër zhaurimë të kap një zë,

tek vjen me ditën mbi krahë të erës.

më fanitet djaloshi Memli,*

fytyrë e  trishtë, ndodhish tragjike,

me ballin dritë e sytë e zi,

te një Kështjellë legjendare,

mbi hon shkëmbor te Kroi i Vajës

nën hijet fresk, përmes ullinjve,

drejt degësh e  hardhish të brishta,

i dashuruar pas ngjyrës së qiellit!…

Hedh sytë përpara, drejt oqeanit,

dëgjoj ankime nga thellësi pa fund,

rënkime valësh ndër shkumëzime,

një  thirrje  nga zemër e re,

tek zbret  me pulëbardhat,

më vjen pranë, ulet e rrëfehet!...

………

* Memli - personazh kryesor

në romanin “Gremina e dashurisë”

të Mustafa Greblleshit.

Boston Mass, qershor 2005

 

Qielli i  syve  të tu

 

Në buzëmbrëmje nën zefir

teksa dita po ikte e bëhej fir,

qielli i syve të tu në sytë e mi,

 endej  e prehej në shpirtin tim.

 thellë në zemër me dridhërim.

Një poezi, me thirrma më kërkoje

e yjet lart mbi hënë m’i tregoje.

Ah! pranë  teje në at’ muzg mbi det,

i lumtur shfrehja- poezia je ti vet.

 Tirane 1951

Zbrisja poshtë në lumë

Zbrisja poshtë në lumë

gjithë natën i pagjumë.

Hëna  shndrinte lart në qiell,

deti  frymë e fresk  kishte sjellë.

 

Zbrisja poshtë, udhë pa udhë,

nën  yje  dhe  nëpër muzg.

S’ndihej  asnjë  uturimë,

sipër barit as  fëshfërimë.

 

Zbrisja poshtë te një urë,

s’ia mësova emrin kurrë,

me fenerë,  por pa  legjendë,

harqet hekur këmbërëndë.

 

Zbrisja udhës tatëpjetë,

hijet ngjiteshn  përpjetë.

Hidhja  hapat me ngadalë ,

për te lumi pa asnjë valë.

 

Zbrisja poshtë e lart veshtroja,

e me yjet  kuvendoja,

përvëluar nga një brengë,

përgjëruar për një breg.

përmalluar për një urë,

harqet radhë gurë mbi gurë.

 

Zbrisja poshtë tek uji  i fjetur,

va , burime për të gjetur,

baltë e shkurre, plot me mall,

të thërrisja nëpër zall…

 

Medford,  9 prill 2005

 

Neonët në Harvard

Harvard- Kembrixh,

një tren ndalon, tjetri u nis.

Me qindra vijnë, me qindra shkojnë

në radhë, të shpejtë nëpër neonë.

 

Një burrë i zbardhur, vrik, ndali portën,

për një zonjushë hirëplote,

studente e shkathët si vetë rinia,

e pastër, e ardhur posi selvia.

E mori si shpërblim

një “thenk ju!”

E mori si kujtim

një buzëqeshje.

E mori si dhuratë

një dorë të ngritur lart.

Ndaj zemra i rrahu si dikur.

U lumturua, një mall e zu…

Djaloshi i urës mos u rizgjua?

Befas u shkund, u dridhërua

tymnajë harresash

u nda, u përça, u shpërnda...

tej  larg,  teksa po ngrysej,

dhe  Osumi po terratisej,

një djalë ëndrrash në urë, mbi shtjellë,

e la folenë e ngrohtë  nën kështjellë,

Tomor, Shpirag, valë e va,

tymra  e re,  skaj  më skaj.

*

Një tren ndalon e tjetri shkoi,

studente e hijëshme fluturoi.

Shikimi i ëmbël nuk di se ç’la,

e dorë e bardhë  nuk di seç dha

buzëqeshje e çiltër, nuk di  seç tha,

veç la një emër, Ana Sofi,

Ana Sofi, Ana Sofi...

 

Në mjegull tragjedish

Shekspiri mendueshëm ecën në muzg,

Pelerinë  e  flokë supeve, era ia trazon.

Ngjitet e ngjitet nëpër shkallët e  gurta.

Shfaqet lart nën hije resh të murme,

në kulla, bedena këshjellash tragjike.

 

Në pallatet e ngrysur hyn,

shkel në gjurmë,

mbretërish e mbretëresash,

princash e  princesash,

kalorësish hijerëndë.

 

Heton me radhë intrigantë,

hapa besnikësh e rojesh,

Qorton vetvrasës, fli mashtrimesh;

qan të dashuruarët e pafaj;

ndëshkon vrasës të pabesë.

 

Në kulla, bedena e shkallë të gurta,

veç terr,  pluhur,  frymë  shkretëtire.

Ndër sallat mister, hijet sillen qark,

pa shenjë, pa fjalë, veç heshtja flet,

nga thellësi  e mjegullt e kohrave.

 

Kupolat kumbojnë,

nga zëri titanik i perandorit:

Dhe ti o Brut, kamën vrastare ngre?!

Atëhere bjer o Qesar!

Në sallat e hollet e zymta,

ushton thirrja tragjike

e princit Hamlet:

Të rrosh a të mos rrosh,

kjo është çeshtja!

O prapësi o dreq,

që unë paskam lindur të të ndreq!

Makbeth! Makbeth!

Më kot! Më kot! lan duart e krimit;

Zonja Makbeth, Pylli i Brinjës  lëvizi!

Bujar Makdafi, vjen për ndëshkim!

 

Shekspiri kundron trishtueshëm,

sallat spërkatur me gjak hakmarrjesh.

U qetëson plagët trimave të drejtësisë,

përcjell me dhimbje të ndershmit e pafat;

gjurmë gjaku fshin në shtegun e jetës;

kumte të ndritur, lë për njerëzimin.

 

Fëmijëri

Ah! më s'ka, fëmijëri,

me një fyell pranveror,

as mendime përmbi urë,

llampa më s'ndriçon në shtyllë.

Nga të prapë e të pabesë

shëmbur kulla e Sahatit,

prerë ujët e burimit.

Më s'gjëmon sovaku i bardhë,

rrema nuk rrjedh më tatëpjetë,

pranë shelgjesh e kavakësh.

Kazma bishë e spatë e egër,

rrafsh shtëpia plot dritare.

S'ka më lodra, s'ka më ëndrra,

një shkreti  bahçe e blertë,

asnjë hije, pa freski,

më s'ka man e s'ka më shegë,

degët fiku më  s'ngre mbi mur…

O moj dallgë e bardhë e detit,

tek shkon tutje a kthen në breg,

më kujton me atë zhurmë,

vitet që nuk kthehen kurrë.

 

 Zgjim në Berat

 Berat, Berat, bahçe, ulli

me gaz e dhimbje, brengë e lule,

 me derë bujare dhe me dolli,

ballin krenar mos e përule?

 

Sipër çatish -kala, kullë, bedena,

 tregomë për gjak në ujë, nën urë,

 për pleq të zbardhur vajton dhe hëna,

 për nusen, qajnë drurë e gurë.

 

Berat i lashtë, muret e rëndë

, me myezinë e kambanore.

Berat fisnik e plot me mend,

me ballin lart një përmendore.

 

Përzë nga supet akull e mjegull Tomori,

heshti stoçeni mbi rrjedhë të Osumit,

dritë mbi Shpirag, kreshta flakë mori,

dritaret hapen, çojnë shpirtrat nga gjumi…

 

Joni blu

Joni jonë nën breg, bruz e blu,

hapet magjishëm me valë e zhurmë,

qilim smeraldësh shtron në fund,

në guva  lahet  me rreze e shkumë.

 

Në gjoks shkëmbejsh suvalat varg,

thyhen, rrëzohen me shfryrje të thella,

hiqen mbrapsht, humbasin larg,

tundin, anojnë lundra e vela.

 

Avuj, stërkala, stoli të dritës.

Nga algat  çohet  ylberi hark

mbi drurë e ajër, në maj’  të  Çikës,

shkëlqim e ngjyra  shpërndan përqark.

 

Rrëshkasin retë nga Llogaraja

ndehen e shtillen në fluturime,

ndërrojnë ngjyrat si në përralla,

skuqen e digjen në  flakërime.

 

Thirrje të lashta,  jehona, vozitje,

larg brigjesh joshje, mirazh, habi.

Gjëmim i mbytur, një çast fashitje,

por diç në zemër, më sjell trazi.

 

Liri e fllad,  freski gjithkund,

tisi i purpurt mbi  gulfe e shkumë,

n’ horizont diell e muzg, bruz e blu,

ulen mendueshëm, brofin me zhurmë...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat